Home Intervista Rrëfehet Frrok Çupi: Torturat në Spaç, rebelizmi dhe kontributi im në dy...

Rrëfehet Frrok Çupi: Torturat në Spaç, rebelizmi dhe kontributi im në dy sisteme

 

 

“Nuk do të mbijetoja dot po të më detyronin të bëja diçka tjetër nga ky që jam sot”, kështu e përkufizon Frrok Çupi, rrugëtimin e tij profesional. Në një intervistë për Report Tv, me gazetarin Ermal Qori, publicisti i njohur tregon për herë të parë kohën e internimit në burgun e Spaçit, torturat që kryheshin atje nga regjimi i kohës  e deri te lufta  e fundit e atij sistemi mbijetues, në fillim të viteve 90!

Për herë të parë, Çupi sjell në vëmendje situatën kur ai ishte Kryeredaktor i Gazetës rilindja demokratike.Sipas tij, ditën që ra monumenti, situata qe e rëndë dhe u vranë njerëz… Ndërsa po atë mbrëmje teksa përgatiste gazetën për botim, Frroku rrëfen se i është komunikuar një porosi e veçantë nga doktor Berisha. Rrëfimin me detaje që nga ato vite e deri më sot, e gjeni të plotë më poshtë:

E nisëm edhe këtë herë në fakt me një personazh krejt ndryshe, siç është edhe publicist, po e quaj unë, zoti Çupi.

Faleminderit!

Jam në rregull me termin publicist?

Po, patjetër.

I përmblodha të gjitha?

Të gjitha, sigurisht.

Kënaqësi që ju kam, faleminderit!

Edhe për mua.

Ju si jeni si shofer?

Kam 30 vite që mbaj patentë, por besoj se jam shofer i mirë se nuk guxoj edhe nuk shpejtoj. Nuk kam bërë aksidente.

Kjo është gjë e mirë.

Nuk jam një njeri i pasionuar, siç kam ca miq unë që duan të udhëtojnë deri në Holandë etj., etj., por më pëlqen që të udhëtoj me makinë. Sidomos ditët e vjeshtës janë të mrekullueshme.

Besoj se nuk jeni frikësuar që jam unë në timon sot.

Jo, unë nuk jam frikësuar që të bëj emisione me ju, që janë makina më të vështira sesa këto makinat.

Faleminderit! Ndërkohë një personazh, po e quaj unë, në fakt për faktin e vetëm që ndërmjet dy sistemeve dhe në atë kohë kur ishte pikërisht ajo nisma e parë pas rrëzimit, të themi, të bustit apo koha e diktaturës dhe hyrja e demokracisë. Nëse do të khehemi pas vetëm me një fjalë, të paktën me një fjalë hyrëse ose fjali hyrëse, si e kujtoni atë kohë sepse sigurisht iniciativa juaj për të kontribuuar në jetën publike që aktualisht është e madhe, por nëse kthehemi në atë kohë si nisje, pra ju keni pasur një iniciativë për të qenë edhe një kontribues në formimin e Partisë Demokratike në atë kohë.

