Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar një notë proteste te zyra e delegacionit të BE-së, kundër rikthimit në krye të këtij të delegacionit të Luigi Soreca-s.
Sipas njoftimit të Aleancës, kundër Soreca-s është denoncuar dhe kallëzuar në SPAK për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në favor të Erion Veliajt për çështjen e Teatrit Kombëtar.
REAGIMI:
Ne, Qendrestarët e Aleancës për Mbrotjen e Teatrit, depozituam pranë Delegacionit të BE-së të akredituar në vendin tonë, një Notë Proteste kundër riemërimit në krye të këtij delegacioni të ish ambasadorit Soreca.
Më poshtë keni të plotë këtë Notë Proteste:
NOTË PROTESTE
NGA: ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT
DREJTUAR: DELEGACIONIT TË BASHKIMIT EUROPIAN TË AKREDITUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
PËR DIJENI: KOMISIONIT EUROPIAN
OBJEKTI: Revokimin e vendimit për emërimin si Ambasador të Delegacionit të BE-së në Republikën e Shqipërisë të z. Luigi Soreca, ish ambasador po në këtë detyrë deri në pranverën e vitit 2022.
NË VËMËNDJE: Presidentes së Komisionit Europian, znj. Ursula Von Der Leyen
Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju dhe Institucionet që i drejtohet kjo Notë Proteste, Ju bëjmë me dije se, ne kërkuesit jemi pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental).
Me anë të protestës tonë e cila ka hyrë në vitin e gjashte (ka filluar më 8 shkurt 2018), ne kemi marë përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi të cilët besojnë se ushtrimi i të drejtave kushtetuese dhe vetëm zbatimi i ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë, të atyre artistëve dhe qytetarëve të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë, të atyre artistëve dhe qytetarëve që kanë kundërshtuar dhe kundërshtojnë me forcë realizimin e një projekti të Teatrit të Ri, i cili është ngritur i tëri mbi një aferë korruptive dhe mbi bazën e konsumimit të veprave te ndryshme penale që çuan në shembjen e tij për t`i hapur rrugë ndërtimit të kullave me mjete monetare të cilat janë produkt i veprave penale.
Këto ditë, nga media të ndryshme jemi informuar se ish Ambasadori Soreca do të rikthehej në krye të Delegacionit të BE-së, lajm në fakt që na ka trishtuar, për shkak të veprimeve korruptive dhe abusive të Ambasadorit Soreca kundër Kauzës së Teatrit Kombëtar.
E gjejmë me vend T`Ju vëmë në dijeni se më datë 2 korrik 2021, në procesin kushtetues iniciuar nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, ku ne Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ishim me cilësinë e Palës së Tretë, Gjykata Kushtetuese vendosi:
Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të “Teatrit Kombëtar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (për shkak të mos formimit të kuorumit).
Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Më datë 30 qershor 2021 (2 ditë para këtij vendimi), ne kemi depozituar një kërkesë për inform,acion lidhur me denoncimin tonë lidhur me faktin se më datë 16 qershor 2021, ora 9.30 në ambientet e kësaj gjykate ka hyrë nga dera e pasme ish Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca, i cili ka zhvilluar një takim prej afro një ore me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese (të cilës kishte vite që i kishte mbaruar afati) dhe 5 (pesë) minuta para se të fillonte seanca gjyqësore, është parë të dalë përsëri nga dera e pasme e kësaj gjykate.
Shqetësim i drejtë i yni në këtë rast u ngrit se, përse ish Ambasadori i BE, Luigi Soreca shkon në një takim JOZYRTAR në Gjykatën Kushtetuese dhe pikërisht në datën e seancës së Teatrit?
Gjithashtu, ne kemi ngritur shqetësimin dhe e kemi parë shumë të rrezikshëm faktin se përse nuk u bë publik ky takim, ashtu si në rastet e tjera të takimeve me ILD, KLGJ, KLP, kreun e SPAK apo të BKH-së etj. dhe, pse dhe nga kush duhej të fshihej z. Soreca?
