Jadon Sancho ka “pushtuar” faqet e para të mediave britanike. Mes tij dhe Man.United ka një krisje të madhe, me “djajtë e kuq” që e kanë larguar nga ekipi i parë. Ylli anglez nuk është përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën e radhës, atë kundër Brighton. Zyrtarisht, Sancho është përjashtuar nga ekipi i parë për arsye disiplinore, për mungesë impenjimi në seancat stërvitore, por kjo tezë është hedhur poshtë nga vet lojtari:
“Nuk e pranoj që të thuhen gjëra të pavërteta, jam sjellë shumë mirë këtë javë gjatë seancave stërvitore. Mendoj se janë motive të tjera që fshihen pas kësaj, u shpreh Sancho. Kjo që po ndodhë me Sancho-n është një situatë e ngjashme me atë që kaloi C.Ronaldo pasi u rikthye në “Old Trafford”. Pavarësisht emrit të tij të madh, në fund fitoi Ten Hag, pasi portugezi u largua si i padëshiruar nga Man.United.
Pavarësisht këtij fakti, sipas Sky Sports UK, nuk përjashtohet mundësia që Sancho të falet dhe të rikthehet në ekipin e parë në ditët në vijim. Ten Hag kërkon tani nga sulmuesi që të kërkojë falje publike ndaj tij dhe ndaj klubit, kaq mund të mjaftojë për ta rikthyer sërish në ekipin e parë, fundja një shans të dytë e meritojnë të gjithë.