Home Slideri Sami Gjergji: Firma “Primalat” do të jetë lider në Shqipëri dhe tregun...

Sami Gjergji: Firma “Primalat” do të jetë lider në Shqipëri dhe tregun e huaj

1Nga Xhevo Gradica / Biznesmeni Sami Gjergji ka thënë se shumë shpejt do të padisë në organet e drejtësisë autorët që i kanë shkaktuar prishjen e imazhit të firmës. Ai ka informacione të plota dhe të sigurta se gjithëçka ka pasur si synim ta rrënojë biznesin e tij për shkak jo vetëm të konkurencës në treg. Ndonëse nuk ka folur me emra të përveçëm pritet që të akuzuar të jenë edhe persona a institucione në Kosovë. / Fabrika “Primalat” në Durrës ka tërhequr prej dy-tri javësh vëmendjen e publikut shqiptar, konsumatorit, biznesit e medias. Thuajse e gjithë popullata nuk e kishte dëgjuar më parë fjalën Aflatoksinë, madje edhe sot e kësaj dite janë të paktë, me gishtat e dorës specialistët që kanë dije të plotë për të. Megjithatë paniku përpiu të gjithë sa hap e mbyllë sytë. Lajmi erdhi nga Kosova për të marrë dhenë edhe në Shqipëri. Investitorët e fabrikës kanë bërë të qartë dhe të ditur se zhurma është bërë për qëllime konkurence të pandershme dhe se nuk bëhet fare fjalë për të vënë në dyshim produktin e prodhuar nga fabrika “Primalat”. Kombinati gjendet në magjistralin e rrugës Sukth-Manëz. Vendësit i thonë Qendër Sukth ndërsa të tjerë për të të orientuar saktë kujtojnë se fabrika gjendet vetëm 50 m në të majtë të kësaj rruge sapo kalon urën e Tonës. Rruga është e asfaltuar ndonëse vende-vende e dëmtuar nga koha dhe numri i madh i mjeteve që qarkullojnë për në Manëz, Kullë, Hamalle, Perlat, Rrushkull, Jubë, Katund të Ri…Stabilimenti duket që nga larg. Rrotull tij nuk ka shumë ndërtime, ndërsa fabrika është e rrethuar dhe jashtë duket gjithçka e sistemuar. Takimi i parë është me punonjësin që rri tek porta. Ai na drejton për në portën hyrëse të fabrikës, në anën skajore të saj. Janë shumë media të interesuara për të parë realisht pocesin teknologjik të kombinatit. Së bashku me ne ka edhe gazetarë e operatorë të disa televizioneve e gazetave kombëtare e lokale në Shqipëri, madje edhe gazetarë nga Kosova. Të gjithë të interesuar dhe shumë kureshtar. Deri diku zhurma për Aflatoksinën në qumështin e nxjerrë në treg ka rënë, megjithatë fabrika ka plot 18 ditë që ka ndërprerë aktivitetin prodhues duke kaluar në një situatë shumë kaotike. Investimi është shumë i madh dhe për ta ngritur atë aksionerëve u është dashur shumë sakrifica. Pa llogaritur blerjen e tokës, kompromiset me banorët e zonës, shtrimin e rrugës, infrastrukturën nëntokësore, rrjetin e ujit të pishëm dhe atij elektrik apo të tjera shpenzime, për të ndërtuar fabrikën janë shpenzuar 7 milion euro. Me fatin e saj sot për sot janë lidhur ekonomitë e 70 punonjësve të fabrikës dhe administratës së firmës “Primalat”, afro 2000 fermerë dhe shumë familje të tjera pa llogaritur këtu punonjësit e fermave, transportuesit e të tjerë. Ka vetëm dy vite që është ngritur kjo linjë e re prodhimi, ndërsa ka nisur të furnizojë tregun vetëm 18 muaj më parë. Aktualisht fabrika ka furnizuar konsumatorin shqiptar në Shqipëri e Kosovë, por në sasi të konsideruara është futur edhe në tregun e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Për të hyrë në fabrikë paraprakisht duhet veshur paisjet përkatëse si dhe lypset sterelizuar duart për të kaluar më pas nga me ndihmën e një trasportier në derën e fabrikës