Ajo është një periudhë për të cilën jam i sigurt se, me aq sa kam folur edhe me miqtë e mi të kohës, është një periudhë plot lëng. Vërtet ishte diktaturë por në momentin që ne hymë në këtë histori për të bërë pluralizmin politik, shtypin e lirë, partinë opozitare etj., në atë moment ne ishim shumë vëllezër me njëri-tjetrin, ishim shumë të lirë me njëri-tjetrin dhe kjo është gjëja më e bukur që ka mbetur mes nesh. E para, pastaj nuk është më kryesorja. Kryesorja është se ndienim shumë, tentonim shumë, na donin shumë, por ne sigurisht kishim ardhur me kulturën tonë. Ishim mbledhur, e vërteta është se aq intelektualë sa kishte prodhuar Shqipëria u mblodhën aty në parti. Ishin 10 a 15 sa ishin, ata u mblodhën atje dhe d.m.th. qe ajka e asaj çfarë kishte prodhuar periudha e komunizmit. Por doja të thosha se siç erdhëm me naivitet në atë fushë, me sa duket, gjithë ai sistem iku me naivitetin tonë dhe njerëzit nuk është se që ditën e parë, njerëzit janë shumë të mençur, të mos i marrim ashtu, nuk është se që ditën e parë neve na pranuan ashtu, me fuqi të madhe. Por mbaj mend se më mbanin në rrugë, më ndalnin në rrugë më praktikisht pasi doli gazeta “Rilindja Demokratike” edhe kam disa impresione që, më thoshin: “Shiko, ne nuk jemi me ju, ne jemi të majtë, por do të votojmë për ju dhe kemi simpati për ju, se ju shkruani si italianët dhe flisni si italianët”. D.m.th. po provonim që të kishim një gjë ndryshe, një epokë ndryshe dhe një botë të lirë, përveç asaj që ishte frikë, por frika ishte gjëja e fundit për ne, për të thënë të vërtetën.

Kishte trembje?

Ishte shumë e frikshme. Unë kam provuar si kryeredaktor i gazetës “Rilindja Demokratike”, isha i detyruar që të kthehesha natën nga shtypshkronja, shtypshkronja ka qenë diku te Poligrafiku dhe kthehesha në këmbë sigurisht në orën 3-4 të mëngjesit. Në atë kohë, të ktheheshe në atë orë edhe t’ia thoshe dikujt që kthehesh në atë orë, s’do ta besonte. Por realisht ishte e frikshme. Na kërcënonin, na njoftonin se “kemi vënë bombë në selinë e “Rlindjes Demokratike”, të gazetës” etj. Ishte e frikshme, por po ju them një moment nga e tërë ajo histori. Ditën që ra monumenti i Enver Hoxhës, sigurisht që kam qenë në shesh dhe ajo ka qenë një ditë shumë e rëndë, d.m.th. qielli aq sa ç’ishte gri varej, sikur varej mbi ne, sikur varej si korb mbi ne. Qe e rëndë situata sepse u vranë njerëz, 2-3 njerëz u vranë nga ata aktivistët që tërhiqnin metalin, bronzin e monumentit, disa i dërguan në Qytetin Studenti, disa të tjerë u nisën për te varrezat e Sharrës etj., por ra pasditja, filloi nata. Nata qe e frikshme. Me sa u pa pastaj më vonë, kishte pasur një lidhje midis Ramiz Alisë që ishte Presidenti i Republikës, i cili vetë ndodhej në një darë të madhe shumë nga komunistët e vijës së ashpër dhe siç dukej kishte pasur një komunikim me kryetarin e PD-së zotin Berisha. Në atë moment, duhet të ketë qenë ora 8-9, unë bëja gati gazetën për ta dërguar në shtypshkronjë dhe më vijnë miqtë e mi, ata që ishin të angazhuar sa me bordin drejtues të gazetës aq edhe me partinë, ata më intelektualët, shkrimtarë, intelektualë etj., Agim Isaku, Rudolf Marku, Ilirjan Zhupa dhe vijnë më thonë që ka një porosi nga doktori që gazeta nesër duhet të dalë si “Zëri i popullit”. “Zëri i popullit” ishte gazeta e Partisë së Punës. Dhe, – u kishte thënë atyre, – unë nuk i them dot Frrokut, por në këtë rast Partia Demokratike vdiq. Kjo u komunikua në PD, që vdiq, kushedi kur shihemi dhe mund ta bëjmë prapë, ata që do të mbeten pa shkuar nëpër burgje. Mund ta bëjmë prapë Partinë Demokratike.

Pra ekzistonte si frymë.

