Këngëtari Ricky Martin do të performojë në sheshin “Skënderbej” në datën 20 korrik. Një koncert i bërë me dije disa kohë më parë, ku këngëtari i hiteve botërore përveç grupit të tij muzikor do të shoqërohet edhe nga orkestrantë shqiptarë. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije se hitet muzikore të këngëtarit të famshëm latin do të luhen nga mjeshtëria e instrumentistëve tanë. Sipas TKOB-së do të ketë një program të pasur për të gjithë të pasionuarit të muzikës së Martin. “Orkestra Simfonike e TKOB-së, dirigjuar nga maestro fort i dashur nga publiku për interpretimin e tij, Jacopo Sipari di Pescasseroli, do të jetë katalizatori i koncertit të parë simfonik në Shqipëri të Ricky Martin! “La bomba”, “ Vente Pa’ca”, “Cup of life” e shumë hite muzikore të tij, do të luhen nga mjeshtëria e instrumentistëve tanë, duke sjellë kështu një program të pasur për të gjithë të pasionuarit pas muzikës së Ricky Martin”, shprehet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në faqen e tij. Për ketë koncert reagoi më parë dhe vetë ylli i muzikës botërore, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Instagram shprehej se ndihej shumë i lumtur që do të mbajë koncertin e tij në kryeqytetin tonë. Ricky Martin, është këngëtar shumë i famshëm nga Porto Riko, i cili ka fituar çmim Grammy Award dhe Latin Grammy Award. Ai ka qenë në maja të klasifikimeve muzikore në USA, në Amerikën Latine, Evropë, etj. Koncert i këngëtarit të famshëm Ricky Martin zhvillohet në Tiranë në kuadër të turit të tij ““Ricky Martin Symphonic”, që po mban në vende të ndryshme të botës. Koncerti i Ricky Martin zhvillohet në Tiranë pas atij që zhvilloi në datën 30 qershor në sheshin “Skënderbej” këngëtari tjetër i famshëm Enrique Iglesias.