Home Kulture Revolta e pianistes / Presidenti i Republikës dekoron “Baftjarin” për klikimet dhe...

Revolta e pianistes / Presidenti i Republikës dekoron “Baftjarin” për klikimet dhe harron Feim Ibrahimin

Etrita, pianistja e njohur, bija e kompozitorit me përmasa evropiane, Feim Ibrahimi, ka shkruar një status me ironi therëse ndaj Presidentit të Republikës Ilir Meta me rastin e dekorimit të njërit prej dy interpretuesve të këngës tallava “Gëzuar, Baftjar!”:
“Domethënë na rroftë ne që studiojmë orë, ditë e javë të tëra për të realizuar një koncert si ai i yni që u transmetua mbrëmë në RTSH…! Po s’patëm miliona klikime, s’meritojmë asgjë…! Po mirë ne s’ vlekemi hiç, po atyre si puna e babait tim, që kanë ndërtuar historinë e muzikës shqiptare, si t’ia bëjmë? Se titujt duhet t’ia kishit dhënë me kohë, por nuk duken as në horizont…! Apo s’ka rëndësi as kjo, se fundja kush janë ata..?! Se mos kanë miliona klikime…!  E rëndësishme është tallavaja…ajo ka miliarda, jo vetëm miliona, klikime…!  Bravo Mr. President…të kemi njësh, s’kam ç’ them tjetër!!! ”Personalisht kam qenë me fat, pasi kompozitorin Feim Ibrahimi e kam pasur mësues në ish-shkollën “Nako Spiru” Durrës, si dhe të vëllain – epror në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave. Në vitin 2001, Bashkia e Durrësit (qyteti ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë), i dha titullin Qytetar Nderi.
Info/ Feim Ibrahimi
Feim Ibrahimi (1935–1997), lindur në 20 tetor 1935 në Gjirokastër. Praktikisht autodidakt në fillimet e veta, ai ishte i pari kompozitor shqiptar me peshë që studioi brenda vendit, duke u regjistruar në vitin 1962 në Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, ku studioi nën drejtimin e Tish Daisë deri në 1966. Pas kësaj ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni, në Konservator (1966–73), e më pas mbajti postin e Nëndrejtorit të Institutit të Lartë të Arteve, organizmi mëmë i Konservatorit (1973–1977). Posti i tij më i lartë ishte ai i Sekretarit për Muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1977–1991); më vonë ishte edhe Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit të Operës dhe Baletit, Tiranë (1991–92). Nga viti 1992 deri sa u largua nga jeta, ishte profesor i teorisë dhe kompozicionit në Konservatorin e Tiranës.
Si sekretar për muzikën, gjatë periudhës së izolimit kulturor të Shqipërisë, Ibrahimi e tregoi veten si një administrator të zotin, duke pasur ndikim pozitiv në jetën muzikore të Shqipërisë. Edhe pse, i detyruar nga posti, të mbronte realizmin socialist, gjatë periudhës së izolimit kulturor të Shqipërisë nga pjesa tjetër e kulturës botërore, për shkak të skematizmit të detyruar nga politikat kulturore të shtetit totalitar, gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit ai u përpoq, aq sa mundej, të ndiqte zhvillimet e muzikës ndërkombëtare, duke eksperimentuar në mënyrë të fshehtë me atonalitetin (p.sh. tek Sonata për Violonçel e 1975-s, ripunuar në 1990), duke shprehur interes për Xenakis-in që në 1981, dhe duke ftuar në Shqipëri një figurë të tillë të avant-garde-s si Stabler-i. Gjatë të gjithë karrierës së tij, ai u përpoq të çonte muzikën shqiptare në skenën muzikore evropiane. Nga viti 1978 e deri në vitin 1991, punoi pa reshtur për pranimin e muzikës shqiptare në UNESCO dhe në 1991 ai u bë presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës, duke arritur më në fund, ta bënte atë, anëtar të Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO. Për të rritur zhvillimin e kompozicionit shqiptar, në vitin 1992, Ibrahimi themeloi festivalin Mbrëmje të Muzikës së Re Shqiptare. Në 1994 themeloi shoqatën artistike Pentaton (sot Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”), me synim organizimin e veprimtarive kulturore, si edhe ngritjen e një konservatori privat për fëmijë të talentuar. Disa nga veprat e tij janë botuar në Angli prej Emerson Edition.
Për meritat artistike, në 1989, shteti shqiptar i akordoi titullin Artist i Popullit, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë. Ndërsa në 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin Nderi i Tiranës, për kontributin e tij në kulturën shqiptare dhe veçanërisht për kulturën e kryeqytetit. Në 2001, Bashkia e Durrësit (qyteti ku kish kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij), i dha titullin Qytetar Nderi. Në 2008, Bashkia e Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes, i akordoi titullin Qytetar Nderi, për meritat e kësaj figure të shquar në fushën e artit dhe të muzikës.
Ibrahimi ka fituar shumë nga çmimet kombëtare dhe ato të Koncerteve të Majit (aktiviteti kryesor muzikor i përvitshëm që prej 1967-s). Ka fituar dy herë Çmimin e Republikës – çmimi më i rëndësishëm për veprimtarinë krijuese. Në 1990, në Aalto Theaterfoyer, në Essen (Gjermani), u organizua një koncert-portret, që përmbante edhe një leksion mbi muzikën e tij. Në 1994, me ftesën nga Brahms-Gesellschaft, Ibrahimi ishte composer-in-residence në Brahmshaus të Baden-Baden-it (Gjermani) dhe menjëherë pas kësaj studioi muzikë elektro-akustike në Mozarteum në Salzburg (Austri). Në 1995, vepra e tij De Profundis – kompozuar gjatë qëndrimit të tij në Salzburg – u përzgjodh për festivalin e muzikës elektro-akustike në Bourges, Francë.
Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale. Dialogo për violonçel dhe piano, si dhe romanca E la tua veste è bianca (sipas një poeme të S. Quasimodo-s) për soprano, violonçel dhe piano, (të dyja të kompozuara në qershor të 1997-s), janë veprat e fundit të kompozitorit, i cili u largua nga jeta në 2 gusht 1997, në Torino, Itali./Th.M
Image may contain: 2 people
SOURCEbulevard news
Previous articleRron Gjinovci jep emrin se kush duhet t’i prij listës së VV-së, – Vetëvendosje ka shansin ta bëjë historinë
Next articleKim Mehmeti: Shqipëria është kthyer një gropë septike, Tirana ngjan si një qytet arab me njerëz shpellarë