Home Rajoni Saraçini: ‘Firmat të paraqiten për ‘Hallall’

Saraçini: ‘Firmat të paraqiten për ‘Hallall’

saraciniKompanitë në Maqedoni duhet të interesohen për standardet ‘Hallall’ për të shfrytëzuar paratë që për herë të parë janë ndarë nga Ministria e Ekonomisë për ndihmë teknike dhe profesionalel. Kështu bëri thirrje sot ministri Valon Saraçini. Ai thotë se ndonëse në Programin për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për vitin 2013, nga 217 mijë euro janë siguruar vetëm 8 mijë për standardet ‘Hallall’, ekziston mundësia për para shtesë të sigurohen, nëse firmat do të shfaqin interesim për plotësimin e standardeve të tilla.

“Në të ardhmen, nëse e shohim se ka interes më të madh nga ana e kompanive ne në kuadër të programit apo atyre mjeteve prej 13 milion e 370 mijë denarë mund të bëjmë re-alokimin e mjeteve për këtë veprimtari. Ne do të vazhdojmë me promovimin e këtij programi dhe besoj se interesi nga ana e kompanive do të jetë shumë i madh ne do të vazhdojmë edhe me promovimin në oda ekonomike të këtij programi“ , tha Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.

Në Maqedoni, tregu i standardeve ‘Hallall’ është tërësisht i pazhvilluar. Deri tani, vetëm 7 kompani, para së gjithash të industrisë ushqimore, janë angazhuar të sigurojnë standardet e tilla, që për shumicën në rajon dhe në botë, do të thotë më shumë se sa një certifikatë fetare. Përveçse garantohet që në produkte nuk ka alkool, mish derri dhe ekstrakte insektesh, standardet e tilla janë më të mirat dhe të më shëndetshmet për ushqyerje. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se fondet shtetërore nuk janë vetëm për kompanitë ushqimore.

“Thirrja publike është e hapur për të gjitha kompanitë të cilat kanë interes për të implementuar këto masa, ne në fazën e parë nuk do të margjinalizojmë thirrjen publike, pra do të jetë e hapur për të gjitha kompanitë, pasi që të shohim se si shkon aplikimi në Ministrinë e Ekonomisë atëherë mund të bëjmë edhe kategorizimet“ , tha Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.

Që standardi ‘Hallall’ është diçka më shumë se një certifikatë fetare, dhe një mundësi e mirë për të fituar, flasin edhe shifrat. Tregu ‘Hallall’ në nivel global peshon mbi 850 miliardë dollarë, ka një rritje dyshifrore vjetore dhe ajo që e bën më të rëndësishëm, është fakti se këto produkte mund t’i shfrytëzojnë pjesëtarët e të gjitha komuniteteve fetare.

Previous articleVenezuelë: Chavezi nuk është në gjendje të marrë pjesë në inaugurim
Next articleArt me guaska dhe rërë