Raportimet çdo gjashtëmujore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku shpaloset i ashtuquajturi raport i UNMIK-ut kryesisht kthehet në folklor të brendshëm edhe në Kosovë edhe në Serbi – se kush kujt ia tregoi vendin tjetrit. Edhe ky i fundit nuk përbënte përjashtim.
As Daçiq nuk qëndroi i heshtur duke ia rikujtuar Gërvallës se ishte vetë ajo që kishte mbledhur dhe deponuar dëshmi kundër ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli në Gjykatën Speciale. Kjo u shndërrua në brum për debat të ashpër edhe në vend.
Megjithatë, ky i fundit, me t’u kryer seanca e Këshillit të Sigurimit, kaloi përreth delegacionit shqiptar të Kosovës, duke e provokuar ministren e jashtme, Donika Gërvalla. Është raportuar gjerësisht edhe nga të pranishëm atje se Daçiq e ka fyer Gërvallën edhe në trajta etnike e gjinore, ndonëse një reagim zyrtar nuk ka pasur.
“Pas mbylljes së takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 27 prill 2023, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e shau Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla etnikisht dhe për nga gjinia. Kjo është e paprecedentë në Këshillin e Sigurimit”, ka shkruar në Twitter një përcjellës i ngjarjes.