Home Sport Rizvani: Cdo gjë është e mundur

Rizvani: Cdo gjë është e mundur

rizvaniKapiteni i Teutës, Bledian Rizvani, është i bindur se skuadra e tij do të bëjë një paraqitje mbresëlënëse në pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa theksoi se ai dhe shokët e tij do të përpiqen deri javën e fundit për titull. Ndonëse shumë e vështirë, durrsakët vijojnë të shpresojnë te mrekullitë. “Fakti që Skënderbeu mban vendin e parë nuk do të thotë se ka përfunduar gjithçka dhe titulli tashmë është i tyri. Është e vërtetë që korçarët, falë edhe shkëputjes në renditje, janë më afër titullit, por për ta bërë të vetin u duhet akoma shumë punë. Ne nuk i kemi dorëzuar armët, përkundrazi do të luftojmë për titull derisa të na e lejojë matematika”, – pohon fillimisht Rizvani, ndërsa sjell si shembull sezonin e shkuar: “Të gjithëve na kujtohet që një vit më parë ishim ne ata që mbanim për pjesën më të madhe të kampionatit vendin e parë, madje me diferencë të theksuar, por ishte Skënderbeu që ngriti trofeun. Korçarët janë shkëputur mjaftueshëm, megjithatë të mos harrojmë se jemi në mes të kampionatit dhe janë po edhe kaq ndeshje për t’u luajtur. Kush na siguron se Skënderbeu nuk do të bëjë gabimet që edhe ne i bëmë vjet? Prandaj mendoj se duhet të besojmë akoma në titull. Ne duhet të bëjmë punën tonë duke fituar çdo ndeshje dhe të presim gabimet e kundërshtarit për të rikuperuar”. Sipas numrit një të portës durrsake, skuadra do të kthehet më e fortë. “I jemi rikthyer ambienteve sportive për të nisur përgatitjet për fazën e dytë të kampionatit. Deri në startimin e kampionatit kemi mjaftueshëm kohë për të përgatitur një skuadër të denjë”, – përfundon Rizvani.

Previous articleTë blesh qiell me monedha yjesh…
Next articleSony sjell telefonin që i reziston ujit