Home Kulture Rudi Sata: Apeli im ndaj ministres Margariti, bëj detyrën si shtetare dhe...

Rudi Sata: Apeli im ndaj ministres Margariti, bëj detyrën si shtetare dhe merr kurajon të ndryshosh ligjin mbi artin dhe kulturën

Tenori Rudi Sata këtë fillimviti i është drejtuar ministres së Kulturës me një letër, ku kërkon ndryshimin e ligjit mbi artin dhe kulturën. Në letrën publike drejtuar ministres Elva Margariti tenori kërkon dhe statusin e artistit, shpërblimin e figurës artistike, etj. Në intervistën për gazetën “SOT” tenori Rudi Sata thotë se problemet në art dhe kulturë kanë vijuar prej vitesh, por shkak ka qenë infrastruktura ligjore dhe politikat, që janë ndjekur nga Ministria e Kulturës. Tenori Rudi Sata thotë se institucionet në vendin tonë vazhdojnë akoma të funksionojnë me ligjin nr. 10 352 të vitit 2010 për artin dhe kulturën, por duhet një ligj i ri pasi është denigruar figura e artistit.

-Në ditët e para të këtij viti që ka nisur ju ishit në Ministri të Kulturës, për një letër drejtuar ministres Margariti me disa kërkesa. Ju keni reaguar dhe më parë për problemet e artit dhe kulturës, por pse vendosët tani të shkoni në ministri?

Mora vendimin për ta protokolluar tani letrën, sepse ka nisur dhe sezoni artistik në institucionet tona të artit dhe kulturës. Dhe normalisht  çdo ministër te kryeministri shkon për ta vulosur atë që ata kanë si prioritet. Unë e dorëzova në Ministri të Kulturës në datën 5 janar dhe e protokollova këtë shkresë, sepse ju e dini që kam vite që e ftoj ministren e Kulturës Elva Margariti dhe stafin e saj në një debat publik. Jo për interesin tim personal, por për interesin e institucionit. Për interesa gjithëpërfshirëse për institucionin, komunitetin dhe për shoqërinë. Kjo rrugë që ndoqa unë është një sinjal për ti thënë shoqërisë, që nuk duhet të heshtim dhe duhet të reagojmë për ato problematika që duhen trajtuar. Jo duke bërë rolin e kritizerit, por duke bërë rolin e një qytetari të përgjegjshëm dhe të mbjellim kulturën e përgjegjshmërisë.

-Sa shpresoni se do të dëgjohet zëri juaj për këto kërkesa këtë radhë?

Të jem i sinqertë unë nuk pres asnjë sinjal pozitiv nga ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe stafi i saj, sepse unë ia kam deleguar edhe ministres, por kryesisht departamentit juridik. Unë e protokollova, që të mos thotë nuk keni ardhur. Unë uroj që ministrja të reflektojë, por nuk pres ndonjë reagim. Unë këtë e bëra, sepse pas këtij hapi të parë ka një hap të dytë, që është nisma që unë do të filloj lobimin për ta goditur në parlament ligjin për artin skenik, për ta abroguar. Dhe një nga pikat në letrën dërguar ministres është, që të bëhemi bashkë të lobojmë në parlament, në Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për ta abroguar ligjin 10 352. Apeli im ndaj ministres Margariti, bëj detyrën si shtetare dhe merr kurajon dhe ndrysho ligjin mbi artin dhe kulturën në parlament.

-Në letër ju keni disa kërkesa dhe përveç ligjit mbi artin dhe kulturën, për çfarë tjetër i jeni drejtuar ministres?

