Home Aktualitet RAPORTI/ Në Shqipëri 1 në 125 banorë është me autizëm. Ekspertët: Numri...

RAPORTI/ Në Shqipëri 1 në 125 banorë është me autizëm. Ekspertët: Numri real mund të jetë 1 në 20

Sipas një raporti nga Organizata World Population review, (Organizatë që kthen informacionet demografike në raporte mbi popullsinë e vendeve) prevalenca që një fëmijë në Shqipëri të jetë i prekur nga spektri i autizmit për 10,000 banorë është 83.30. (1 në 125 banorë)

Eglantina Bajrami, kryetarja e Klubit Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve të Çrregullimeve të Spektrit të autizmit, thotë se kjo shifër për Shqipërinë është shumë e ulët dhe jo reale.

“Jam skeptike sepse në 2004 ka qenë 1 në 160 dhe për 18 vite nuk mund të ketë ngelur 1 në 125. Mund të jetë një përllogaritje por jo sipas statistikave pasi mund të mos jenë llogaritur të padeklaruarit. Ne kemi ¾ e fëmijëve të prekur nga spektri i autizmit të padeklaruar që nuk janë bërë pjesë e raportit dhe nëse do të ishin të deklaruar të gjithë, mund të shkojë 1 në 20 banorë”, thotë Bajrami.

Arjon Stambolliu, terapist dhe supervizor në Qendrën Rajonale për Autizmin thotë se fëmijët me autizëm në Shqipëri përbëjnë 25% të fëmijëve me problematika zhvillimi.

Ndërkohë raporti i gjinisë është i pandryshuar, 1 vajzë dhe 4 apo 5 djem.

Stambolliu shpjegon se duke qenë se si çrregullim bëhet më shumë i dukshëm rreth moshës 2-vjeçare, kur zhvillimi gjuhësor bëhet më i dukshëm dhe pritet që fëmija të ketë disa fjalë, “e folura është edhe shqetësimi kryesor i prindërve kur vijnë në seancat e vlerësimit, ajo që i shtyn të shqetësohen”.

Stambolliu pohon se në vendin tonë janë shtuar rastet, kjo edhe si pasojë e kritereve të diagnostikimit, por edhe e mënyrës së të jetuarit.

Qëndrimi i fëmijëve që në moshë të hershme për një kohë të gjatë para ekraneve, telefonave, TV, të paturit të një jete më pak sociale, ku fëmijët nuk kanë shumë mundësi për të qenë në kontakt me fëmijë të tjerë, apo të frekuentojnë ambiente ku ka fëmijë, stresi, ndotja ambientale, ushqimet dhe sigurisht edhe faktori i gjenit, sipas Stambolliut janë të gjitha shkaqe që kanë çuar në një shtim të rasteve në vendin tonë.

Autizmi është një gjendje neurologjike dhe zhvillimore e lidhur me zhvillimin e trurit dhe ndikon në mënyrën se si individët perceptojnë dhe shoqërohen me të tjerët.

Shenjat zakonisht vërehen në vitet e hershme të fëmijërisë. Autizmi përcaktohet nga një grup specifik sjelljesh që ndikojnë në aftësinë e një personi për të bashkëvepruar dhe komunikuar me të tjerët. Ka shkallë të ndryshme të autizmit, por disa sjellje të zakonshme që lidhen me këtë paaftësi përfshijnë aftësi të dobëta motorike, të folur të vonuar dhe vështirësi në arsyetim.

Previous articlePD, shqiptarët, Shqipëria dhe Amerika janë të parët!
Next articleBlenë 2400 ton krom/ Publikohen emrat kush janë biznesmenët që prej 3 vitesh kishin konflikt me Çalin