Jo, jo, u tha në kryesinë e PD-së, u tha në këshillin drejtues të PD-së. Por kemi problemin e gazetës. Gazeta nesër nuk duhet ta acarojë Partinë e Punës, kështu që i thoni Frrokut: të lutem bëje gazetën, tako Namikun. Namiku ishte Dokle, ishte kryeredaktori i gazetës “Zëri i popullit”. Të takojë Namikun se janë miq dhe të shikojë se si, d.m.th. ta bëjë njësoj si “Zërin e popullit” nesër. Padyshim që s’mund ta pranoja dhe pasi kam qëndruar ndonjë gjysmë ore, kam thirrur gazetarët e gazetës dhe u kam thënë: shikoni sirtarët, kush ka ndonjë shkrim shumë të fortë kundër komunizmit, të ma sjellë. Në fakt gazetarët e kishin marrë vesh këtë gjë dhe u çuditën. U çuditën dhe panë njëri-tjetrin, tjetër gjë thuhej atje, tjetër gjë thuhet këtu. E sidoqoftë, e pashë që gazeta ishte prapë e butë, shumë e butë dhe kam shkruar në mbrëmje pastaj, kam shkruar vetë një shkrim me titull, dhe sot e kësaj dite po ta shfletosh atë koleksionin, është një shkrim me titull: “A nuk mund ta kalojmë duke qeshur?”, me idenë që ra Enver Hoxha por nuk kishte gjë të gjallë brenda, ishte metal. Janë më shumë fanatikë sesa janë njerëz që mendojnë.

Për ta shijuar në maksimum këtë bisedë, e marrim një kafe?

Patjetër.

Duket si një kafe evropiane kjo, shpejt e shpejt në rrugë, se ne shqiptarët jemi mësuar ta shijojmë kafenë më së shumti. Është e mirë?

Shumë e mirë, italianissimo. Shiko, vërtet ka ndryshuar jeta në Shqipëri, d.m.th. edhe kafenë po e pinë më shpejt për shkak se e kërkojnë punët. Është shtuar ritmi, është rritur, se edhe italianët e pinë kafenë ashtu për arsye se s’kanë pasur kohë, se po të kesh kohë, të rrish ta tjerrësh kot ditën, gjithë ditën.

Ndërkohë nëse do të rikthehemi pas, le të themi, në atë kohë kur ishte koha, në ndryshimin e diktaturës dhe ardhjen e demokracisë, pavarësisht se një periudhë e gjatë transicioni, një element i cili ndoshta ju ka bërë ndonjëherë që të tërhiqeni nga profesioni ose nga rrugëtimi juaj në atë kohë? Them një element ndoshta kërcënues apo një arsye tjetër shumë e fortë, ju ka lëkundur ndonjëherë?

Këto janë, si të thuash, s’e kam gjetur brenda vetes si të thuash trimërinë e guximin, qëndresën. As ia kam imponuar, as e kam dashuruar te të tjerët, se më duket një absurd. Është tjetër gjë pastaj të lidhesh pas profesionit tënd, pas mendimit tënd. D.m.th. nëse je i sigurt në atë që mendon, në atë që ke formuluar si vizion në profesionin që bën, nuk pse të tërhiqesh dhe nuk tërhiqesh. Mua më ka kushtuar, se gazetarinë e kam dashur shumë dhe e dua shumë, d.m.th. është një profesion që unë e kam kryer gjithmonë me dashuri shumë të madhe. Dhe për shkak të asaj lidhjeje, të asaj dashurie, më në fund, me një urdhër të Enver Hoxhës, më dërguan në Spaç për riedukim, d.m.th. kam qëndruar atje 3 vite dhe disa vite këtu pa punë se më thanë që duhet të shkosh punëtor dhe shkova pastaj punëtor.

Si ishte të qëndroje atje?

