Home Politike Raporti i KLSH për kuotat ushqimore te ‘Zyber Hallulli’, Zhupa: Vjedhin bukën...

Raporti i KLSH për kuotat ushqimore te ‘Zyber Hallulli’, Zhupa: Vjedhin bukën e fëmijëve, të ngrihet komision hetimor!

Deputetja e PD Ina Zhupa dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë pasur debat të ashpër në Kuvend për raportin e KLSH se fëmijët në shtëpinë “Zyber Hallulli” ushqehen më pak se kuota që i është përcaktuar. Zhupa u shpreh se opozita do të dorëzojë në Kuvend një kërkesë që të ngrihet komisioni hetimor për organet që kanë për detyrë kontrollin.

“Do të ishte në dinjitetin e qeverisë që të reagonte për çështjen tek “Zyber Hallulli” dhe dhunën në shtëpitë e fëmijëve si në Sarandë. Të kërkojë e mbështesë kërkesën e opozitës për komision hetimor për aktivitetin e organeve që kanë detyrë për kontrollin e institucioneve. Janë të dhëna tronditëse dhe vetëm maja e ajzbergut. Është vetëm një raport i KLSH nuk flet dot për gjendjen reale të fëmijëve vetëm letrat shohin. Këta vjedhin bukën e fëmijëve.


Është çështja që duhet të na prekte të gjithëve sot. Është çështje zemre jo voto sepse fëmijët nuk votojnë. Raporti i KLSH thotë se marrin kuotë ditore 2 mijë lekë më pak, por meqë vendimi ka dalë që në 2018 dhe nuk janë indeksuar, edhe sikur të jepej kuota e plotë, do të ishte sërish më pak se sa duhej. katër vjet që nuk indeksojën kuotat ushqimore. Operatorët e zgjedhur nuk janë me certifikatë nga AKU për cilësinë e ushqimit. Nuk ju vjen keq? Nuk ndjeheni fajtorë? Nuk ndjehesh fajtore zona ministre? Nuk mendoni se duhet të hetohen?” – tha Zhupa.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu iu kundërpërgjigj duke i thënë se ka ndjeshmëri për këtë cështje, por raporti është manipuluar dhe është interpretuar në mënyrë të gabuar. Kështu përgënjeshtron se ka pasur ndërhyrje në menynë ushqimore të jetimëve.

“E mirëkuptoj shqetësimin që ka sjellë kjo çështje, ka ndjeshmëri të lartë. Edhe unë si grua e nënë kam të njejtën ndjeshmëri. Do të isha e shqetësuar nëse do më thonin që fëmijëve iu është zvogëluar dieta kalorike. Llogaria është bërë me makina llogaritëse të marra borxh nga politika. Raporti ende pa i mbërritur institucioneve, mjeshtrat e manipulimit e kanë shpërndarë duke prodhuar gjysmë të vërteta që kur gërshetohen me gjysmë interpretime janë më keq se gënjeshtrat. E citoni po nuk dini ç’flisni.

Dua të bëj të qartë atë që drejtoria e Shërbimit Social ka sqaruar që atë ditë. Fëmijëve pa kujdes prindëror në Zyber Hallulli dhe çdo qendër tjetër nuk i janë prekur dietat apo cilësia e ushqimeve. Çdo rekomandim i KLSH shihet me përgjegjësi nga struktura që po vlerësojnë raportin e KLSH. Menuja përcaktohet nga grup specialistësh dhe respektohet deri në një. Nuk ka pasur asnjë kërkesë në ministri për masat indikuese dhe as për faktorët ekonomik. Ju keni hallin tek fëmijët apo kompanitë që po i sjellin më lirë”, tha Manastirliu.

Ndërs Zhupa e mori sërish fjalën dhe me tone të larta i kërkoi letrat që Manastirkiu mbante në dorë dhe i kujtoi sërish raportin e KLSH duke thënë se nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve.

“Nëse ke vërejtje për KLSH hajde thuaji në një komision Hetimor dhe ato letra që mi tund mua silli aty. Më thua nuk i sjell se s’je KLSH, do i sjellësh se jemi më lart se KLSH. KLSH nuk besoj e quan të kapur nga opozita se e keni zgjedhur vetë. KLSH ka thënë që kuota ka qenë më e ulët. Akoma më e ulët thotë KLSH për mos indeksimin, përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë. KLSH thotë në hartimin e menusë nuk merr pjesë ekipi multi disiplinor që është në shkelje të rregullores”, tha Zhupa.

Kontrolli i Lartë i shtetit publikoi një raport në të cilën thuhej se nga stafi i Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë, nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve, duke mos garantuar në këtë mënyrë normat klorike normale për fëmijët. Audituesit nënvizojnë se lidhur me nevojat ditore të fëmijëve për lëndë ushqyese dhe kalori, menuja ushqimore përgatitet për të gjithë fëmijët e institucionit pa dallim grup- moshe, gjinie ose gjendjeve të veçanta. Në hartimin e menusë sipas raportit nuk merr pjese ekipi multidisiplinar, në mospërputhje me kërkesat Rregullores së Brendshme të Organizimit dhe Funksionimit të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.

Previous articleSi e zbërthen PD-ja e sotme epigramin e Don Kishotit?!
Next articleCOVID në Shqipëri/ Vjen lajmi nga fantastik nga Infektivi