Home Dossier Sadik Sukaj, njeriu që me fjalën e tij plot shpirt, diti të...

Sadik Sukaj, njeriu që me fjalën e tij plot shpirt, diti të ngrejë peshë shpirtërat e njerëzve

sadik sukajNga Zyhni Beqiraj / Sadik Sukajn, një ndër njerëzit më populorë gjatë viteve ’70, por dhe më pas, pata rastin ta njoh dhe të ndërtoj marrëdhënie shoqërore me te, në rrethana të caktuara, kur me vullnetin tim të plotë, “ u përfshiva në kudhrën revolucionare “ të sistemit monist, kur bashkë me familjen në fshatin Luz i Vogël si mësues, ku jo vetëm punuam e jetuam, por rritëm edhe djalin e madh, Mentorin, duke e sjellë 3 vjeç nga fshati. Si ne kishte dhe të tjerë, të rinj dhe të reja, djem vajza, burra, gra që shkonin dhe vinin apo flinin atje duke punuar si mësues, mjekë, ekonomistë, agronomë, veterinerë, zooteknikë, stomatologë, pse jo dhe inxhinjerë. Nuk mungonin aksionistët e rij dhe të moshuar, madje edhe nga klasa punëtore të profesioneve të ndryshme, që vinin në drejtim dhe në ndihmë të ekonomive bujqësore. Mes tyre kishte punonjës kulture etj. Të gjithë me pasion, në punën për të kryer të gjitha detyrat e tyre të ngarkuara, kontribuonin me ndërgjegje, por njeherësh me veshët ngritur duke mbajttur në qëndër të diskutimeve e të debateve aktualitetin dhe zhvillimet politike, duke jetuar me situatat etj, por ndër të tjera edhe temën aq të këndëshme për kohën, të lëvizjes së njerëzve, pra kuadrit; “ kush iku dhe kush erdhi “, kush e ka rradhën për t’u transferuar”, “ sa doli dita e punës”, “ sa lekë për ditë pune do të ndajnë sivjet “, “u shkarkua X brigadier” etj, etj, siç ishte koha. Sadik Sukaj, aso kohe ishte emëruar, Kryetar i Kooperativës Bujqësore Kryevidh. Unë kisha dëgjuar për te në Durrës, pasi qarkullonin shumë fjalë të mira, në rradhë të parë për vlerat si njeri, shpirtin e tij të dhemshur, punëtor dhe njeri i sakrificës, mbi të gjitha, njeri mjaft I hapur e mjaft komunikues, babaxhan siç thonë në gjuhën popullore. Me që rruga për në Kryevidh kalonte mes për mes Luzit të Vogël, lëvizja e tij me makinë nuk i shpëtonte syrit të njerëzve, luzianëve, që thonin; “ Iku Diku në Kryevidh” ose “ Kaloi Diku”. I thashë këto mbasi ai, aso kohe, ishte kthyer në njeriun për të cilin me të drejtë flitej më shumë, por, kuptohet veç për mirë. Kohët kalonin dhe për Sadikun gjithmonë e më tepër flitesh, diskutohesh si njeriu më i veçantë, që dinte të rrëmbente zemrat e njerëzve, t’i organizonte e t’i drejtonte ato në punë duke i krijuar atyre një mirëqenie të lartë për kohën , për më tepër në fshat në një kooperativë malore. Kooperativa e Kryevidhit kishte rezultate shumë të larta, në prodhim, rendiment, vlerën e ditës së punës, çka për popullin ishte më e rëndësishmja. Kur ndalonte të shumtë ishin ata që nxitonin për t’i “vjedhur” një përshëndetje, për të biseduar, apo për të pirë një kafe me te në se ishte e mundur, etj. Sidomos ndërmjet fshatarëve kjo ishte një gjë e rëndësishme, pasi kushdo do të kishte arësye të krenohesh duke e konsideruar vehten si miku i afërt i tij. Por, kush ishte Sadik Sukaj? Sadik Sukaj lindi në qytetin e Kavajës më, 10/11/1934, në një familje patriote e ardhur që nga viti 1878 në Shqipëri nga rrethinat apo troje shqiptare në prag të rënies së këtyre krahinave nën Malin e Zi. Fundi i viteve të shekullit 19-të, do të shoqërohej me ngjarje të mëdha , por dhe shumë të hidhura për historinë e kombit