Pyetjet të cilat ne i kemi ngritur dhe për të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kemi marë përgjigje janë se:
– A ka qënë i planifikuar ky takim?
– Ku është protokulluar kërkesa për takim?
– Pse u zhvillua pikërisht në datën e seancës së Teatrit?
Kush ka qënë objekti i bisedimeve?
– Ku është protokolluar dhe kush ka mbajtur diskutimet midis palëve?
– Pse nuk u bë publik takimi?
– Pse nuk u bë publike objekti i bisedimeve?
Shqetësimi i drejtë dhe shumë i madh i yni është se, jo vetëm që ky takim u mbajt i fshehtë si nga Gjykata Kushtetuese ashtu dhe nga ambasadori Soreca, por edhe kur ne e bëmë publik këtë fakt (fakt i pranuar edhe nga vetë palët në këtë takim), reagimi i papjekur dhe flakë për flakë i Ambasadorit të Delegacionit të BE-së, vërtetoi dyshimet tona të arsyeshme në lidhje më ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në pushtetin gjyqësor.
Sjellim në vëmendjen Tuaj se, Delegacioni i BE-së në Tiranë është ndër përfaqësitë diplomatike të rangut më të lartë në Shqipëri dhe, takimi midis Kreut të këtij institucioni me Kreun e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shihen dhe trajtohen:
– Si çështje private;
– Jashtë kushtit zyrtar të transparencës formale;
– Jashtë rezonimit publik.
Ndërkohë nesë analizojmë këtë vendim, vërtetohen katërcipërisht pretendimet tona ndaj z. Soreca pasi vetëm pas ndërhyrjes së tij, ish Kryetarja Vitore Tusha, duke ndjekur “këshillat” e z. Soreca bëri që për mungesë kuorumi pika e objektit të kërkesës që lidhet me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.50 datë 14.05.2020, të mos merret në shqyrtim (votimi u nda 4 me 3).
Duke ditur se Gjykata Kushtetuese, është një ndër institucionet më të larta të vëndit jo vetëm në kuadër të sistemit të drejtësisë pasi, sipas Ligjit Nr.8577 datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, në Nenin 19 “Marrëdhëniet protokollare”, pika 2 sanksionohet se: “Në marrëdhëniet protokollare Kryetari i Gjykatës Kushtetuese vjen menjëherë pas Kryeministrit”, shqetësimi ynë për një takim pa protokoll, pa transparencë dhe jashtë syve të publikut, EDHE nëse pranojmë versionin e ambasadorit Soreca se takimi ka patur në fokus plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese (dhe për këtë nuk ka asnjë rol Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pasi kandidaturat propozohen nga KED ku znj. Tushe nuk është as Kryetare e as anëtare), dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi (aq më shumë që për këtë fakt takimi do duhej bërë publik), ka sjellë më shumë dëme se përfitime në interes të drejtësisë dhe po kështu edhe të publikut të gjërë.
Po të mbajmë në konsiderratë faktin se takimi me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese është bërë ndërkohë që kjo e fundit ishte me mandat të përfunduar që nga 22 prilli i vitit 2017 (pra mbi 4 vjet), takimi me ambasadorin e BE-së kokë më kokë dhe pa praninë e të gjithë Trupës Gjyqësore pranë kësaj gjykate, kanë ngritur dyshime të forta dhe të arsyeshme te ne dhe i gjithë publiku, se ky takim nuk ka patur lidhje me vakancat dhe me reformën në drejtësi, por për interesa të ngushta dhe korruptive të ambasadorit Soreca dhe z. Erion Veliaj, fakte dhe prova të cilat ja kemi referuar SPAK dhe Bashkimit Europian.
