Home Sport Sadiku në dilemë drejt Brazilit apo drejt Serie A

Sadiku në dilemë drejt Brazilit apo drejt Serie A

SadikuArmando Sadiku kërkohet nga legjendarët e futbollit brazilian, Korinthias. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane (tuttomercatoëeb), si dhe gjen konfirmim edhe nga vetë lojtari i Kombëtares shqiptare. Sipas informacioneve, menaxherët e këtij klubi kanë nisur një fushatë në gjetjen e talenteve më të mira dhe premtuese, referuar edhe mundësive financiare për t’i marrë në skuadër, para se të startojë kampionati brazilian (më 26 maj nis java e parë). Për momentin bëhet e ditur se klubi brazilian ka kontaktuar me menaxherin e lojtarit, duke i kërkuar këtij të fundit informacione lidhur me kontratën që Sadiku ka me klubin zviceran të Luganos. Nëse kjo tratativë do mbyllet me sukses, atëherë Sadiku do të ketë mundësi të luajë në një skuadër me ishsulmuesin e Milanit, Aleksandre Pato. Tratativa konsiderohet tashmë e hapur, por në drejtim të FC Lugano mësohet se ende nuk ka mbërritur një ofertë shkresore nga Korinthias. Presidenti i Luganos, Ronceti, sipas deklaratave që pat dhënë në muajin janar, kërkon minimalisht 500 mijë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar. Por nisur nga fakti se Korinthias është një nga klubet më të pasura në Brazil, atëherë me shumë gjasa edhe drejtuesit e Luganos do mundohen të përfitojnë sa më shumë nga shitja e kartonit të futbollistit shqiptar. Sadiku u ble 415 mijë euro nga Lokarno para një viti dhe ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së merkatos europiane. Skuadra si Uest Brom në Angli, Dortmund në Gjermani, si dhe Kievo dhe Fiorentina në Itali kanë shprehur haptazi interes për të. Menaxheri i futbollistit, Sokol Haxhia, ka konfirmuar se për sulmuesin e Luganos kanë shfaqur interes shumë klube të njohura, ndërsa nuk do t’i thuhej jo një oferte të mundshme nga Brazili:“ Korinthians është një skuadër e madhe. Nga ana jonë dyert janë të hapura për një marrëveshje të mundshme, pasi ky është një klub shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër, me përjashtim të Milan, Juventus, Inter dhe Roma, të gjithë klubet e tjera e kanë monitoruar në vazhdimësi lojtarin. Por blerja e tij është e lidhur me pasaportën e ekstrakomunitarit që ka, pasi është futbollist shqiptar”, është shprehur Haxhia. Ndërkohë Armando Sadiku ka konfirmuar tratativën, duke treguar edhe emocionet kur mësoi për interesimin e Korinthias. “Nuk di se çfarë t’ju them. Edhe unë mbeta i shtangur kur më telefonoi menaxheri im dhe më tha se kishte një interesim nga Korinthias. Nuk e di se si do shkojë tratativa, por për momentin menaxheri ka folur me presidentin e klubit dhe i ka komunikuar për interesimin dhe ofertën që Korinthias i ka bërë. Unë personalisht kam pak informacione lidhur me këtë çështje, pasi më së shumti është menaxheri që mban kontaktet si me klubin e Luganos, por edhe me ato skuadra që interesohen për mua. Nëse do shkoja në Brazil… Nuk di se çfarë të them. Më duket si ëndërr dhe nuk dua të kënaqem para kohe. Do pres se si do shkojnë gjërat dhe, nëse do arrihet marrëveshja, sigurisht që do isha i kënaqur. Megjithatë, ua shpjegova edhe më parë se për largimin ose jo nga kjo skuadër vendos vetëm presidenti i Luganos”, ka përfunduar Sadiku. Sulmuesi është aktivizuar në pesë ndeshje me Kombëtaren shqiptare, me të cilën ka shënuar edhe një gol.

Previous articleMagani: Duhet të rimarrim vendin e dytë
Next article“Ankthi i nënës”, surpriza e shkrimtares Laureta Tragaj mes dilemës së instiktit të dashurisë mes nënës e birit