Ricerrim i ri
1. Gjethe deti
Puthja – Festë shpirtërore, përhera Jetë…
Shpirti, përhera, nga fantazitë puthet,
Fantazia krijon plot vreshta të reja
qiellore, plot drithërima të reja
gjeth e det … veç me Lutje …
Puthja…shpirtërore…puthet.
2. Disko e re
Vonë do të shkoj në diskon e gjumit
në diskon e heshtur e me orkestër
ngricat që të cingërijnë së shumti
në kërcirin e brumit e në veshin
bonjak dhe aq të mnerrshëm.
I butë brumi, shpejt do bëhet më i gurtë
kur të shkoj në diskon e më t’përgjumit
tej botës ngjethur britmash, belarash,
Ahere Ju m’i kujtoni shakatë dhe më
së fundi … me mua ose pa mua
mbulomini gjithë të sharat…
3. Balet
I shkurtër shkurti, jo aq i shkurtër
tërpjetë ngricat, krizat, çuditë,
vrasjet në plug rrëmujshëm.
I shkurtër shkurti jo aq shkurtabiq,
Krismat mbushin e zbrazin rrugët,
Qyteti po plas nga tru të pistë.
Jetë mëndjemadhi shkurti i pakët
shushuritet, shëmbet e shkapet,
Askujt nuk i ngjan dhe është
i lumturi më i flashkët
tërpjetë e poshtë
vetëm në balet…
4. Shpartallimi
Për nesër meteologët na i afruan ngricat
Vet ngricat po na afrohen aq rrëfimtare
ato s’kanë veshje asnjë cipë e as pendë
t’ua marrin mendjen ca plot ngjarjeve.
Ngjarjet e vogëla shumë shpejt ciflosen
më kanosëse tek vijat e bardha zbath,
Shpartallimi në qytet zë vend ploje
duke marr përdore turpin tupak.
Prej kohësh ngricat ne na rrëngjethin
edhe në diell, përvëlakut gjithë frikë –
Ai, përhera, plot tepri ne na ngroh
e nuk na vë asnjë taksë s’vjedhuri
kur Shpartallimi dhe turpi tupak
sot ne na shqyejnë, shqyejnë
gjithçka nën diellin eremit.
5. Thundra të buta
S’mërzitet shkurti çfarë shkrova për të,
Pendohet shiu, i cili dot nuk e mundi,
pendohet furtuna, nuk i solli asgjë.
S’turrulloset shkurti, s’e lenë mendt’të
nga fushëtirat e ngrira e të ngathëta,
Kur u përmend shiu…Shkurti tretej
në urgjencë ose afër tek Shtëpia
e grerëzave tutje nga thundrat
e llumi mpakur nga thagmat….
Shkrova shkurt shkurtin, si sot asgjë,
thundrakët e tymit…kometa nën të.
6. Picërrim i ri
Errësira picërron më kthjellët se Pusi.
Errësina na mbyt por mund të dal
edhe tek drita … Pusi mbyt veten
të tjerët pa e gjet’ gurin, litarin,
kokën e kovës, pa ia ndigjue
më kurrë krisjen e kumbit.
Errësira, gjumthi më e kthjellët,
gjumthi qelë a më i çelë…Pusi.?