Për këtë arsye, ne i`u drejtuam me një kallëzim Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër z. Luigi Soreca me objekt: Fillimin e ndjekjes penale ndaj z. Soreca për konsumimin e veprave penale korrupsion i zyrtarëve të huaj dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm, kryer në bashkëpunim me Kryetarin e Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj, çështje e cila ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë.
Madje, për këtë shkak i kemi kërkuar dhe Minstrisë së Punëve të Jashtme dhe Europës shpalljen e z. Soreca Non Grata, kërkesë e cila që nga muaji korrik 2021 e deri më sot është pa përgjigje.
Po kështu, përpara organit të akuzës SPAK dhe Komisionit Europian kemi paraqitur fakte dhe prova që lidhen me integritetin e figurës morale të z. Soreca, dhe që të mos hetohet në këtë pikë është fyerje jo vetëm për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit por për gjithë opinionin shqiptar i cili ka ndjekur me shqetësim këtë sjellje të z. Soreca, sjellje e cila ul ndjeshëm reputacionin jo vetëm të Delegacionit të BE-së të akredituar në vendin tonë por edhe të vetë Komisionit Europian.
Ndaj, ne vlerësojmë se rikthimi i z. Soreca, qoftë edhe i komanduar ul ndjeshëm besushmërinë e publikut ndaj Bashkimit Europian, pjesë e të cilit endërrojmë të bëhemi, por edhe për faktin se në të gjithë këtë Europë të madhe, nuk gjëndet një zyrtar europian i pacënuar dhe i pakorruptuar jo vetëm materialisht por edhe moralisht, të emërohet për të përfaqësuar denjësisht vetë Bashkimin Europian.
Ashtu siç u shprehëm në në seancën gjyqësore të datës 16 qershor të vitit 2021 (ditën kur z. Soreca hyri e doli fshehtas nga Gjykata Kushtetuese), se Drejtësinë për Teatrin e duam nga Gjykatat Shqiptare dhe jo ato Ndërkombëtare, dhe fatkeqësisht megjithëse kjo çështje është fituar nga ana jonë më datë 2 korrik 2021, ajo akoma nuk ekzekutohet nga zyrtarë të korruptuar dhe të lidhur me mafien e betonit dhe të drogës si Rama dhe Veliaj, dhe sot kjo çështje po pret të gjykohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg (pasi është pranuar kërkesa).
Ndaj e ndjejmë për obligim që T`Ju kërkojmë Ju të revokoni këtë vendim që bie ndesh me interesat e vendit tonë, pasi ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund detyrimin ndaj familjeve dhe fëmijëve tanë dhe, se Shqipërinë do ta bëjmë NE dhe jo ambasadorët.
As ndikimi i paligjshëm i ambasadorëve dhe asnjë veprim apo vendim në shkelje të Kushtetuetës, nuk e amniston dot Edi Ramën, Erion Velinë dhe cilindo qe ka gisht në veprën penale të shembjes së Teatrit Kombëtar dhe veprën korruptive të ndërtimit të Teatrit të Ri.
Ne jemi sot më të vendosur se kurrë për t`i shkuar deri në fund Kauzës së Teatrit, por edhe betejës ligjore ku një ndër këto dosje është edhe ajo e z. Soreca, ashtu sikundër edhe denoncimit hap pas hapi të aferave korruptive materiale dhe morale të këtij anmbasadori me pushtetin aktual, duke zbatuar thënien popullore: “Do t`a ndjekim këmba këmbës si Skëndërbeu Turkun”.
Me bindje se reagimi i Komisionit Europian do jetë në respektim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve që gjejnë zbatim në territorin shqiptar, Marëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe lartësinë e detyrës, duke:
Revokuar vendimin për emërimin si Ambasador të Delegacionit të BE-së në Republikën e Shqipërisë të z. Luigi Soreca, ish ambasador po në këtë detyrë deri në pranverën e vitit 2022.
Deri atëherë,
TEATRI ATY DHE ASHTU SI ISHTE.