Home Opinion Serbët po kalkulojnë, shqiptarët po i falen besimit

Serbët po kalkulojnë, shqiptarët po i falen besimit

Nga Ben Andoni

Shumë autoritete të huaja dhe shqiptare iu shmangën propozimit të dikurshëm të shkëmbimit të territoreve. Në argumentin e politikanëve të Ballkanit dhe shumë autoriteteve, ky akt mund të kishte efektin domino për hapësira të tjera. Një varg jo i pakët njerëzish iu turrën Thaçit dhe atyre pak që e mbështetën publikisht. Erdhi koha e shprehjes së shumë individëve kundër zyrtarëve, që aludoheshin për të.

Kryeministri Rama nuk mbeti pa anatemë. “Shërbëtor i Vuçiqit” ishte përcaktimi më i paktë për njeriun më të plotfuqishëm shqiptar. Pas në histori, ishin intelektualët serbë të parët, që duke parashikuar të ardhmen e errët të politikave të tyre do të shkonin në propozimin e realiteteve aspak të kënaqshme. Individë dhe qarqe, duke përdorur autoritetin e Akademisë së tyre të Shkencave, Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë etj., propozonin ndarjen e Kosovës. Përplasja me këtë koncept në Serbi s’do ishte e lehtë. Veçse, koha u dha deridiku të drejtë, pasi largimi i forcave ushtarake dhe detyrimet e Serbisë nga marrëveshja e Kumanovës e nxori sërish nga sirtarët e pluhurosur.

Pesë vjet më vonë, tollovia e vitit 2004 në Kosovë ishte një përpjekje e qarqeve të ndryshme Kosovë-Serbi për të treguar se duhej kërkuar një realitet ndryshe. Pse jo edhe ndarja. Edhe pse në ato ditë të errëta u vranë më shumë shqiptarë, Serbia e përdori në stilin e zakonshëm se popullata serbe gjendej në një rrezik potencial mbijetese. Se çfarë rrodhi më vonë dihej: Perëndimi e harroi “pakëz” gjenocidin mbi Kosovën dhe filloi të punonte ‘për të drejtat e komunitetit serb, tashmë të rrezikuar’.

Edhe pse një pjesë e njerëzve sot e anatemojnë planin që duket i përshtatshëm për serbët, koha po na tregon se ky plan është një zgjidhje e konsiderueshme. Nga shumë më tepër burime besohet se viti 2023 do të ndaj shumë gjëra për debatin Kosovë-Serbi. Kështu, njohësi i çështjeve të Ballkanit dhe Hulumtuesi në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less pohon se: “Një skenar përfshin një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës në të cilën e para njeh të dytën – fillimisht praktikisht dhe më vonë formalisht – në këmbim të autonomisë për veriun e Kosovës. Diplomatët amerikanë dhe evropianë janë fuqimisht në favor të kësaj”, u shpreh në një intervistë për Eureneës.rs. Dhe, sërish nga i njëjti autor, Qeveria në Beograd mund të konkludojë se një marrëveshje e tillë është më e mira për Serbinë: “ngjashëm Qeveria në Prishtinë mund të konkludojë se dhënia e autonomisë serbëve është një çmim që ia vlen të paguhet për t’i mundësuar asaj të nis ofertën e saj për anëtarësim në BE”. A preket Kosova? Duket se preket bajagi shumë. E para largohet një pjesë, që për hir të së vërtetës, ajo nuk ka ndonjë autoritet, por ndërkohë, Presheva mbetet në territorin serb.

Dhe, më shumë akoma: nëse kjo ndodh me Veriun dhe nga ana tjetër pjesës tjetër të komunave i mundësohet Asosiacioni, që palës shqiptare po i bëhet aq presion sot nga SHBA-ja deri në Bruksel, atëherë Kosova duket se e humbet edhe Preshevën e Bujanovcin. “Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis”, tha edhe Derek Chollet, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit në intervistën e tij të fundit për Radio Evropa e Lirë. Chollet që i vizitoi vetë Prishtinën e Beogradin pas ditë më parë, pohoi se nga takimet që ka pasur në dy kryeqytetet “mendojmë se këto kompromise janë të mundshme”. Edhe këtu e kemi një ngërç, kur mendon se Beogradi e ka marrë seriozisht dhe po flet për privacione dhe vendime të vështira përpara vetes, në Prishtinë duket se e kanë marrë më shtruar.

Këtu të vinë ndërmend fjalët e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pak vite më parë kur shkroi se: vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB”, ka shkruar ai.

A do përfitojmë ne shqiptarët nga kjo situatë apo do humbim?! Duket se ndërsa serbët e Beogradit po ecin me ritëm të lartë për t’u ballafaquar me realitetin, pala shqiptare vazhdon me miq-armiqtë. Jemi para të panjohurës së pakëndshme apo një realiteti të pashmangshëm. Serbët kalkulojnë, ne po i falemi besimit…

Previous articleTensionet mes Kosovës dhe Serbisë, diskutime në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Next articleShuma marramendëse që fiton Beyonce me vetëm 90 minuta koncert