Home Opinion Reflektim mbi një foto, nga ne “tradhtarët” e “Foltores” së Berishës

Reflektim mbi një foto, nga ne “tradhtarët” e “Foltores” së Berishës

Nga Namir Lapardhaja

Unë nuk e di ku kanë qenë një pjesë e atyre që mbështesin sot “Foltoren” dhe që ne të tjerëve na quajnë tradhtarë dhe të shitur më 1 qershor 2001, por unë isha aty, pas Doktorit, në mitingun e madh përmbyllës të zgjedhjeve të përgjithshme të Partisë Demokratike, përpara kinema “13 shtatorit”.

Së bashku me një shokun tim të klasës, kishim lënë mësimin atë ditë, i ishim qepur pas një komshiut tonë, demokrat i vjetër, dhe me një benz dyqindedyzetsh kishim dalë së bashku me një varg të gjatë makinash tek Ura e Kuçit. Madje, drejtori ynë i shkollës, për dreq nuk e di ku na kishte parë mbi makinë me flamurin e PD-së në dorë, do të na e përmendte gjatë një marrëzi të tillë fëminore.

Pritja ishte madhështore. Pas ’97-tës së frikshme koalicioni i udhëhequr nga PD-ja nën logon “Bashkimi për fitore” dukej se do të rikthehej në pushtet.

Ne ishim fëmijë në atë kohë, por të ishe me Partinë Demokratike në një qytet si Berati, jo vetëm që nuk ishte e lehtë, por ishte edhe e rrezikshme.

Së bashku me Enean, djalin në krahë të Doktorit në këtë foto, një natë përpara këtij takimi, kemi shkruar parrulla rrugëve të qytetit dhe cepave të mureve, madje, mbaj mend, se tek ish-Posta e vjetër në “Çelepias” ndaloi furgoni i policisë. A ndaloi për ne a për diçka tjetër, sot nuk jam në gjendje ta them, por di që u trembëm aq shumë, saqë ia futëm vrapit në një tunel pallatesh dhe u futëm nëpër lagje, duke hedhur sprajtin dhe duke vijuar me frikën se po na ndjekin.

Sigurisht që nuk na ndoqën, por ishim vetëm 14 vjeç dhe frika bënte të sajën.

E solla në vëmendje këtë detaj, jo për t’u treguar hero apo për t’i rënë gjoksit me grusht. Ka demokratë të tjerë me qindra dhe me mijëra që kanë sakrifikuar për këtë parti dhe, në shkëmbin, nuk kanë përfituar asgjë.

Ashtu siç ka të tjerë që mbi sakrificën e të parëve, kanë përfituar gjithçka dhe në shkëmbim nuk i kanë dhënë asgjë kësaj force politike.

Sot PD-ja është në ditët e saj më të këqia. Unë një pjesë të demokratëve të ndershëm dhe të sinqertë i mirëkuptoj dhe do t’i mirëkuptoj gjithmonë, por kurrë nuk do të bie dakort me ata që kanë përfituar nga pushteti i Partisë Demokratike, kanë abuzuar, kanë vjedhur dhe përbuzur njerëzit, kanë bërë gjithçka që kjo parti të neveritej në syrin e qytetarëve të thjeshtë, duke u treguar arrogant dhe prepotent dhe duke mos treguar asnjë shenjë përulësie ndaj njerëzve.

Të ndjekësh ata që e kanë çuar PD-në në ditët e saj më të zeza, e kanë rënuar besimin e njerëzve dhe të shpresosh se po të njëjtët do ta sjellin shpresën, është absurde.

Vetëm një frymë e re, një qasje moderne dhe në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve shqiptarë, mund ta ringrejë Partinë Demokratike dhe mund të sjell shpresën e fitores dhe të ndryshimit.

Kjo qasje vjen vetëm nëpërmjet qarkullimit të elitave, nga një brez i ri në mentalitet, i pakonsumuar dhe i pakorruptuar dhe që të kenë mundësinë për të treguar dhe për t’iu dhënë besim.

Por kurrsesi nuk mund të ketë shpresë nga ata që e vranë shpresën, nuk mund të ketë shpëtim nga ata që e çuan PD-në në humnerë dhe nuk mund të ketë pushtet në ata që kur e kishin në dorë e shpërdoruan në mënyrë ekstreme.

Foto e marrë nga faqja e parë e gazetës “TemA”, 2 qershor 2001.