Punëtor në gjeologji, në rrethinat e burgut, d.m.th. punëtori i gjeologjisë është një nga profesionet më të rënda që mund të ketë njerëzimi, aq sa ishte diskutuar atëherë, u diskutua edhe në sytë e mi, në ato qelizat e partisë, dhe u tha që “neve na ka thënë Komiteti Qendror qëti të punosh në minierë, por në minierë nuk të dërgojmë se miniera ka favore, në fund të fundit nuk bie shi, nuk bie borë dhe do të të çojmë në një punë më të vështirë, që është gjeologjia”. Gjeologjia, do të thotë në majë të maleve të Spaçit, natën, ditën, në borë, në suferinë etj.

Meqenëse jemi në një rrëfim të gjallë ndoshta në kujtim, kishte edhe tortura jashtë kësaj natyre që ju po thoni, ndoshta më çnjerëzore?

Torturat ishin psikologjike, se dikush të ndiqte, punëtorët që janë. Shpeshherë thuhet e nuk ka si punëtorët, sidomos si punëtorët e gjeologjisë nuk ka në botë shpirtra të tillë. Ata janë edhe të mençur, janë edhe të dashur, kuptojnë se ku është rreziku. Dhe punëtorët e sondës sime me kryesondistin më kishin thënë: “Dëgjo, ti nuk do të nisesh nga kapanoni (nga baraka ku jetonim, ku flinim), po s’erdhëm ne”. Edhe nuk më linin të lëvizja sepse ata kishin informacione se çfarë mund të më ndodhte rrugës. Kjo ishte e para. Mbaj mend njëherë që unë përpiqesha, siç ishte ajo kohë, përpiqesha të mësoja anglishten dhe anglishtja atëherë mësohej me një libër të vetëm që kishte Shqipëria, që quhej “Essential”. Dhe unë e mbaja gjithmonë nën jastëk, nën atë jastëk që kisha, por kisha gjatë gjithë kohës frikë se do të shkonin ta gjenin dhe menjëherë mua më dërgonin në burg se po mësoja gjuhët e huaja. Kishte ndodhur te të tjerët dhe pse të mos ndodhte dhe tek unë? Dhe mbaj mend njëherë kur, futur atje afër krevatit ku flija unë, gjej zëvendëssekretarin e partisë dhe u çudita. Unë sapo vija nga puna i lodhur, i rraskapitur, me çizme, dhe i thashë: “Po këtu çfarë po bën?”. “Ja, – tha, – desha të të trembja, të luaja me ty”. D.m.th. gjatë gjithë kohës shkonin deri te pika që të përgjonin nëse lexoje një gjë që s’e kishte thënë partia ose nëse dëgjoje, mendonin se mund të kishe ndonjë radio, ndonjë gjë.

Nën mbikëqyrje gjithë kohës.

Gjithë kohës ishte nën një mbikëqyrje. Tani s’i kupton edhe po t’i tregosh Ermal. Unë këtë u kam thënë edhe fëmijëve, mos më detyroni që të tregoj, se është një gjë krejt absurde, nuk tregohet dhe nuk shijohet. Nuk shijohet. Të tregosh ngjarje të asaj kohe dhe pamje të asaj kohe, nuk shijohen, përkundrazi, dukemi qesharakë. Vërtet, ne që i kemi jetuar dukemi qesharakë. Dukemi nga vështrimi i sotëm. Ajo ka qenë një kohë, që unë s’kam dashur kurrë ta tregoj, se kam qenë në Spaç, se kam qenë i dënuar, se kam vuajtur, se jam hero, asnjëherë s’kam treguar.

Megjithatë kontributi juaj nuk ka munguar asnjëherë, vit pas viti, ndoshta edhe në një kategorizim le të themi në aspektin me libra, në formën e të shkruarit. E shkruara ka qenë gjithë kohën me ju, por në rast se do të ndalemi te botimet, te librat, te shkrimet konkrete, ç’raport keni me librin?