tonë. Troje shqiptare do ti aneksoheshin vendeve apo shteteve fqinj. Shqiptarët nuk e duronin këtë dhe në kushtet ekstreme e të pamundësisë për të rezistuar u nisën drejt shtetit amë, Shqiperisë. Kështu bëri dhe familja Sukniqi. stërgjyshi i Sadikut,Mustafa Sukniqi, i cili emigroi në fillim në Shkodër si shumë familje të tjera. Në Shkodër, familja Sukniqi, apo Sukaj siç do thirrej më pas, do të ndërtonte jetën e saj mbi traditën familjare , ate të punëve në bujqësi, sidomos në kultivimin e bimës së duhanit. Pas shumë vitesh, familja shpërngulet dhe vjen drejt Tiranës, duke ruajtur marrëdhënien tradicionale të familjes së madhe brenda saj, por njëherësh duke zhvilluar e ruajtur traditën në mbjelljen, kultivimin, e përpunimin e bimës së duhanit. Gjyshi, Reshiti, një burrë sa punëtor aq dhe i urtë, diti të drejtojë e orjentojë familjen e madhe në ruajtjen jo vetëm të traditave, por mbi të gjitha në drejtim të vlerësimit të jetës e angazhimeve për ta ndërtuar e përballuar ate me punë, dinjitet dhe gjithmonë me ndershmëri dhe fisnikërisht me dashuri e marrëdhenie të sinqerta me njerëzit. Ky ishte mjedisi familjar dhe tradita familjare e edukimit nëpërmjet të cilës u rritën brezat, pra dhe Sadiku. Me kohën, duke vlerësuar vështirësitë që sillte puna në kultivimin e bimës së duhanit kryesisht , por edhe në kultura të tjera, pjestarë të familjes fillojnë ti largohen pak nga pak traditës duke ushtruar profesionin e mekanikut, elektro-mekanikut etj, ndonëse bujqësia nuk do ti ndahesh, pasi në një formë apo tjetër puna dhe angazhimet në këtë sektor jetik do ti mbante të lidhur si, Bajramin, i vëllai, që punoi Kryetar Kooperative, ashtu dhe Sadiku më vonë etj. Vitet shkojnë e Sadiku rritet në një familje tradicionale shqiptare me traditat e trevës nga vinin të parët e tij. Nën ndikimin e plotë të edukimit me ndjenjat fisnike, falë dhe tipareve, karakterit, kondicionit të tij shpirtëror, natyrës se qetë, i vëmëndshëm, që pëlqen më shumë të dëgjojë siç bën dhe sot ,i dashur dhe shumë i dhemshur, krenar por dhe shumë punëtor, ai shumë shpejt do të tregonte vlera të veçanta. Do të mësonte, por njëherësh do të ishte shumë I lidhur me punën. Sadiku mbaron shkollën për elektro-mekanik dhe pas mbarimit të saj punon në Hekurudhë, një nga sektorët apo Ndërmarrjet e mëdha në vend. Mbas disa vtesh punë, falë rezultateve, korrektësisë, marrëdhënieve me njerëzit, vlerave të tij, në vitet 1952-1955 dërgohet për specializim në Poloni për elektro-mekanik. Me mbarimin e specializimit për vite të tëra punon në Minierën e Kërrabës, në N.SH.R.M.N. Durrës etj. Gjatë tërë kësaj periudhe pune, Sadiku dallonte nga të tjerët , me përkushtimin e pashoq, profesionalizmin, ndërgjegjën në punë, marrëdhëniet korrekte me shokët, shpirtin e sakrificës dhe dashurinë për të tjerët ,me të cilët punonte apo ishte në marredhënie pune. Sadiku, i qetë nga natyra shquhej ndërmjet shokëve. Punëtor por dhe i palodhur gjithmonë pasi dinte që të harmonizonte shumë mire marrëdhëniet e punës me ato shoqërore, të ishte i gatëshëm për çdo punë e detyrë, e t’I realizonte ato me cilësi Ai ishte një organizator shumë i mirë, gjithmonë i matur dhe dinte të rrëmbente shpirtërat e njerëzve. Këto virtyte, si dhe vitet e përvoja në punë, kultivojnë cilësi tek ai, duke e kthyer në një organizator jo vetëm të aftë profesionalisht ,por mbi të gjitha një drejtues