Kombinati
E para gjë që bie në sy në këtë kompleks ka të bëjë me pamjen që afron impianti i gjithë prej inoksi që është vendosur në qendër të një kapanoni shumë të madh e të gjerë. Brenda higjena është ndër kushtet numër një për të gjithë punonjësit por edhe për ne, ndërsa nuk ka qenë fare e vështirë të kuptohet edhe gatishmërinë e buzëqeshjen e punonjësve të cilët shprehnin gadishmërinë për të treguar deri në detaj se si funksionon reparti tyre dhe zinxhiri funksionimit. Profesor Vigan Dervishi, që është njëherësh bashkaksioner në firmën “Primalat” së bashku me biznesmenin dhe politikanin Sami Gjergjin, ka marrë përsipër të jetë drejtori teknologjisë dhe zhvillimit në këtë impiant modern pasi na flet për shkallën e lartë të kualifikimit për punonjësit na shoqëron repart më repart. Teknologjia është ndër më modernet dhe gjeneratë e fundit suedeze e vitit 2010 e kompanisë multinacionale TETRAPAC, markë shumë serioze në industrinë botërore me të cilën kanë edhe bashkëpunim aksionerët e firmës “Primalat” në Durrës. Këtu nuk ka repart të rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm, ndërsa askush nuk mund ta shohë e as të prekë qumështin pasi çdo gjë është e automatizuar dhe kalon në zinxhirin e mbyllur. Madje profesor Dervishi thotë se është e pamundur që ndokush të mësojë se ku futet qumështi në fabrikë nëse nuk i tregohet. Repartet kryesore në këtë kombinat të madh janë reparti i pranimit, standartizimit, sterilizimit dhe ai i paketimit. Të gjithë së bashku komandohen nga njihet si reparti ÇIP (larja në vend) dhe që njihet si koordinues. Larja qumështit këtu nuk bëhet as me dorë dhe as me furçe, por vetëm në mënyrë automatike dhe e mbyllur tërësisht në një linjë të tillë që qumështi nuk ka asnjë lloj mundësie të kthehet më në repartin e mëparshëm. Qumështi. lënda e parë, merret tek fermerët në Fier, Lushnje, Durrës, Sukth, Fushë-Krujë, Tiranë, Lezhë. “Teknologjia UHT e impiantit tonë është më modernia që ekziston në botë”,-ka siguruar Dërvishi.
Impianti komandimit
Impianti ka të regjistruar të gjitha të dhënat për çdo sekond, minutë pas minute dhe orë pas ore. Fabrika e ka lehtësisht të mundur të gjejë se nga ka ardhur partia e qumështit. Pra ka të regjistruar fermerin, fermën, vendin, temperaturën, sasinë e depozituar. Të dhënat mbikqyren nga teknologu dhe ato ruhen për gjashtë muaj. Ky impiant ruan të gjithë linjat e pastrimit të qumështit, kohën sa ka zgjatur procesi dhe në ç’momend (kohë) është bërë. Me të mbaruar një parti qumështi, linja pastrohet pastaj vjen partia tjetër. Zbatimi teknologjisë kalon në kontrolle shumë të rrepta duke garantuar qind për qind cilësinë e produktit në treg. “Qumështi është produkt delikat dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë lloj tolerimi në respektimin deri në një të të gjithë parometrave”,-ka thënë drejtori teknologjisë dhe zhvillimit të firmës “Primalat, Vigan Dërvishi. Disa herë është thënë se çdo gjë është e programuar. Nëse ndodh që bllokohet, procesi ndërpritet dhe të dhënat kalojnë drejtpëdrejtë në kompaninë partnere në Suedi. Sensori me defekt riparohet sipas udhëzimeve në saj të programit të dërguar që andej. Paketa hiqet dhe riparohet në mënyrë elektronike. Skema teknologjikë është shumë e ndërlikuar ndaj asgjë në program nuk lejohet të preket.