Me librin kam një raport shumë të afërt. Mësova qysh prej fillimit, në kohën 20 e ca vjeç, sigurisht që ne s’kishim shumë libra dhe mësova të lexoj gjithçka që më binte në dorë. Isha i detyruar, qoftë edhe revista për bujqësinë. Unë librin e parë që kam lexuar, në klasën e 4-t mbaj mend, ngaqë s’kishim libra kam lexuar një roman. Ka qenë romani i një shkrimtarit tonë shqiptar, që jetonte në Rumani dhe që quhet Thoma Kacori. Ai kishte botuar një roman me titull “Për Mëmëdhenë” dhe unë gjithë pushimet e verës, që quheshin, i kam kaluar duke u torturuar pas atij libri. Nuk mora vesh gjë, sigurisht, d.m.th. kjo është dhe ajo ka qenë një epokë e librit, për të thënë të vërtetën, nuk është se vetëm unë. Ka qenë epoka e librit dhe si të thuash, alternativat tona ose si të thuash konkurrencat tona ose targetet tona ishin teatri, filmi dhe libri, d.m.th. ne merrnim vesh që në shtypshkronjë ose në shtëpinë botuese është një libër i Kadaresë ose i Agollit, bie fjala, ose i dikujt tjetër por sidomos këta, dhe ne zinim radhën dy javë me idenë se do të vijë sot, do të vijë nesër dhe në librari ishim gjithë kohës në radhë, d.m.th. rrinim dy orë në mëngjes, erdhi apo s’erdhi, dhe na thoshte ajo punonjësja e librarisë pastaj që sot nuk vjen, vjen ndonjë ditë tjetër. Kjo ka qenë. Marrëdhënia me librat na çoi neve tek ajo që më pyetët pak më përpara. Ne kur hymë në lëvizjen për demokraci, hymë që të gjithë si naivë dhe hymë si lexues librash, jo si personalitete politike. Ne s’kishim ide në politikë. Ne kishim lexuar Kamynë, kishim lexuar deri edhe Rexhep Qosen që ishte i ndaluar, dhe kjo ishte ajo pjesa që na bënte ndryshe prej të tjerëve. Por ka pasur një ngjarje shumë interesante se, në vitet e fundit kur socializmi thuajse ra, por që ishte prapë i rrezikshëm, ne lexonim nga këta librat që kryesisht na vinin nga Kosova, libra të ndaluar. Dhe i gjenim diku, që i linte dikush, d.m.th. në ndonjë qoshe pallati, në një vrimë të tullave të pallatit, dhe pas dy ditësh duhej ta linim aty ne. Ne nuk e dinim kush e kishte sjellë dhe kush do ta merrte. Ishte një lloj sakrifce, ishte një torturë por, sidoqoftë, sot e kujtojmë si një kuriozitet.

Botimi i parë, si erdhi?

Unë kam hezituar shumë të botoj libra. Kam hezituar shumë. Kam shkruar vjersha, kam shkruar tregime, kam shkruar, por gjithmonë kam hezituar të botoj.

Përse?

Më dukej se libri ishte i shenjtë dhe është për të tjerë, d.m.th. është për njerëz të tjerë, për njerëz shumë të lartë. Pastaj kam botuar libra me publicistikë se mendova që erdhi momenti për të botuar, megjithatë janë publicistikë, shënime, ese filozofike. Kam një libër me eseistikë, filozofik, i cili më pëlqen veçanërisht. Ai titullohet “Qeni me tri këmbë”, ideja e absurdit në shoqërinë tonë që, në fund të fundit, gjithçka erdhi e sakatuar, d.m.th. e sakatuar prej njeriut dhe njeriu i sakatuar prej fenomeneve të të tjerëve. Dhe tani mund t’ju them se kam aq shumë shkrime dhe aq shumë projekte, saqë do të duheshin shumë vite.

Megjithatë ndiheni i sigurt.

Tani ndihem i sigurt.

Kompliment për mënyrën e të shkruarit, ishte në kuadër të batutës e para. Patjetër që po se tashmë është kontribut i vyer.

