Nuk kanë të ndalur çudirat me kandidatin e koalicionit të drejtuar nga “Partia e Lirisë” së Ilir Metës në Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi. Pak ditë më parë ai prezantoi dhe nënshkroi në publik një memorandum bashkëpunimi me një kompani të quajtur “F5 Finance LTD”. Kompania rezultoi në fakt të ishte e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020 dhe mbante statusin e një kompanie të pezulluar. Përveç gjendjes cash që deklaronte se e posedon, nuk rezultoi prezente në asnjë projekt të ngjashëm ndërsa ka qenë një kompani “dormant”, ose e pezulluar që prej ditës kur u themelua në Mbretërinë e Bashkuar.
Qartësisht nuk ka asnjë kompani serioze në botë që do të pranonte të firmoste memorandum bashkëpunimi me një kandidat për kryetar bashkie. Aq më pak kur lejet, licencat dhe autorizimet për ndërtimin e parqeve diellore për të cilat flet Boçi janë në kompetencë të qeverisë dhe jo të bashkisë. Tregues i qartë i faktit se përveçse shkëlqen si profesor letërsie në recitim publik, Luçiano Boçi nuk ka asnjë haber për administrimin publik dhe as kompetencat e pushteteve.
E zëmë për një moment sikur kompanitë që përmend Boçi të ishin reale. Sikur memorandumi me një kandidat për kryetar të ishte një praktikë e konsoliduar ligjore. Sikur parqet diellore të ishin në kompetencën e Bashkisë dhe jo të qeverisë. Lind pyetja, si mundet Luçiano Boçi të caktojë se kush do të kryejë një projekt për park diellor pa kaluar në asnjë procedurë konkuruese, pa asnjë transparencë, pa garë dhe si marrëveshje personale mes dy personash?! Si mundet një kryetar bashkie të paracaktojë fituesin e një gare dhe mundësisht ta shesë atë për sukses?! Një tjetër arsye më shumë për të kuptuar njohurinë zero të Luçiano Boçit për ligjet dhe detyrimin për të ndjekur rrugët ligjore në administrimin publik.
Të tilla premtime, memorandum dhe firmosje janë thjesht një skemë kjo që të kujton ish-pronaren e firmës rentiere Sudja, e cila njihet për frazën e saj epike “erdhi kompetenti”./Lexo.al