Vihet në pranga kapiteni i anijes, një shtetas rus që transportonte 22 500 tonë naftë të kontrabanduar dhe që u sekuestrua në Durrës.
Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Alexy Smaznov.
NJOFTIMI I POLICISE
Sekuestrohen sasia e naftës së kontrabanduar dhe anija që e transportonte atë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, strukturat qendrore të Policisë Kriminale dhe Policia Kufitare e portit të Durrësit, kanë vijuar hetimet e thelluara dhe veprimet operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e plotë të tentativës për të futur në vendin tonë, 22 500 tonë naftë të kontrabanduar, si dhe me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të përfshirë.
Për këtë rast, u vu në pranga kapiteni i anijes që transportonte 22 500 tonë naftë të kontrabanduar, shtetasi A. S., 47 vjeç, banues në Rusi, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.