Të shkruash për të tjerët, duhet të jesh shumë diskret dhe duhet të jesh plot përgjegjësi. Unë nuk e dua njeriun që shkruan për tjetrin në mënyrë të pakujdesshme, në mënyrë pa stil, pa dituri, se në fund të fundit e fyen tjetrin që i thua ma lexo librin tim. Por sot botohen libra pa fund. Sidoqoftë kanë një vlerë të tyre, se përshkruajnë fshatin, përshkruajnë fisin, por nuk janë libra që e respektojnë vërtet një kulturë të lartë.

Një pyetje apokaliptike në fakt, në rast se nuk do të ishit ky që jeni sot, në këtë kohë të përkushtuar, në këtë personalitet të krijuar, me një profesion tjetër, si do ta shihnit veten?

S’e di, nuk e besoj se do të kisha rezistuar në ndonjë profesion tjetër, ndoshta e them sot. E kam shumë të vështirë. Njëlloj kur isha fëmijë, shikoja gjeologë që vinin rreth e rrotull nëpër Mirditë dhe ca kohë, kur isha fare fëmijë në shkollën fillore, më ishte mbushur mendja të studioja për gjeologji. Në atë moshë, megjithëse moshë shumë e vogël, unë edhe punoja me këta gjeologët për pak para etj., etj., d.m.th. u mbaja latën, i shoqëroja. Por kur e kam parë më vonë, kam thënë si zor se do të kisha rezistuar, nuk e di se sa do të kisha rezistuar. Isha në vitin e fundit të fakultetit, unë kam studiuar Shkenca Politike, Juridik dhe Gazetari, edhe më dërgojnë me praktikë diku në Fushë Arrëz, Kukës etj. Do të bëja disa shkrime. Dhe mbaj mend që sapo kisha lexuar një libër francez, që bën fjalë për jetën në një redaksi gazete. Ai quhet “Njeriu me të zeza”, titullohet kështu. Dhe jam përpjekuar atëherë, gjatë gjithë kohës, që t’u ngjaja atyre gazetarëve, por ishte tjetër për tjetër sepse ata ishin gazetarë lufte dhe unë ku ta imitoja luftën dhe e imitoja thjesht duke u ngjitur nëpër male, pa pritur makinë dhe ika nëpër male deri në qafën e malit, pastaj u detyrova, se ishte shumë e vështirë për të shkuar në Kukës në këmbë, d.m.th. eksperimente të tilla që t’i nxit vetëm një lidhje shumë e brendshme për profesionin.

Po shkëputemi të paktën një periudhë kohore nga ajo çka është kontribut i përditshëm, angazhim i përditshëm. Ka një hobi shumë të fortë jashtë kësaj që ndoshta ju bën që një pjesë të kohës ta kaloni në atë aspekt ose një pasion?

Hobi, kam shumë dëshirë që të shikoj filma, kam dëshirë, siç ju thashë, të lexoj. Kam një dëshirë të brendshme që shpeshherë e realizoj, të udhëtoj, sidomos në male. Malet e veriut më pëlqejnë shumë, sigurisht edhe jugur, por jugu po të shkosh në jug për male të tërheq deti dhe s’të lë që të shkosh në malin e Çikës. Këto janë, si të thuash. Kam një dashuri të madhe për sportin, jo futbollin, se kam qenë vetë sportist. Këto janë që vërtiten tek unë gjithë kohës.

Kemi një pyetje shumë interesante që ua bëj gjatë gjithë kohës të ftuarve. Unë e quaj pyetja e shqiptarit, që thotë sa e ke rrogën, por ndoshta kjo na bie në këto momente kjo, nuk e themi, nuk flasim në aspekt parash, nuk e kemi marrëdhënien mirë me paranë.