Qumështi
Qumështi nga botet kalon në repartin e pranimit ku hiqen aromat e para parazite. Aty futet në mes të pllakave njëra prej të cilave me impiant uji për ta mbajtur pllakën e ftohë në 3-4 gradë. Që qumështi të marrë miratim për t’u futur në linjë duhet të plotësojë disa parometra. Në repartin e pranimit në mënyrë elektronike dhe automatike qumështi kontrollohet nëse ka antibiotik pasi ai duhet të jetë bakteriologjikisht i pastër sipas normave evropiane. Veç saj duhet të plotësojë parometrat e tjerë fiziko-kimik si PH, aciditeti, përqindja e yndyrës, përqindja e proteinave, përqindja e laktozës dhe ajo minerale. Vetëm atëherë kur laboratori jep miratim, qumështit i hapen automatikisht rrugët për të hyrë në tubacionet e labirintet e tjera repart pas reparti deri në paketim. Çdonjëri nga ne ka kureshtje të shohë, të pyes e të mësojë për shumë detaje kryesisht me ato që lidhen me cilësinë e garancinë që afron kombinati për produktin më të rëndësishëm në tregun e konsumatorit siç është qumështi. Tubacione të panumërta kalojnë në drejtimet e tyre për t’u kyçr në repartet përkatëse të linjës. Drejtori thotë se laboratori kryen analiza shumë të sofistikuara. Vetëm 3 minuta zgjat testi i parë për të pasur me të tjera të tilla të shumëllojshme dhe elektronike. Laboratori ka bindur fermerët se qumështi një lope që është trajtuar me antibiotik nuk mund të futet në linjë. Fërmerëve u janë vënë kushte që në fillim duke ua bërë të qartë se qumështi me gjurme antibiotikësh nuk lejohet të kalojë në linjën e përpunimit dhe se qumështi çdo lope të trajtuar nuk merret nga boti për një periudhë njëjavore. Një analizë më vetë është edhe nëse ka ujë në qumësht të hedhur nga fermeri. Teknologët kanë bindur fermerët se është tërësisht e pamundur të kalojë në linjë qumështi të cilit i është hedhur ujë. Aparatura tregon në fare pak sekonda nëse ka përzierje apo jo. Qumështi trajtohet në metodën UHT që garanton se produkti nuk ka asnjë lloj mikrobi. Në kushte të tilla ruhet jo vetëm 6 apo më shumë muaj, por edhe mbi një vit në paketa e dhoma sterile. Lënda e parë, qumështi depozitohet në tankera të mëdha dy prej të cilëve mbajnë 12 mijë litra dhe një i tretë 8 mijë litra. Qumështi i sterelizuar trajtohet me presion 200 atmosferë për të coptuar grimcat e yndyrës që të treten më mirë në mëlçi (tëmth). Kushti numër një i teknologjisë ushqimore është moskthimi mbrapsht i qumështit të futur në linjë. Drejtori Dërvishi tregon se çdo gjë këtu ka rëndësi. Integriteti paketës është njëri prej tyre pasi siguron që paketa, e cila kalon në çdo 15 minuta testin e kontrollit, të mos ketë fare ajër pasi ndryshe rrezikon prishjen e produktit. Këtu çdo gjë është jo vetëm në vendin e vet, por edhe nën monitorim të pandërprerë elektrinik. Barkodi i letrës për pakot e qumështit vjen nga fabrika dhe ruhet për të evidentuar në kohë gjithë të dhënat. Paketat kanë secila prej tyre të dhëna të tilla si datën e skadimit, orën dhe minutën e prodhimit, numrin e serisë dhe numrin e lotit. “Qumështi i prodhuar në fabrikën tonë është më i garantuar se ai që prodhohet në Amerikë dhe Kanada”,-thotë Dërvishi. Ai pohon më tej se ka garantuar tregun e kosnumatorëve se produkti prodhuar në firmën “Primalat” është cilësisht i pastër dhe tërësisht i konsumueshëm duke larguar edhe dyshimet më të vogla. “Qumështi është tërësisht i lopëve tona në ferma të hapura, teknologjia është moderne dhe më e avancuara e kohës dhe se ekipi i kualifikuar dhe i zgjedhur ka impenjimin më të lartë”,-garanton Dërvishi. Ekipi ka 1.5 vite që punon e kualifikohet si brenda edhe jashtë vendi, një tjetër standart që garanton suksesin e linjës. Fabrika përpunon 6 ton qumësht në një orë dhe produkti shumë shpejt hyri në treg duke u bërë shumë i kërkuar. Sot mësohet