Home Aktualitet Rekord kandidaturash për Avokatin e Popullit – Nga Ilir Rusmaili, te Ahmet...

Rekord kandidaturash për Avokatin e Popullit – Nga Ilir Rusmaili, te Ahmet Prençi e Sali Shehu. Në garë ish-ministra dhe politikanë

Posti i Avokatit të Popullit ka ngjallur shumë interes këtë vit, ndërkohë që nuk mungojnë edhe kandidatët surprizë.

Ndërsa tradicionalisht për këtë post kandidojnë më së shumti jurist të rangjeve të larta, lista këtë herë përmban politikanë e ish-Ministra si Ilir Rusmaili, apo ish deputeti i partisë Demokratike Sali Shehu.

Në krye të listës gjendet ish Drejtori i Policisë Ahmet Prençi. Ndërkohë që në sy bie edhe kandidimi i Bledar Dervishajt, Këshilltar i Presidentit Ilir Meta, por edhe rikandidimi i Erinda Balancës, e cila kërkon një mandate të dytë në krye të këtij institucioni. Lefterije Luzi, ish Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një tjetër kandidaturë e rëndësishme.

Pjesa tjetër e listës përbëhet më së shumti nga jurist të rangjeve të larta, si Jordan Daci, Ledio Braho, apo Avokati Altin Goxhaj, Endri Papajorgji.

Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të ish të Burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni është një tjetër emër që ka hedhur kandidaturën, ndërkohë që interes për këtë post ka shprehur edhe Drita Avdyli, Kreu i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve Ligjorë.

Afati fillestar për paraqitjen e kandidaturave në Kuvend ishte 20 prilli i këtij vitit, i shtyrë më pas nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve për 30 ditë.  Ligji parashikon që kandidatët fillimisht të pyeten në seanca dëgjimore nga komisioni i ligjeve, që verifikon përmbushjen e kritereve për kandidim.

Në fund të seancave dëgjimore, komisioni miraton një listë me kandidatët dhe vlerësimet përkatëse për ta. Ata që i përmbushin kriteret ligjore, duhet të marrin edhe mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të qenë zyrtarisht kandidat për Avokat Populli, ndërkohë që është Parlamenti ai që thotë fjalën e fundit dhe zgjedh fituesin me 84 vota në seancë plenare.