Ministria e Integrimit Majlinda Bregu, do të informojë të enjten Brukselin për vendimin e maxhorancës për të zgjidhur me referendum çështjen e tre ligjeve të integrimit. Pavarësisht kundërshtimit të komisionerit Stefan Fule, në emisionin “Prizëm” të Aleksandër Furxhi ajo tha se qeveria do të ecë para me këtë nismë, nëse opozita do të vijojë të mbaj qendrim bllokues. “Në rast se opozita nuk tërhiqet në bazë të gjitha parashikimeve ligjore, ne votojmë për t’i hapur rrugë të gjithë procedurave për të realizuar një referendum siç thotë ligji jo 6 muaj para zgjedhjeve dhe jo tre muaj pas zgjedhjeve“- tha Bregu. Ajo iu përgjigj dhe asaj pjesë të deklaratës së komisionerit Fule, që referendumi nuk është gjithpërfshirës: “Nuk ka shqiptar sot që të jetë kundër anëtarësimit në BE. Më shumë gjithpërfshirës se vota e shqiptarëve mua nuk më duket se është gjithpërfshirës vota e parlamentarëve“. Bregu tha se qeveria ka gjithë angazhimin për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, por ajo nuk mund të bind dot kryetarin e opozitës që të njohë rezultatin. Bregu tha se nga analizat matematikore e bëra deri më tani, rezulton që Partia Demokratike të jetë në avantazh ndaj Partisë Socialiste, jo vetëm si forcë politike, por edhe si koalicion.( TemA online)