Home Politike Raporti për lirinë e medias, reagon Këlliçi: Shqipëria e standarteve afrikane

Raporti për lirinë e medias, reagon Këlliçi: Shqipëria e standarteve afrikane

Deputeti Belind Këlliçi ka reaguar për raportin e Reporterëve pa Kufij në lidhje me lirinë e medias dhe shtypit në Shqipëri. Me anë të një postimi në Facebook, Këlliçi shkruan se Shqipëria momentalisht ndodhet me standartet afrikane.

Postimi i Plotë:

Shqipëria socialiste e standardeve afrikane. Reporterët pa Kufij raportojnë se Shqipëria ka rënë në nivelin më të ulët historik në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit. Rënie me 20 vende në renditje në vetëm një vit! Pavarësia editoriale kërcënohet, integriteti fizik i gazetarëve cënohet nga krimi i organizuar dhe nga dhuna policore. Shteti ka dështuar në mbrojtjen e tyre. Vetëm një pjesë e vogël e mediave shqiptare kanë një model të qëndrueshëm biznesi dhe financim transparent. Kjo çon në një problem të referuar nga RSF si “trafikim me ndikim”. Presioni politik u rrit gjatë vitit 2021, me përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme.

Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike, kanë probleme në aksesin e informacionit politik, diçka që përkeqësohet nga centralizimi i fundit i komunikimit qeveritar, i njohur ndryshe si Agjencia e Medias dhe Informacionit. Në raport përmendet “paketa anti-shpifje”, që është ende në axhendën politike të Edi Ramës, me të cilën ai synon të kontrollojë përmbajtjen e mediave online. Me renditjen e këtij viti, Shqipëria i bën shoqëri Çadit, Republikës së Afrikës Qendrore, Angolës dhe ishujve Fixhi. Përpara nesh janë si gjithnjë Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina. Koka e qeverisë e kundërshtoi raportin. Gënjen bota, vetëm Rama thotë të vërtetën.