se firma “Primalat” mbulon 40 përqind të tregut në Shqipëri, 30-35 përqind të tregut në Kosovë dhe sasi të konsideruara eksportohet në Maqedoni e Mal të Zi. Profesori Vigan Dërvishi thotë se nga Franca është importuar gjenetika më e mirë për t’ua përcjellë fermerëve shqiptarë me të cilët firma ka kontratë për lëndën e parë. Rreth 2000 fermerë kanë lidhur aktivitetin ekonomik me fabrikën e cila prej 18 ditësh ka të paralizuar aktivitetin. “Është një luftë e padenjë e cila ka zanafillën në Kosovë dhe bëhet për qëllime të një konkurence të pandershme”,-tha Dërvishi. Më pas ai ka pohuar se nuk bëhet fjalë për Aflatoksinë në qumësht. “Aflatoksina nuk prodhohet në fabrikë. Çdo ditë ushqehemi, konsumojmë aflatoksinë nga gruri e misri që janë shumë më të rrezikshme se aflatoksina në qumështin e lopëve në fermat tona”,-ka vijuar të arsyetojë Dërvishi duke saktësuar se zhurma ishte një veprim i qëllimtë për të trembur opinonin me qëllim që të dëmtonte imazhin e fabrikës “Primalat” në Durrës, treguesja lider e këtij produkti. “Ne kemi standarte evropiane të ruajtes së nivelit të aflatoksinës. Në Amerikë aflatoksina është 10 herë më e lartë se në fermat shqiptare dhe ato evropiane”,-u shpreh ai. Vigan Dërvishi është emër shumë i njohur në rradhët e specialistëve dhe akademikëve të fushës. Ai ka qenë për disa vite pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor. Por Dërvishi ka edhe përvojë jashtë vendi pasi për 22 vite ka shërbyer në Institutin e Blegtorisë në Francë. Për gjashtë vite Dërvishi ka botuar në periodikët francez rezultatet e kontrollit të qumështit në Francë dhe kjo përvojë brenda e jashtë Shqipërisë i ka dhënë Dërvishit siguri të plotë për të drejtuar e menazhuar kombinatin ndër më cilësorët në Evropë. Drejtori thotë se në kohën që AKU e Kosovës e ngriti problemin me qëllimin e caktuar për të ndëshuar “Primalat”, në Evropë diskutohej për Aflatoksinën në rajon. Kroacia u bë objekt dhe u vendos nën monitorim të plotë nga BE. Kroacia është antare e BE dhe vijon të mos e ketë Aflatoksinën në nivelet e lejuara nga BE, ndërkohë që Shqipëria ndonëse nuk është pjesë e këtij unioni ka tregues shumë më cilësor dhe të nivelit të Francës, Gjermanisë, Anglisë… “Kroacia kishte tregues të lartë të pranisë së Aflatoksinës në qumësht, në nivelet e Amerikës gjë që nuk lejohej e nuk pranohej nga BE”,-pohon Dërvishi.  Në saj të financimeve të BE Kroacia ndikoi tek fermerët dhe pasi u jepte lekët për qumështin e prodhuar e derdhte nëse Aflatoksina nuk ishte në normën e pranuar. Firma “Primalat” deklaron se është dëmtuar shumë nga veprimet dashakeqëse të një konkurence të pandershme dhe me ndikim të pastër politik, megjithatë aksionerët thonë se situata do të kalojë shumë shpejt pasi konsumatori është më se i bindur për cilësinë e produktit të linjës “Primalat”. 

Sami Gjergji, Do të padisim në gjykatë shkaktarët
Dr. shkencave Sami Gjergji, investitori kryesor për sjelljen në Shqipëri të markës multinacionale TETRAPAC ka thënë se po shihet rruga ligjore e denoncimit të abuzimit që është bërë me firmën “Primalat”. Gjatë një prononcimi për median Gjergji ka bërë të qartë se dëmi që i është shkaktuar shkon deri në 1.5 milion euro pa llogaritur prishjen e imazhit. “Do ketë dhe ka shkaktar të kësaj zhurme e cila kishte si objekt të dëmtojë firmën tonë me një konkurencë të pandershme”,-tha aksioneri kryesor në ngritjen e firmës. Sami Gjergji ka shumë vite që renditet në një nga biznesmenët shumë të njohur në vend. Ka shumë të ngjarë që rrënimi firmës të ketë ardhur edhe si një presion nga politika pasi vet Gjergji është eksponent shumë i lakuar për mbështetjen e ish presidentit të vendit Bamir Topi, kryetarit të subjektit të ri politik FRD. Gjergji është treguar i rezervuar në artikulimin e