Home Slideri Rruga e Plazhit në Durrës shpartallohet gjithandej

Rruga e Plazhit në Durrës shpartallohet gjithandej

rruga Plazh Nga Xhevo Gradica /  Investimi në shtrimin e tubacioneve për kolektorin kryesor të ujrave të zeza rrezikon të rrënojë plotësisht rrugën e Plazhit. Punimet kanë filluar prej disa vitesh ndarë në disa faza dhe tani projekti gjendet në fazën përmbyllëse. Pikërisht përmbyllja e investimit ka rritur edhe pasigurinë. Rruga që nis nga Plepat dhe deri pranë Urës së Dajlanit është çarë mes për mes dhe tubacionet janë futur rreth 2 m thellësi në të djathtë. Në vende të ndryshme janë hapur puseta shumë të mëdha me një thellësi deri në 4 m dhe si punimet edhe gërmimet janë bërë me mjete të rënda. Përdorimi i tyre ka dëmtuar rëndë asfaltin që është plasaritur dhe çarë gjithandej. Kantieri firmës ka marrë përsipër për të bëjë rehabilitimin e plotë të të gjithë segmentit të dëmtuar. Asfalti ëhstë prerë në një gjerësi 2.5m -3 m dhe kanali hapur është mbushur me zhavor e rërë të imtë. Punimet dhe tranporti me mjete të rënda ka bërë që toka në lëvizë në shumë vende, në një kohë që dëmtime kanë pësuar sistemi kanalizimeve të ujit të pishëm dhe rrjeti elektrik e telefonik. Për disa muaj segmenti nga Plepat drejt Durrësit është bllokuar për qarkullimin e mjeteve pasi në këtë gjatësi prej 2.5 km është shtrirë rrjeti i ri. Projekti merr përsipër të zgjidhë çështjen e disiplinimit të ujrave të zeza në zonën turistike nga Mali Robit deri në periferi të Durrësit duke përshkuar Shkëmbin e Kavajës, Plazhin e madh të Durrësit, Shkozetin, Kënetën për t’u derdhur në landfildin pranë Shën Vlashit. Kjo do të bëjë të mundur që ujrat e zeza të mos derdhen më në det duke bërë të mundur rritjen e frekuentimit të plazheve massive nga pushues vendës dhe kosovarë. Ndërsa projekti thuasje është mbyllur, çështje dite është rehabilitimi gjurmëve nga ku ka kaluar rrjeti i ri i tubacioneve. Veç asfaltit dhe rrugës dëmtime serioze kanë pësuar edhe trotuaret në të djathtë të rrugës që vjen nga Plepat. Pllakat e trotuareve janë shembur dhe çarë ngado dhe të njëjtin fat kanë pasur edhe kanalizimet e ujrave të bardha. Firma mësohet se ka deklaruar se do të mbyllë sipas kontratës punimet, megjithatë duhet pritur edhe disa ditë për të parë se çfarë do të ndodhë realisht. Ngulja e pilotave në thellësi të mëdha dhe presioni i ushtruar nga çekiçë pneumatik ka dëmtuar një rreze të madhe toke duke kapërcyer kufijtë e gjurmëve të parashikuara. Shembjet e tokës janë shoqëruar me pasoja të mëdha të cilat do të kërkojnë fonde të mëdha për ta rikthyer rrugën në gjendjen e parainvestimit. Shpartallimi rrugës pritet të ndikojë për keq me fillimin e sezonit veror. Trotuaret, asfalti dhe kanalet anësore si dhe infrastruktura nëntokësore ka nevojë për t’u riparuar. Nëse kjo nuk do të ndodhë sa më parë harta e dëmtimit do të shtohet ditë pas dite. Përfaqësues të bashkisë së Durrësit dhe ata të ministrisë së linjës kanë dërguar në terren specialist për të parë jo vetëm ecurinë e investimit, por edhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme.

Previous articleXhaxhi militanti denoncim në polici: Arrestoni qentë se Kilja të rruan trapin
Next articleZgjedhjet, përse dreqin jo si festë, por si betejë?