shpirtëror, që dinte të nxiste , pse jo të rrëmbente zemrat e njerëzve, t’u fliste gjithmonë me shpirt, shpirtit të tyre. Cilësitë e virtytet e larta shpirtërore e humane, fjala e thjeshtë dhe e ëmbël, bindëse e inkurajuese, nxitëse e frymëzuese, do të bënin që gjithë jetën e tij kudo ku punoi , Sadiku të ishte tashmë një ndër drejtuesit më popullorë e më të suksesëshëm të kohës. Thjeshtësia, maturia, tendenca për të dëgjuar e respektuar njerëzit e mendimet e tyre ja rriten autoritetin edhe për faktin tjetër se ishte njeri shumë I drejtë. Ai dinte gjithmonë që të orientohesh nga pozitivja, prandaj ishte i drejtë, i gjindshëm me njerëzit edhe kur ato gabonin. Një herë më thonte një shok tek bisedonim për Sadikun, “ Ai është njeri shumë i madh, këshillues i papërtuar, por dhe shumë i thjeshtë, por që aso kohe dhe dinte që të falte.” Jeta e tij për shkak të detyrave e përgjegjësive që mori që nga viti 1972 e deri sa doli në pension, është një kontribut i pashoq ndershmërie, përgjegjëshmërie për detyrat që kreu, njëherësh shembull i njeriut me shpirt të madh që don dhe din të respektojë dhe të ndihmojë të tjerët. Në biseda të çiltërta me te, shpesh më tregonte për vështirësitë e punës në Kooperativën e Kryevidhit. Dashuria për punën, respekti për njerëzit me kontribute ishte cilësi e rrallë e tij . Unë jam ndjerë mirë tek e dëgjoja të më thonte se, vërtet Kooperativa ka rezultate, por bazat e kësaj pune e të këtyre rezultateve i ka hedhur Fuat Bilali në kohën kur ishte Kr/Agronom në kooperativë, pasi e nxori nga një prapambetje e skajshme. Respekti për kolegët si Isuf Isufi, Enver Isufi Isuf Xhemani, Jorgji Mina, Shefki Peza, Xhavit Elezi, Todi Martini etj , etj si specialistë në fushën e bujqësisë, tek bisedonim edhe mbas shumë e shumë vitesh, më impononte respekt për këtë njeri të thjeshtë që e ka të lehtë të flasë për të tjerët dhe jo për vehte. Aso kohe, kur njeherësh punonim në fshat ndonëse ai me detyra te rëndësishme, Kryetar Kooperative apo Sekretar Byroje e unë një mësues I thjeshtë “ në kudhrën e kalitjes “ , në shumë raste rrinim e bisedonim bashkë. Sadiku impononte respekt. Një ngjarje e pazakontë, tejet e guximshme do të trondiste opinionin mbarë. Në kushtet e vështirsive ekonomike që kalonte Koop. Luz I Vogël, do të ndihmohesh me 1800 Kw misër për bukë për popullin, nga fqinja e saj Koop. malore e Kryevidhit, që ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike. Dhe kjo bëhesh me inicitivë të Sadik Sukajt, jasht kopetencave ligjore të tij si Kryetar Kooperative, pasi për sasinë në fjalë duhej vetëm Vendimi i Këshillit të Ministrave. Mirënjohja e luzianëve ishte pa kufi për njeriun e thjeshtë të punës e të rezultateve, pasi Ekonomia që ai drjtonte ishte ndër më të mirat jo vetëm në Durrës, por dhe në shkallë vendi. Kështu do të vepronte gjithmonë ai, pasi ne tërë qenien e tij ishte formuar dhe i prirë për të ndërrmarrë iniciativa të guximshme kur lypej dhe ishte në dobi dhe në interes të njerëzve edhe kur këta gabonin. Për shkak të natyrës së tij të hapur dhe tejet komunikuese, Sadiku për sa kohë që ishte në Kryevidh, ndërtoi dhe vendosi një standart të ri në marrëdhëniet e komunikimin me vartësit po se po, por dhe njerëzit e thjeshtë, antarët e kooperatives. I begenisur dhe gjithmonë pranë tyre , ai arriti që kërkesat për disiplinën dhe ndërgjegjësimin e njerëzve të harmonizoheshin. Edhe