S’kemi asnjëherë. Unë, shiko, bëj një humor me njerëzit e mi të afërt sepse njeriu ka shumë nevojë sigurisht dhe u them, ç’keni ju me mua, shikoni punën tuaj sepse unë, sapo të dal në rrugë, dikush do të më thotë: do ta pimë një shishe verë sot? Dhe vera është gjithmonë e mirë. Kështu që unë ndihem mirë.

Pikërisht, prandaj thashë që bie pyetja. Ndërkohë sot në këtë aktualitet sigurisht edhe në zhvillimet e bëra kohë pas kohe nga 90-a deri më sot, i mungon diçka medias, gazetarisë, ndoshta shkrimit konkret publicistik?

Media është tërësisht tjetër nga çfarë ishte ose duhet të jetë prapë krejtësisht tjetër nga çfarë është, d.m.th. nëse para disa vitesh kishim 100 gazetarë, sot ke 100.000 gazetarë, jo thjesht që punojnë në gazetë. Secili prej këtyre që udhëton rrugës është kryeredator i medias së vet online.

Të smartfonit ose të rrjeteve sociale.

Gjithandej. Por në thelbin e vet gazetaria mbetet përsëri një magji. Për mua është një magji sepse gazetaria, në krahasim me letërsinë klasike ose me letërsinë letrare, ka një avantazh që është letërsia maksimale e ditës dhe konsumohet sot dhe konsumohet njëlloj siç pihet uji kur është i freskët, d.m.th. nuk rri gazetaria nëpër rafte, nuk rri nëpër arkiva. Shikoj që ka një brez të tërë gazetarësh të rinj që po tentojnë shumë të bëhen. Të them të vërtetën, ndoshta s’dua ta lëshoj veten, por nganjëherë ndodhem para një surprize kur shikoj gazetarë të rnj shumë të përgjegjshëm dhe shumë të vëmendshëm dhe shumë të formuar. Ndoshta edhe për arsyen se unë kam menduar që shiko, nuk po bëhen. Dhe ky është raporti i kohës. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, do të doja që gazetarët, ta zëmë në mënyrën shumë simbolike, të mblidheshin dhe të caktonin një perëndi dhe kjo perëndia të quhej e vërteta, me qëllim që tërë të gjithë gazetarët të mblidhen rreth kësaj perëndie dhe mundësisht ta respektojnë në maksimum. Diku do të rrjedhë e vërteta, por po u betuam për të vërtetën do të bëjmë vërtet gazetari të mirë. Po e morëm të vërtetën kështu zvarrë, aty vdes. Është shumë e vështirë për ta respektuar të vërtetën, pse? Sepse e vërteta është e dukshme, është shpeshherë e egër, shpeshherë është ndryshe nga ç’e duam dhe mbi të gjitha, e vërteta është shumë e vështirë për ta përshkruar, është shumë e vështirë sepse ne bëhemi skllevër ose të lajmit të keq dhe e vërteta s’është vetëm lajmi i keq dhe bëhemi skllevër ose të përshkrimit në sipërfaqe pa shkuar në thellësi, ose edhe të komercializmit. Kështu që, nëse do të propozoja një gjë, do të propozoja që perëndia juaj, jonë dhe e gazetarëve në përgjithësi, të quhej e vërtetë dhe atje të faleshim të gjithë. Ndoshta duket pak

Është fantastike në fakt, një mesazh i përcjellë drejtë.

Faleminderit!

Do të ndalemi paksa edhe tek i gjithë kontributi, rrugëtimi, por në një moment na jepet mundësia që të rikthehemi edhe njëherë pas. Do të kishit bërë diçka ndryshe në rrugëtimin tuaj?

