Home Aktualitet RAPORTI/ Shkollat publike në Shqipëri nuk janë të sigurta për fëmijët dhe...

RAPORTI/ Shkollat publike në Shqipëri nuk janë të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët LGBTI

IGLYO prezanton Raportin mbi arsimin gjithëpërfshirës 2022 për personat LGBTIQ në Shqipëri.

Tiranë, 12 Maj 2022- Organizata Ndërkombëtare e të Rinjve dhe Studentëve LGBTI (IGLYO), prezantoi sot Raportin e saj të përvitshëm mbi situatën e të drejtave të të rinjve LGBTIQ në Europë. Raporti i vitit 2022 është fokusuar sidomos në problematikat e arsimimit gjithëpërfshirës që duhet të përshkojë të gjitha komunitetet për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e personave LGBTIQ.

Raporti vlerëson se arsimi publik në Shqipëri nuk është i sigurt dhe aspak miqësor e gjithëpërfshirës për fëmijët dhe të rinjtë LGBTIQ.

“Në vitin 2018, organizatat LGBTQI, institucionet publike dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zbuluan se dhuna në shkolla mbetej një çështje serioze dhe qëndrimet e publikut ndaj personave LGBTQI ishin përgjithyësisht negative. Në vitin 2020, sondazhi i i Streha zbuloi se 72% e të anketuarve të saj kishin përjetuar bullizëm në shkollë për shkak të të qenit LGBTQI”, – shkruan raporti.

Raporti i ILGYO cilëson se Ligji për Arsimin Parauniversitar, edhe pse u jep të drejtën të gjithëve dhe pa diskriminim të arsimohen, nuk përmban identitetin gjinor, shprehjet e gjinisë, apo edhe karakteristikat e saj. Kurrikulat shkollore ende nuk përmbajnë referenca specifike për bullizmin anti-LGBTQI.

Raporti përmend në mënyrë specifike se institucionet shqiptare nuk arrijnë aspak të dënojnë dhe ndalojnë gjuhën e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ. Mungojnë tërësisht të dhënat nga Ministria e Arsimit, përsa i përket bullizmit në mjediset arsimore për raportimet apo ankesat e të nxënësve dhe studentëve LGBTIQ, të dhëna këto që me sa duket mblidhen vetëm nga organizatat e shoqërisë civile.

Duke ju rerferuar raporteve të Ambasadës PINK, studimi ndan realitetin e bullizmit që fëmijët dhe të rinjtë LGBTIQ përjetojnë në shkolla. Rreth 2/3 e mësuesve shprehen se nuk e trajtojnë aspak këtë çështje, ndërsa thuajse 80 përqind e tyre nuk i mbështesin nxënësit dhe studentët LGBTIQ.

Raporti, i cili përfshin të gjithë vendet e Europës dhe më gjerë, e cilëson Shqipërinë si një prej vendeve që duhet, ndër të tjera të mbështesë në mënyrë të menjëhershme miratimin e Ligjit për Njohjen e Identitetit Gjinor, një ligj ky i kërkuar prej shumë kohësh nga Ambasada PINK, por që mbetet ende i parealizuar.

Në raport theksohet se Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët: ALO 116-111, është e vetmja linjë ndihmëse e cila mbështet dhe ndihmon personat e rinj LGBTIQ, duke ju ofruar këtu ndihmë juridike falas në bashkëpunim me CRCA/ECPAT Shqipëri dhe BARNAHUS, apo edhe ndihmë e mbështetje për viktimat e abuzimeve seksuale online nga Platforma Kombëtare ISIGURT.AL.