pse drejtimi siç dihet ishte politik, punët, detyrat kryheshin apo realizoheshin në përputhje me mendimin e njerëzve të thjeshtë. Sadiku dinte që të bënte e ti kthente detyrat e realizimin e tyre, pjesë të ndërgjegjes së njerëzve. Me natyrën e tij si njeri babaxhan, dinte të bënte njerëzit për vehte. Kështu punoi për 5 vjet, duke siguruar jo vetëm respektin e banorëve të Kryevidhit, por edhe te realizonte detyrat, të mbante në kuota të larta e t’i çonte më tej treguesit, të siguronte mirëqenie, standarte për kohën, këto krahasuar me ekonomitë e tjera bujqësore. Për tërë treguesit jo vetëm që nderohet nëpërmjet dekorimeve të ndryshme me urdhëra pune, medalje , por dhe transferohet në detyrën e Komisarit në anijet e Flotës Tregtare, në fillim ate Skëndërbeu e më pas në transoqeanikun Vlora, detyrë tejet specifike për sektorin dhe detyrat që realizoheshin në kuadër të të gjitha llojeve të vështirësive. Edhe pse në flotën tregtare aso kohe njerëzit zgjidheshin me kujdesin më të madh, veçoritë e punës padyshim që krijonin shumë problem, por që duheshin kapërcyer. Njëherësh shumë larg dhe shumë afër vendit, njerëzve, familjes, jetës, halleve eproblemeve, gëzimeve pasi anija ishte si shtëpia, e njerëzit, (ekuipazhi ) pjestarë të saj etj. Në det të hapur mbi valë e nën qiellin shpesh plot re, jeta e puna aq shumë pranë e të lidhura me njera tjetrën sillte shumë andralla, stres dhe vështirësi të pa shoqe. Edhe pse në vështrimin e parë mund të dukej si një nga punët që siguronte vërtet të ardhura, nuk ishte kështu. Tek e pyesja një herë Sadiku më tregonte se; “ për 10 vjet pune në det si komisar kam realizuar afro 120 rrugë, udhëtime, jasht shtetit. Për këte periudhë djetat e mia në total nuk kalonin 700-800 $ ( amerikan ), në total pra mesatarisht, as 10 $ për çdo udhëtim.” “ Udhëtimet më të vështira të realizuara , thotë ish komisari , nuk ishin ato që lidheshin vetëm me largësinë, por dhe me detyrën që kishim, pra duke filluar që nga ngarkesa që do të transportonim. Ndonëse ne eksportonim mallrat e prodhuara në vend si , pijet alkolike, salca, bimë medicinale, qymyr guri, krom, hekur nikel, etj, etj, dotë sillnim në Shqipëri, vagona, llamarina, profile etj. Për të gjitha kërkohej kujdes I veçantë “ . Aso kohe çdo mall kishte “ pasaportë “ politike. Janë tepër të gjalla kujtimet për punën e jetën në det, por njëherësh dhe respekti për tërë shokët si Kapitenët: Qemal Hate, Viron Sadiraj, Qemal Sharkiqi, Enver Gucia,etj , të tjerë drejtues të rëndësishëm në detyrat që kryenin si Enver Muzhaqi, Teodor Kostafillaku, Haxhi Kacani, Pavllo Minga, Pandi Golemi Met Ypi, etj por mbi të gjithë kujtimi për detarët ulqinakë si; Mustafa Stari, Skënder Aga, Osman Fjerza, Muhamet Xheladini, Ruzhdi Xhura, Skender Suka, të cilët dallonin nga të tjerët pasi mbartnin traditat familjare të detarisë etj . Me punën e palodhur ditë e natë, gjthmonë korrekte, ekuipazhet e anijeve, Skënderbeu , Vlora, Arbëria, nuk krijuan asnjëherë problem, por vetëm nderim e respekt për vendin, flotën, vehten pse jo dhe familjen. Jeta dhe puna në det aq shumë të lidhura me njera tjetrën, nuk kalonte pa vështirësi. Ngjarje të veçanta që kërkonin profesionalizmin por dhe qetësinë e maturinë si ajo e qendrimit afro 24 orë në det të hapur në kushte e bllokimt dhe të fikjes së motorit të anijes, Arbëria, kanë kaluar pa incidente. Sadiku ndjehet