Home Ekonomia Rriten importet e karburantit, bien të cigareve në 7-mujor

Rriten importet e karburantit, bien të cigareve në 7-mujor

Në janar të këtij viti, importet e cigareve shënuan rritje jo të zakontë me 168 për qind ne krahasim me janarin 2022. Burimet zyrtare nga doganat e arsyetuan këtë rezultat me luftën ndaj kontrabandës, dhe me efektin pozitiv të fiskalizimit. Por ajo që ndodhi në muajt e mëvonshëm, përmbysi jo vetëm rezultatet e janarit, por edhe vrullin e fiskalizimit dhe antikontrabandës.

Në janar-korrik 2023 importet e cigareve kanë shënuar një rënie me -4.5% në krahasim me 7-mujorin 2022. Importet e cigareve ishin në rënie sistematike nga 2015-2021. Qeveria e lidhi këtë rënie me forcimin e legjislacionit kundër duhanpirjes, çka solli rënie të konsumit. Por në 2022 pati një rritje jo të zakonte të zhdoganimeve te cigareve në sasi me 11.7% edhe pse artikujt tjerë të konsumit shënuan rënie të ndjeshme të importeve si rrjedhojë e rritjes së çmimeve ne tregjet globale. Janari i vitit 2023 nisi mbarë, por importet e cigareve nisen rënien në muajt pasues.

Nga ana tjetër importet e karburanteve dhe birrës ishin në një trend të kundërt, duke shënuar rritje të importeve në 7 mujor. Në janar-korrik 2023 u importuan 343 mijë tonë karburante me rritje vjetore 10%. Burimet nga tregu pohojnë se ka përmirësim për shkak të rritjes së konsumit nga rënia e çmimeve dhe shtimit të qarkullimit nga turizmi.

Karburantet dhe cigaret janë dy mallrat kryesore që kontribuojnë në të ardhurat doganore. Në 7 mujor u arkëtuan nga zhdoganimet e naftës dhe cigareve rreth 42 miliardë lekë ose rreth 400 milionë euro.

Me rritje rezultuan edhe importet e birrës. Doganat raportuan se u zhdoganuan mbi 30 mijë tonë në 7-mujor me rritje vjetore 8.5%. Nga taksa e zhdoganimit të birrës doganat arkëtuan gjatë 7 mujorit rreth 1,7 miliardë lekë ose rreth 17 milionë euro.

Rritja e importeve të birrës ka vënë në vështirësi prodhuesit shqiptare, duke ju marrë tregun vit pas viti. Këtë vit importet e birrës në gjysmën e parë të vitit të vitit zunë 60% të konsumit të tregut. Në vitin 2022, birrat e importit zinin 51% të tregut dhe në 2015-n, rreth 40% e birrave vinte nga jashtë.

Rritja e peshës së birrës së importit është ndikuar nga humbja e konkurrueshmërisë të birrës vendase. Në periudhën janar-maj 2023 prodhimi vendas është tkurrur 16% kundrejt së njëjtës periudhë të 2022.

Fabrikat vendase pohuan se po përballen me rënie shitjesh 15 deri në 30% krahasuar me vjet. Arsyet kryesore, sipas tyre, janë që birra shqiptare ka humbur avantazhin konkurrues të çmimit nga kostot jashtëzakonisht të shtrenjta të ndikuara direkt nga dyfishimi i akcizës, lëndës së parë, karburantit./Burimi i lajmit Monitor

Previous articleVOA: Shqipëri, aksioni i qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje kthehet në një flluskë
Next articleLojtari i Cincinnatit i kërkon autograf Leos, pas eliminimit të skuadrës së tij nga Interi