Home Kulture Ronela, i ati i saj i neveritshëm Marashi dhe ne shqiptarët

Ronela, i ati i saj i neveritshëm Marashi dhe ne shqiptarët

Nga Rezarta Reso

Nuk po reshtin të tëra llojet e mediave pa sharë Ronelën. Nuk mbeti shqiptar pa u turpëruar nga kënga dhe interpretimi i Ronelës në Eurovizion. Nuk mbeti burrë e grua shqiptare pa mbyllur sytë nga veshja e Ronelës, nuk mbeti gjë pa u thënë e pa ulëritur.

Ronela: njolla e zezë e artit shqiptar! Ronela, njolla e zezë e shqiptarisë! Tani askush nuk do e përfilli më Shqipërinë! Morëm fund! Na fundosi Ronela. Ronela e ka fajin se është e paturpshme… Janë ngritur tërë analistët e politikës, harruan Berishë, Ramë, e kompani dhe janë më seriozë e më të vendosur se kurrë për  t’ia prerë  shansin Ronelës të bëhet presidente e Shqipërisë.

Një tragji-komedi e vërtetë!

Po i lejoj vetes të  kthehem disa dekada prapa kur isha studente në vitin e fundit dhe shpresoja, madje isha e bindur, që pas një jete pune në televizion (kisha filluar që 7 vjeç) pasi të diplomohesha do të më mbanin aty.

Drejtori/ Bajraktari Marash Hajati, kishte rregulla të tjera punësimi. Unë nuk i avitesha asnjë radari të interesave të tij. Megjithatë, ime më vendosi t’i kërkonte një takim dhe t’ia paraqiste tërë aktivitetin tim në vite, bashkë me mesataren 9.8 se mbase ai e shihte të arsyeshme të më jepte një mundësi që kisha ëndërruar tërë jetën. Ndërkohë  punoja si e jashtme.

Një javë pasi mamaja ishte takuar me të, një mesditë na lajmëruan të mblidheshim në sallën e kontrollit për një mbledhje të rëndësishme me Marash Hajatin. Mbledhja filloi me parullat e tij bajate te rolit të televizionit si zëri i partisë dhe vazhdoi me një sharje të programit që kisha prezantuar dy ditë më parë. NGRIVA! Nuk po i besoja veshëve, nuk po kuptoja fare seç po bëhej. Ai vazhdoi, “Jo po na vjen dhe nana jote e na thotë je tan dhjeta”.

“Mamaja ka thënë të vërtetën”, pata guximin t’ia ktheja ndonëse me zë të mekur e me gjunjët që më dridheshin”.

E pra isha rritur në televizion! Por Marashi, vazhdoi, “emision të bukur ka bërë Albana Mëlyshi me Zana Celën!” Kjo e fundit kishte disa kohë që ishte angazhuar dhe si përfundim i duhej vendi im. Se si ia gjeti anën Marashit, punë e saj, por unë nuk arrita të realizoj ëndrrën time.

E pra, sa herë dëgjoja emrin e tij, më pështirosej e nakatosej dhe vazhdoj ta kem atë ndjesi ndonëse rrallëherë e kujtoj. Ishte lajmi që e bija e Marash Hajatit, do përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion, më zgjoi kureshtjen, të shihja se ç’do ishte vajza e Marashit.

Pashë disa klipe e foto të saj, dhe m’u qesh me veten kur në vesh më vinin fjalët e tij sikur të isha përsëri në atë mbledhje. Degjova dhe këngën, një herë, dy herë. Nuk m’u duk e bukur, nuk m’u duk as për të mbyllur veshët. Në fakt më pëlqeu zëri i saj, ndonëse jo shumë i përpunuar.

E pashë përsëri natën e Eurovizionit. M’u duk se përcillte dinamikë, hare, pak tallava, pak si çdo këngë shqip! Asgjë e veçantë asgjë e shëmtuar. Kërcimi, disi i kopjuar pak i çorientuar, por asgjë e turpshme më shumë seç kemi parë nga këngëtarë nga mbarë bota, Janis Joplin, Madonna, Lady Gaga, Michael Jackson, Katy Perry…Ahhh ata janë të famshëm, nuk janë shqiptarë, po e vërtetë!

Më pas, pashë disa këngë të shteteve të tjera. Çdo të kenë thënë spanjolët kur panë kostumet bythëjashtë të vajzave të tyre??? Gërmova nëpër internet po përveç tifozllëkut për grupin e tyre, s’pashë gjë tjetër.

Përsëri më doli nga mendja që ata s’janë shqiptarë.

Kush e lejon Ronelën të bëjë si ata, ajo e bija Marash Hajatit, ajo që e mori me hile vendin e parë, apo që ia dhanë për të nderuar të jatin, ajo që vetëm na turpëroi.

Por mua m’u dhimbs Ronela! Ashtu siç m’u dhimbs vetja kur i jati i saj më uli në sytë e të gjithë punonjësve të televizionit se ia kishte premtuar vendin tim Zana Çelës.

M’u dhimbs Ronela, sepse ashtu si unë dikur plot ëndrra për televizionin, ajo ka ëndrrën e artistes, ka pasionin për ta kënduar këngën e saj, për ta kënduar fort.

M’u dhimbs Ronela sepse i pëlqen të vallëzojë me këngën e saj, e t’i jape ritmit tërë shpirtin e saj.

M’u dhimbs Ronela e kryqëzuar sepse guxoi të kërcente pa turp, pa tabu!

Ndoshta Ronela nuk ka nevojë për keqardhjen time, dhe shpresoj që është një vajzë e fortë dhe nuk do të sprapset nga kjo histeri mbarëkombëtare. Shpresoj se kënga tjetër e saj do jetë më e bukur e kërcimi i saj akoma dhe më “wild”.

Më duket shumë e trishtueshme dhe e turpshme që NE, shqiptarët, të kemi kaq mllef e vrer për njeri-tjetrin. Të vrasim pa më të voglin hezitim atë që bie ndesh me “Moralin Shqiptar”. Me një moral slogan që në të vërtetë ekziston vetëm kur dikush guxon.

Ronela është vetëm maja e ajzbergut të mllefit dhe urrejtjes që ne shpalosim kundrejt çdo gjëje ndryshe. Lexoja komentet nëpër facebook dhe i krahasoja me ato kundër individëve homoseksualë, zezakëve, romëve, kundër të droguarve, etj. Asgjë nuk ndryshonte. Helm, tallje, përbuzje, fyerje.

Kanë kaluar disa dekada tashmë, të një shoqërie të hapur, të lirë e pa censure diktature, por sa pak jemi qytetëruar, sa pak!