Këngëtarja britanike me origjinë shqiptare, Rita Ora ka zënë vend sot në faqet e gazetës “The New York Times”.
Në suplementin e së enjtes “Style” të kësaj gazete, është botuar një intervistë me Rita Orën, në të cilën ajo flet jo vetëm për albumin e saj të parë (që pritet të dalë në Shtetet e Bashkuara, e që në Britani është renditur në krye të klasifikimeve muzikore) dhe projektet e saj për të ardhmen, por edhe për modën dhe stilin e saj të veçantë.
Rita Ora mban në disa prej shfaqjeve të saj publike veshjet e stilistit Peter Dundas të firmës Pucci. Stili i saj i veshjes është krahasuar me atë të Gwen Steffanit në fillim të viteve 1990. Në shkrimin e botuar për të në gazetën “The New York Times” disa prej emrave të njohur të modës flasin për stilin, karakterin e veçantë dhe mënyrën origjinale me të cilën 22- vjeçarja Rita ndërthur veshjet e saj, me bizhuteritë në ngjyrë të artë si dhe me të kuqin e ndezur që përdor në tualetin e përditshëm.
Për herë të parë ajo flet në lidhje me jetën private, akuzat e Rob Kardashian, si dhe për thashethemet e përhapura për një lidhje të mundshme me Jay –Z, të cilën Rita e përgënjeshtron.
Rita është lindur në Kosovë. Familja e saj u vendos në Britani kur ajo ishte 1 vjeçe.
Rita Ora përmend në intervistë familjen e saj, që përbëhet nga babai Niku, nëna Vera, motra më e madhe Elena dhe vëllai i saj 15 vjeçar Don.
Videoklipi i saj “Shine Ya Light” i cili është xhiruar në Kosovë, ka arritur një shifër prej 5.6 milion shikimesh në YouTube.