Jua thashë njëherë, kur jepja leksione për studentët e Gazetarisë dhe dikush më pyeti afërsisht të njëjtën pyetje dhe i thashë që, shiko, po të ishte gazetaria një partnere, një shoqe në jetë, mua kurrë nuk do të më shkonte mendja që të ndahesha prej saj. D.m.th. gjatë gjithë kohës, si të them, e kam paguar. E kam paguar, s’mund t’i thuash sot sa e sa gjëra, jo vetëm në sensin politik, por në sensin fizik, për të shkuar në një vend ku është lajmi ose ku është reportazhi. Por përsëri do të isha ky gazetar. Ky njeri s’e besoj se do të ishte mirë që të isha, por ky gazetar do të isha.

Po aktualisht diçka konkrete që ndoshta jeni përkushtuar maksimalisht? Më thatë që kishit disa projekte apo shumë shkrime në duar, por çfarë është diçka që e keni diferencuar nga të tjerat, që po e shihni me shumë seriozitet duke e punuar?

Po punoj, si të thuash, për të treguar një gjë që s’e kanë parë njerëzit që kanë jetuar këtë epokë. Kam 2-3 libra nëpër duar. Ajo risia është se ditën që do ta merrni ju librin tim në dorë, do të thoni: por unë aty kalova dhe s’e pashë. Edhe me këtë gjë po merrem, e para. E dyta, në fushën e gazetarisë kam një arkiv të tërë, që është tmerrësisht i gjerë dhe nuk dua që ai arkiv të humbë ose të mos jetë në duart e një brezi gazetarësh të rinj. Pa e imponuar. Unë imponimin e kam një përjashtim total të vetes sime. Nuk i imponohem fëmijës, nuk i imponohem si të thuash zogut, nuk i imponohem asgjëje në këtë jetë. Edhe në këtë rast dua të them që, pa pikën e imponimit, dua të realizoj këto dy gjëra. Pastaj të tjerat janë të ditës, janë të përditshme, janë gjurmuese. Vendin tim e shikoj me dashuri, me shumë dashuri. Njerëzit i shikoj që nuk janë ata që manifestohen, edhe kur janë të këqij, edhe kur janë kriminelë, mendoj se prapa tyre ka një thelb njerëzor. Gjithmonë e shkoj këtë gjë ose e kam kapur veten herë pas here duke e parë fort mirë një njeri që sillet shumë keq në lulishte. Dhe nuk e shikoj se e urrej, por e shikoj se ky ka një njeri brenda vetes, ky patjetër ka një njeri se nuk mund të jetë kaq barbar, nuk mund të jetë kaq i ashpër, kaq i keq. Dhe kjo është pjesa që më bën, jo thjesht e keqja, por përgjithësisht e shikoj fenomenin, e shikoj nga brenda, që të mos zgjatem.

E qartë. Për qasjen që bëtë tashmë drejt humanitetit dhe njeriut, do të doja të paktën një këshillë të vyer ose një sugjerim për të gjithë ata që po na ndjekin. Çfarë është më e rëndësishme në jetë, që duhet të ruhet? Ndoshta janë shumë, por në aspektin njerëzor.

Ka shumë gjëra në jetë. E rëndësishme është që atë që ke, këtë qiell që ke sot dhe këta njerëz që ke sot t’i çmosh në maksimum, t’i çmosh fije për fije, si të thuash, sepse nesër nuk janë, që do të thotë se, doja të dilja te pjesa e mendimit të thellë njerëzor, që koha nuk kthehet dhe është e vetmja gjë që nuk kthehet. Gjithçka mund të kthehet, mund të përmbyset Tirana dhe të ndërtohet prapë etj., por koha nuk kthehet. Kjo është gjëja më e rëndësishme d.m.th. loja me kohën, në kuptimin “loja” dhe përdorimi i kohës në mënyrën më të mundshme që ta marrësh përbrenda, ta thithësh brenda kohën. Nuk është fjala për edukim, për receta që silluni mirë e bëhuni të mirë me kohën. Është fjala që kohën ta kesh si ujin, ta pish si ujin, d.m.th. ta kesh brenda vetes sepse nuk vjen më. Nuk vjen më.(Report TV)