Në letër e para është alarmi që ngre unë në lidhje me problematikat në infrastrukturën ligjore sot, që është gangrena. Nëse themi që artisti është skllav dhe institucioni jonë nuk ka kriteret dhe standartet sipas BE, është pikërisht sepse është kjo korniza ligjore, kjo infrastrukturë ligjore që fillon që me ligjin për artin skenik. Unë i jam drejtuar ministres Elva Margariti siç i kam thënë dhe më parë ish ministres Kumbaro, ta përkthejmë dhe ta çojmë në BE, por do jetë ngelëse në klasë dhe do çuditen, do thonë çfarë është ky ligj qesharak. Ligji 10 352 mbi artin dhe kulturën i vitit 2010 mbron dhe një skenë korruptive. Ndaj unë i drejtohem ministres delegoje te departamenti juridik dhe do shikoni, që aty ka një skemë mafioze korruptive, që duhet eliminuar. Pikë tjetër, ndani pushtet. Opera nacionale është pa drejtor artistik. Kush po e bën rolin e  drejtorit artistik? Kërkoj që drejtori artistik të zgjidhet me votë nga komuniteti artistik, nëse duan të ndajnë pushtetet. Pikë tjetër, statusi i artistit. Ne kemi që në vitin 2014 vetëm fjalë dhe asnjë nen për statusin. Kam kërkuar ndërhyrje në rregulloren e brendshme të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP). Kam kërkuar në letër ndryshimin në strukturë dhe në organigramë të operës. I drejtohem zonja ministre ndryshoni strukturën, sepse është tipike e stilit bolshevik dhe organigramën e operës ndryshojeni dhe shtoni vende të reja pune me artistë shqiptarë, të rinj shqiptarë. Jo ti marrin nga jashtë. I bëj apel ministres përpara se të punësosh të huaj, sot ke detyrim ligjor të punësosh dhe të bësh politika për integrimin e artistëve të rinj. Të shtojë organikën dhe të hapë vende të reja pune në kor, orkestër, balet dhe të marrë artistët nga akademia. Ngritja e një grupi ekspertësh ad hoc, të cilët do të trajtojnë të gjitha problemtikat e TKOBAP. Rregulloren nuk mund ta bëjë vetëm titullari apo organigramën. Ministres i kam kërkuar, që nëse do një platformë dinjitoze duhet të thërrasësh ekspertët në një tryezë të rrumbullakët. Kam kërkuar dhe ndryshimin e ligjit të sponsorizimit, që nuk ka lidhje me traditën dhe zakonet profesionale të institucionit tonë. Ministres së Kulturës i kam kërkuar gjithashtu që dhe të shtohet buxheti. Pikë tjetër, në TKOB ka një bord të jashtëm artistik, kush i propozoi emrat? Me ligjin tonë e ka titullari, por është konflikt interesi. Një tjetër çështje në letrën drejtuar ministres është që i kam kërkuar dhe rishikim të kontratës kolektive, sepse është jetike për artistin. Kjo kontratë kolektive nuk e mbron artistin. Po ashtu në letër shprehem dhe mbi drejtën e autorit që është problem, sepse nuk ndihet fare nëse ekziston apo jo për artistin.

-Pse nuk e mbron kjo kontratë artistin sipas jush?

Këtë ia kam konkretizuar edhe ministres së Kulturës. Kur unë them që duhet riparë kontrata dhe kjo lidhet dhe me rregulloren, sepse rregullorja elementët bazë i merr nga kontrata. Unë i bëj një pyetje ministres Margariti: A dini gjë ju se në cilën datë e muaj e fillon dhe në cilën datë dhe muaj e mbaron lejen e zakonshme vjetore artisti? Nuk është e vendosur. Kjo normë pune do jetë mbi tekat e titullarit apo sipas ligjit.

-Për çështjen e kontratës është folur jo pak disa vite më parë, por artistët e firmosën. Çfarë mund të na thoni?

Për mua ajo kontratë u firmos në terr, në presion ndaj artistëve. Kontratën kolektive bashkë me rregulloren unë do ta çoj në gjykatën administrative. Me ato elementë përbërëse që ka ajo kontratë, kur të dojë shkurton vendin e punës.

-Ju i jeni drejtuar ministres dhe për rishikimin e figurës artistike. Çfarë kërkoni?

Të bëhet nul VKM-ja me numër 1973, që është që në vitin 2009. Unë i bëj apel ministres, që të rikthejë shpërblimin e figurës artistike për artistët.

-Ju jeni tenor dhe punoni në TKOB, por është një institucion që siç publikon herë pas here dhe në rrjete sociale ka sjellë dhe produksione të suksesshme në skenë për publikun. Por bëhen me dije dhe angazhime të të rinjve herë pas here. Çfarë mund të na thoni?

Unë kërkoj që të shtohet organigrama, të shtohen vendet e punës me idenë që të vijnë dhe të bëhen politikat e integrimit të artistëve të rinj.

-Ju dhe më parë keni shprehur kritika ndaj punës së bërë në lidhje me politikat mbi artin dhe kulturën nga ministrja, sipas jush çfarë ka munguar?

Jam shprehur, sepse është e paaftë bashkë me stafin e saj. Dy gjëra janë, ose ka mungesë vullneti për të bërë gjërat ose është e paaftë për politikat e artit dhe kulturës, ka një staf mediokër. E bëri ligjin për artin skenik? Jo. U bë statusi i artistit? Jo. Çfarë ka bërë?

-Ministrja Margariti e ka përmendur TKOB si investimi më madhor i qeverisë…

E kam kundërshtuar me fakte për atë që është bërë. Nuk është rikonstruksion. Është multifunksional. Një pikë tjetër që kam shkruar në letër është që Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit i ka humbur autonomia, statuti i operës, sepse bëhen dhe panaire në holl.

-Jemi në fillimet e këtij viti, çfarë shpresoni që të ndryshojë për artistët?

Nëse nuk ndryshon infrastruktura ligjore dhe nuk bëhet statusi i artistit, artisti thjesht është pasionant dhe gjej rastin ta falenderoj për përkushtimin dhe emocionin që i dhuron publikut, sepse në kushtet që i ka ofruar institucioni është e pamerituar për artistin, është një padrejtësi.  Beteja ime nuk mbaron me kaq me letrën në ministri. Unë do të filloj të loboj me deputetët, që janë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për ta abroguar këtë ligj.

Previous articlePartia Demokratike dhe zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023
Next articleVitet e punës dhe mosha/ Si ndryshojnë kushtet për pension, dy muaj të tjerë rritje për gratë