krenar tek tregon për respektin qe tregonin Agjencitë e Huaja për punën që bënin. Ishin vlerësimet, ftesat si ajo e Agjencisë malteze “ Ronosons “ në 100 vjetorin e themelimt të saj, marrëdhëniet me portet e huaja, kapiteneritë e doganat të vendeve ku jemi ankoruar, që tregonin se sa të rregullt e korrekt ishim. Me nostalgji Sadiku tregon se asnjeherë nuk kemi patur raste të kontrabandës, dënime për ngjarje të jashtzakonshme e të dënueshme. Anija Vlora, Skënderbeu, ishin anijet figurë të Flotës Tregtare. Për shkak të detyrave të realizuara Anija Vlora mori titullin “ Heroinë e Punës Socialiste “, nderim që patjetër ishte për të gjithë ekuipazhin. Padyshim për Sadikun, për shkak të detyrës si komisar vapori puna nuk e ishte e lehtë. Por falë aftësive, shpirtit, ndjenjës së përgjegjësisë, marrëdhënieve me ekuipazhin, qetësisë e forcës bindëse, besimit që ngjallte tek njerëzit, maturisë, aftësisë për të komunikuar e për të dëgjuar të gjithë, ai ka mundur të përballojë dhe vështirësitë që sillte puna në det edhe në rastin e veçantë kur u larguan pa leje katër marinarë.Dhuratat që sillnim ne aso kohe kujton Sdiku si, Letra bixhozi, çamçakiz, sapun me erë, ndonjë pulovër etj ishin tejet të fisëshme, të cilat pëlqeheshin nga të gjithë, në veçanti nga të rijtë. Udhëtimet në Maltë në mbi 13 herë për të dërguar çimento, ato në Greqi, Itali, Poloni, Vendet Nordike, Egjypt, Cubë, Kinë etj në mbi 120 rrugë, janë një jetë e tërë pune, sacrifice, pse jo dhe gëzimi e sadisfaksioni për Sadik Sukajn, janë një pjesë e jetës së tij të gjallë më përkushtim e devocion që ka kryer duke qenë gjithmonë në marrëdhënie shoqërore e korrekte me njerëzit. Ai ndjen nostajgji për punën e tij, shokët e tij për gjithçka kanë bërë së bashku. Dhe sot në shoqërinë e Sadik Sukajt, të këtij njeriu të thjeshtë, korrekt e të dashur ndjehem mirë. Me te tek bisedoj dhe kafeja më shijon më shumë edhe për shkak se i pëlqen të flasë e të kujtojë me respekt të veçantë shokët, miqtë e shumtë që ndonëse nuk i ka pranë të gjithë se kështu është jeta, gëzon pët ta kur janë mirë. Sadik Sukaj, ky njeri me shpirt të madh, me punën, jetën dhe historinë e saj, më bëri të sjell në mendje me respekt njerëzit me të cilët në të njejtën kohë punuam bashkë në fshat si, mësuesit, Arjeta Cyçja, Violeta Nina, Mirvana Kalaci, Xhulieta Pupi, Përlat Cenosinaj, Vladimir Flamuri, Petrit Zeneli, Luljeta Muça, Bashkim Muzhaqi, Suzana Shkreta, Vangjel Tati, Agim Haveriku, Lefteri Pici etj, mjeken Anila Selimi, stomatologen Feride Tirana, Ing. ndërtimi Faruk Drishti, agronomët ulqinakë,si Asllan Bajrami ( Krye/Agr i Koop), Nevzat Luli (Përgj Sekt/Perimore ), etj, financierin Hysen Bega, të cilët me ndërgjegje e përkushtim në kushte të vështira punonin në fshat. Ne ishim disa, por shumë e shumë të tjerë si ne, në fshatra e rrethe të tjera e kaluan një pjesë të jetës me punë, ndërgjegje e përkushtim larg familjes. Ndaj të sjellësh në kujtesë ata, është njëlloj si të sjellësh në kujtesë një pjesë të mundit, punës e të përkushtimit të njerëzve të thjeshtë. Ky është respekt dhe nderim për saktificat e tyre, që punuan me ndërgjegje të lartë, pse jo, shpesh në kushte të vështira.Sadik Sukaj ishte njeri prej tyre që me fjalën, shpirtin, shembullin punoi e gëzoi respekti e të gjithëve.

Previous articleSheta: Nuk na tremb Skënderbeu
Next articleKur luhet në shilarse elektorale