Home Slideri Reshjet e vjeshtës rrezikojnë qindra banesa nga përmbytjet

Reshjet e vjeshtës rrezikojnë qindra banesa nga përmbytjet

permbytjeNga Xhevo Gradica / Afrimi sezonit të reshjeve të dendura të shiut ka risjellë në qendër të vëmendjes problematikën e madhe të përmbytjeve në Durrës. Pavarësisht vullnetit të bordit të kullimit për të marrë nën mbikqyrje çdo situatë të krijuar në reshjet kryesisht të vjeshtës, krerë të bordit deklarohen se situata nuk mund të jetë nën kontroll. Drejtori bordit të kullimit Ylli Kasa, ka bërë të qartë se çështja shumë delikate dhe e pazgjidhur ka të bëjë me numrin shumë të madh të ndërtimeve të paligjshme të cilat bëhen pengesë serioze në këtë drejtim. Objekte banimi, lokale, ura, garazhe dhe të tjera ndërtime të paligjshme kanë bllokuar kullimin duke provokuar disa herë përmbytje masive.
Reshjet
Situata parashikohet të jetë shumë shqetësuese në Shkozet, Plazh, Spitallë, Porto Romano. Kasa ka apeluar pikërisht në periudhën më delikate duke synuar të ndërgjegjësojë të gjithë institucionet. Për të çliruar kanalet e mëdha kulluese nga ndërhyrjet e paligjshme lypset ndërhyrja e inspektariateve të ndërtimit në qeverisjen vendore dhe në jo pak raste edhe inspektariati ndërtimor kombëtar. Por veç shkresave që palët përcjellin tek njëri-tjetri si për të larguar përgjegjësitë, asgjë më shumë nuk ka ndodhur. Në ditë me reshje shiu dhjetra banesa në Shkozet tek stacioni trenit, në të dy anët e kanalit përfshihen nga vërshimet e mëdha të ujrave brenda në oborre e banesa duke i bërë këto të fundit të pabanueshme. Një gjendje e tillë është më se e njohur jo vetëm për bordin e kullimit që e ka të pamundur të reagojë në të tilla lagje, por edhe qeveria ka pasur dijeni. Në këtë lagje bllokimi kanalit të madh nga dy-tre biznese ka penalizuar dhjetra e dhjetra familje. Ndërkohë që thuasjhe e njëjtë është gjendja edhe në disa shtëpi e biznese të licensuara në Plazh, në lagjen numër 13. Edhe këtu katet e para të shumë banesave kanë të njëjtin fat dhe kjo ka shtyrë banorët të braktisin shtëpitë për më shumë se dy muaj, periudhë që përkon me pikun e sasisë së reshjeve të shiut. Çështja e bllokimit të kanaleve kryesore që mbajnë edhe peshën kryesore për kullimin e tokës dhe shmangien e përmbuytjeve masive në toka e banesa të këtij qyteti është e njohur prej disa vitesh. Qyteti bregdetar përmbytet rregullisht në rastet e rreshjeve të dendura të shiut, ndërkohë që gjendja e kanaleve kulluese paraqet probleme serioze në prag të stinës së rreshjeve. Aktualisht me fonde të ndërmarrjes së bordit të kullimit është duke u pastruar kanali i ujërave të larta, aksi prej 3 kilometrash, nga Shkozeti në drejtim të Porto Romanos. Vet banorët kanë bërë një sërë apelesh si në pushtetin lokal edhe në qeveri duke u bërë të ditur institucioneve të shtetit gjendjen, shkaqet dhe nevojën për ndërhyrje. Bordi i Kulllimit në Durrës nuk ka fonde të mjaftueshme për të pastruar të gjithë kanalet që shërbejnë për kullimin e ujërave. Kjo e ka vënë në pozitë shumë të vështirë jo vetëm këtë ndërmarrje të vogël, me fare pak mjete dhe shumë pak fonde në dispozicion, por edhe institucionet e tjera. Bashkia e Durrësit e ka përsëritur faktin se e ka të pamundur të investojë në shuma të mëdha ndërhyrjet në rrjetin e kullimeve pasi nuk ka fonde. Përmbytjet në të tilla zona ndodhin vit pas viti në një kohë që as shteti dhe as bashkia nuk u ka dëmshpërblyer për sa janë dëmtuar banorët e bizneset. Specialistë të cilët i njohin nga afër kapacitetet e hidrovorit në Porto Romano dhe gjendjen teknike të elektopompave të atjeshme thonë se përmbytjet nuk kanë të bëjnë me sasinë e reshjeve dhe as me kapacitetet përpunuese në hidrovor. Në të gjitha deklarimet e tyre specialistët janë të mendimit se problematika shkaktohet vetëm nga mosndëshkimi shkaktarëve që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme objekte të ndryshme duke bllokuar kullimin. Një pjesë e kanaleve kanë më shumë se 20 vite që nuk njohin as edhe fondin më të vogël për pastrim, ndërsa të tjera kanale vetëm sa janë bërë objekt statisike pasi edhe ato pak fonde të dhëna nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur. Kanali Plazhit, i Shkozetit dhe ai i Spitallës kërcënojnë nga përmbytjet dhe ndonjë katastrofë e pritshme dhjetra banesa. Shtëpitë e vendosura bri apo poshtë këtyre kanaleve kanë rrisk të madh për jetën e qytetarëve shtëpitë e të cilëve prej vitesh janë dëmtuar seriozisht nga lagështia. Në të gjitha rastet e aksioneve të realizuara rezulton se ato kanë dështuar pasi fadromat janë tërhequr duke lënë nën ujë qindra familje. Në Plazh janë disa ndërtime që penalizojnë banesat familjare, por në dy pika ndërtimi pallateve të larta e bën thuasje pa rrugëdalje situatën pa një ndërhyrje serioze. E njëjtë paraqitet gjendja edhe në Shkozet e Spitallë.

Previous articleDenoncimi si pergjegjësi qytetare, jo si trashëgimi spiunësh
Next articleTeliti i fundit i klanit të Olldashit