Home Opinion Sali Berishës i duhen këshilltarë të mirë

Sali Berishës i duhen këshilltarë të mirë

Nga Nasho Bakalli

Debati trillues mbi Portin e Durrësit ka ndezur edhe një konflikt identiteti, midis Sali Berishës dhe Edi Ramës, i ngarkuar ky me atdhetarizmin e liderit të “Rithemelimit” dhe shpirtshitjen e kryeministrit të pozitës.   Ndëshkimi që Sali Berisha synon ti japë Edi Ramës nuk është assesi rezultat i ligjit. Shpagimi po përmbushet përmes mbikqyrjes, mosbesimit, pazareve, dhe hamendësive.

Opozita në kundërshti të pa pajtueshme me Pozitën!

Pse?

Meqenëse zgjedhjet e majit 2023 do fitohen për të luajtur ose kastën ose kartën e oligarkëve, dhe egërsia e atdhedashësit kundër atdheshitësit lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet për të siguruar me çdo çmim epërsinë e opozitës mbi pjesën qeverisëse. Pozita argumenton se Porti i Durrësit do të ndikojë dukshëm në rritjen e mirëqënies qytetarëve. Lexuesi, përballë këtij pohimi, gëzohet. Por, edhe tronditet. Përse? Nga ligësia e plotë që shpalos publikisht opozita ndaj një investimi që do të ndikojë mirësisht në ngritjen e mirëqënies së qytetarëve. “Po filloi Porti Turistik s’e marrim më kurrë Durrësin!”. Ky deklarim i opozitës vërteton shkoqur sa më sipër, hallin real të opozitës jo të popullit, dhe na dëfton se linjat e betejës Berisha – Rama janë përvijuar qartë, tashmë. Aq sa edhe ideja e “Rithemeluesit” – se vetëm ai është atdhedashës kurse gjithë të tjerët janë gabim – nuk lë as një copëz vend për interpretimin sado pak krijues të filozofisë të patriotizmës. Për pasojë. Agresiviteti i papërmbajtur i Sali Berishës – një taktikë kjo e keqkëshilluar prej bashkpuntorëve të tij – kundër investimit miliarda dollarë në Portin e Durrësit po rezulton në popull si patriotizëm i Edi Ramës.

Kur presidenti i fundit i Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë po nisej të udhëtojë drejt Amerikës, diku nga fundi i viteve 1980, zëvendësi i tij e këshilloi “Përmbahuni në përdorimin e fjalës armik, dhe për të shmangur çdo keqkuptim përdorni thjeshtë konceptet nacionalist dhe patriot, sipas “terzisë” të bisedës, e do të jeni fare në rregull. Fjala patriotizëm shkakton te dëgjuesi një ndjenjë gjithpërfshirëse; ajo përkon me matricën kulturore të amerikanëve për patriotizmin.” Ish presidenti, duke e ndjerë veten të pasigurtë në atë kohë, e vlerësoi këtë këshillë.

Qënia “non grata”, dhe mungesa e këshilltarëve të aftë për ti rekomanduar Sali Berishës zgjidhje pragmatiste në kushtet e kësaj pasigurie politike vetiake, po e pengon Sali Berishën të bëhet lider substancial edhe tek pakicat politike të djathta – në fushatën e nisur / e pritme zgjedhore të majit 2023. Tiranasit, durrsakët, krutansit, kavajsit, shijaksit e të tjerë votues të Shqipërisë të Mesme – pëlqyes të partisë të Agron Dukës, të Dash Shehit, etj., nuk do ta përkrahin kurrësesi qëndrimin e përtashëm të Sali Berishës për Portin Turistik të Durrësit. Më e pakta, ata nuk do të shkojnë të votojnë. Gjëndja “Non grata” dhe këshilluesit e mbrapsht po e kthejnë Sali Berishën, edhe në një kafshues të partive aleate. Mes këtyre të fundit ka jo pak veta që besojnë se një antiamerikan, në rastin më të mirë, është një djathtist i rremë. Po sipas tyre: e djathta e vërtetë vë gjithmon në plan të parë interesin për ekonominë e Tregut të Lirë. Ndërkohë, Sali Berisha po projektohet te votuesit e djathtë si një lider që vë në plan të parë vetëm përemërat “Unë dhe Imja” – teksa tregon me gisht ambasdoren Kim, dhe Edi Ramën. Kur zonja Kim kumton se “Diçka është duke ndodhur në ajër në Shqipëri” ajo n’a flet në emër të SHBA. Kur Edi Rama qesh e përqesh Sali Berishën, ai bie erë Perëndimore.

Kjo përplasje, patriot, jopatriot, bazuar në terma e praktika socialekonomike abuzive elektorale – e stisur hem për përfitime personale – nuk bën gjë tjetër veçse kthjellon më tej vështrimin dhe vlerësimin e popullit dhe të huajve kundrejt Sali Berishës; dhe, kundrejt Edi Ramës që po e përballon me sportivitet Sali Berishën.

Previous article“Drejtësia të veprojë ndaj drejtuesve të sistemit energjetik”, Meta: Me referendum do të vendosim shtetin që i përgjigjet qytetarëve!
Next articleDurrësi, rol të rëndësishëm në Pavarësinë e Shqipërisë