Home Kosova Rrugëtim 10-vjeçar për Ushtrinë e Kosovës

Rrugëtim 10-vjeçar për Ushtrinë e Kosovës

Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota. Kështu, të paktën parashihet me fillimin e transformimit të saj përmes tri ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë ka filluar një transformimi i rregullt i FSK-së.

“Tranzicioni i Forcës së Sigurisë është i paraparë që të zgjasë 10 vjet. Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë. I tërë procesi është i paraparë në tri faza, faza e para 7 plus 3. Faze e dytë është 3 deri në 6 dhe e treta është 7 deri në 10 vjet. Ky është një proces që është hartuar edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me ekspertët e tyre, me ekspertët tanë dhe mendoj se ky proces do të jetë transparent edhe me shtete mike dhe partnerët”, tha ministri Berisha.

Procesi i transformimit, pritet të kalojë përmes zbatimit të tri ligjeve tashmë të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ku bëjnë pjesë, Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës, kaloi mes polemikave të shumta. Në planin e brendshëm, ky transformim nuk e ka mbështetjen e deputetëve serbë, të cilat mbështesin politikat zyrtare te Beogradit, i cili po ashtu është kundër Ushtrisë së Kosovës./ rel