emrave të përveçëm, megjithatë ka kërkuar që për raste të tilla edhe media duhet të përpiqet të kërkojë të vërtetën për ta vënë atë përballë manipulimeve të ndryshme që bëhen për qëllime konjekturale e politike. “Pati dizinformacion për publikun dhe u dëmtuar rëndë konsumatori, fermerët dhe industria”,-ka bërë të qartë biznesmeni Gjergji. Firma “Primalat” prodhon qumësht, gjalp, kos, djathë danez, qumësht frutash dhe së shpejti pritet të realizojë një tjetër investim në saj të një marrëveshje të re për 1.2 milion euro e cila do të konkretizohet me prodhimin e paketës së vogël 200 ml dhe prodhimin e panës për pastiçeri dhe panës për kuzhinë. “Kompania Primalat bëri revolucion të vërtetë në industrinë përpunuese në Shqipëri pasi deri asokohe tregu vendës ishte i mbytur nga importi”,-thotë Gjergji. Më shumë se 80 përqind e produktit vinte nga jashtë Shqipërisë dhe futja teknologjisë gjigande TETRAPAC solli edhe rigjallërimin e fermave blegtorale në shumë zona të vendit. Ngritja fabrikës krijoi premisa për zhvillimin e blegtorisë për të cilën Gjergji thotë se është në rrugë të mbarë. Më tej ai ka bërë të ditur se personeli është kualifikuar brenda e jashtë vendi duke garantuar linjën në vijimin e saj sipas standarteve të përcaktuara. Kompani tregon vëmendje ndaj këtyre fermave që e furnizojnë me qumësht duke u dhënë atyre edhe literaturë të nivelit bashkëkohor për mbarështrimin e blegtorisë. Firma prodhoi 5 produkte si fillim dhe me kalimin e kohës, nisur edhe nga siguria dhe tregu, ka shtuar produkte të tjera. Gjergji më pas ka folur edhe për situatën e krijuar në 3 javët e fundit që pasoi me paralizimin e aktivitetit të firmës. “Zanafilla është në Kosovë dhe është krijuar për efekte komerciale të pandershme”,-ka thënë biznesmeni. Në një muaj në Kosovë firma “Primalat” ka furnizuar tregun e atjeshëm me 350 ton qumësht. Kjo, sipas Gjergjit, ngjalli xhelozi tek konkurentët të cilët përdorën AKU e Kosovës për të bërë edhe deklarimet në dëmtimin e qëllimtë të imazhit të firmës “Primalat” në Durrës, kompanisë lider në treg. Doktori shkencave Sami Gjergji ka pohuar se institucionet shqiptare nuk e menazhuan siç duhet situatën e krijuar nga konkurenca pandershme dhe përhapja panikut përmes disa mediave. Edhe Gjergji ka përsëritur faktin se Aflatoksina nuk prodhohet në fabrikë, por në fermë, ku marrin qumësht të gjitha firmat. “Çfarë mund të themi sot që qumështi merret e tregtohet në bidonë? Ky qumësht është më i garantuar sesa i fabrikës?”,-ka drejtuar pyetjet aksioneri kryesor i firmës. Më tek ai ka theksuar se “Produkti ynë nuk ka asnjë problem”. Gjergji nuk ka përjashtuar kërkesën për shtrirjen e hetimeve edhe jashtë Shqipërisë duke lënë të kuptohet se ndër të akuzuar do të jenë edhe eksponentë nga Kosova. Përsa i përket dyshimeve nëse në tendencën për të rrënuar në mënyrë të qëllimtë biznesin e Sami Gjergjit, njërit nga mbështetësit kryesor të Bamir Topit, ka prapavijë politike ka thënë se “Të shohim në kohë, janë organet përkatëse që do e bëjnë këtë investigim”. Biznesmeni ka thënë se çështja nuk ka të bëjë fare me dëmin financiar që i është shkaktuar biznesit të tij. Ai e lidh faktin me klimën shumë të rënduar të bizneseve në vend të cilët janë të kërcënuar nga të tilla veprime. Sipas tij institucionet e shtetit shqiptar nuk kanë kryer detyrimet ligjore duke e lënë problemin pa asnjë lloj orientimi. Megjithatë Sami Gjergji pohon se biznesi tij është në rrugën e mbarë duke garantuar konsumatorin, por edhe fermerët me të cilët ka kontratë, se do të vijojë normalisht aktiviteti prodhues.

Previous articleHelen, ke zgjedhur fustanin e gabuar për të dalë! (Foto)
Next articleGazmir Bizhga: Liçensat e Fabrikës së Çimentos po e shkatërrojnë mjedisin dhe po e kthejnë në një katastrofë me ligj