Në ditën ndërkombëtare të Remitancave, Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko ka tërhequr vëmendjen se Shqipëria është shumë vonë në kanalizimin në mënyrë efiçente të këtij fluksi mjaft të rëndësishëm finaciar. Remitancat, sipas tij, përbëjnë prej vitesh rreth 12% të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë me mesatarisht 1.1 miliardë euro çdo vit, ndërkohë që përdoren kryesisht për të mbuluar nevojat për konsum të familjeve në ndërtim, arsim e shëndetësi. Majko tha gjatë aktivitetit të zhvilluar në këtë ditë nga Ministria e Diasporës dhe Banka e Shqipërisë se Shteti po kërkon rrugët e nevojshme që ky fluks parash të investohet në ekonomi, ndërkohë që paralajmëroi edhe ngritjen e Bankës së Diasporës bashkë me Kosovën.
Zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjero solli në vëmendje disa prej nismave që po merren për këtë qëllim, siç është bonusi prej 5 mijë eurosh për emigrantët që investojnë në Shqipëri. Vjero foli edhe për krijimin e një rrjeti agjentësh që do të përfitojnë gjithashtu bonuse nga shteti për çdo subject që ata do të bindin në investojë në vendlindje.
Flukset e remitancave pësuan tkurrje gjatë fazave të para të pandemisë, por u normalizuan gjatë muajve të parë të këtij viti.
Lorenc Rabeta / SCAN