Home Histori Raporti i “Besnikut” nga Kampi i Semanit: Myrtezai tha “po më riatdhesuan...

Raporti i “Besnikut” nga Kampi i Semanit: Myrtezai tha “po më riatdhesuan në Jugosllavi, do kërkoj të shkoj në Gjermaninë Perëndimore dhe atje do shkruaj një libër kundër…”

Pjesa e tetë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.

Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, iu dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.

Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al

foto galeri foto galeri foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri foto galeri

 

Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti arkivor me raportin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, metush Qamili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Paketa”, lidhur me survejimin e bisedat që zhvillonte emigranti jugosllav, Myrteza Bajraktari, në Kampin e Semanit

 

 

Marrë: Kapiten Metush Qamili

Dhënë: B.P. “Paketa”.

R A P O R T

Në datën 18.9.1965 ai, takohet me Myrteza Bajraktarin në mensën e sektorit të Semanit. Gjatë bisedës, Myrtezai e pyet se nga vjen, ndërsa ai i përgjigjet se, vjen nga Fieri. Çfarë kemi nga andej, i thotë Myrtezai, asgjë i përgjigjet ai dhe i thotë se përse nuk ke dalë jashtë Semanit?!

Myrtezai i thotë që nuk më lanë, dhe për këtë ishte i mërzitur se nuk e çuan as në shkollë. Po të më lirojnë, kisha vendosur që të mos kthehesha në Jugosllavi, por tani që po më mbajnë këtu, po u lirova, do iki në Jugosllavi pranë familjes.

Ai, i tha që nuk është mirë të shkosh në Jugosllavi, pasi ne i themi vetes shqiptarë dhe atje shqiptarët nuk i trajtojnë mirë. Mirë e ke ti, i thotë Myrtezai, por më mirë të më fusin në burg jugosllavët dhe të shoh familjen, sesa të rij këtu.

Kur të lirohem atje do jetoj si njeri, dhe jo si këtu në gjendje kafshe. Në Jugosllavi, populli rron i lirë më tha ai, ndërsa unë i thashë që: vepro si të të vijë më mirë. Me kaq u ndamë.

“Paketa”

Detyra: 1. Gjatë bisedës me Myrtezain, i thoni që tani ju zuri dimri dhe mbetët këtu, se nuk po vijnë që të marrin emigrantët e riatdhesuar më parë. Kjo të bëhet me qëllim që të hapet biseda, më pas pyete, se çfarë ke në familje, dhe po shkove në Jugosllavi, familja do të të ndihmojë, se ata do të të falin, pasi ti nuk ke bërë gjë, etj.

Sqarim: Nëse është në 2/A, si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav.

Vlerësim: Raporti ka rëndësi, megjithëse B.p., i ka thënë se vetëm do të riatdhesohet.

Puntori Operativ

Kapiten Memush Qamili

U pa

Jam dakord me detyrat

Kapiten i Parë Dedë Zefi

Dokumenti arkivor me raportin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Metush Qamili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Besniku”, lidhur me survejimin e bisedat që zhvillonte emigranti jugosllav, Myrteza Bajraktari, në Kampin e Semanit

Marrë: Kapiten Metush Qamili

Dhanë: B.p. “Besniku”, më 21/9/1965

R A P O R T

Ai njofton se data ekzakt nuk i kujtohet, por ka gati dhjetë ditë, që Myrteza Bajraktari mori një kartolinë nga Gjermania dhe këtë e reklamonte duke ja dhënë shokëve të tij, si Muharrem Bërdynës etj, që ja se çfarë bëhet jashtë shtetit, e mrekullueshme, ndërsa neve këtu kemi mbetur në kampe duke vrarë miza, një natë isha në Fier dhe akoma s’kam fjetur gjithë natën, se ishte hoteli i fëlliqur, se këtu nuk dinë të mbajnë pastërti. Pastaj Myrtezai i tha Muharremit, se po të mos kishin hyrë në Kosovë Brigadat Shqiptare, neve do ta kishim çliruar Kosovën me kohë, por këta na muarrën më qafë.

Burimi, kur bisedonte Myrtezai me Muharremin, rrinte në krevat dhe dëgjonte dhe nuk morri pjesë në bisedime, në dhomë ku rrinte burimi, është Myrtezai me dy shokë të tjerë, ndërsa Muharremi, erdhi në dhomë ku ishim neve. (Ai dhe Myrtezai). Gjithmonë kur fliste Myrtezai dhe Muharremi, ai aprovonte fjalët e tija.

“Besniku”

D e t y r a:

Me Myrtezain dhe Muharremin qëndroni afër, me qëllim që kur të bisedoni ata, të dëgjosh, bëj vetëm sikur nuk merr pjesë në muhabete dhe rri i mërzitur.

Sqarim: B.p., nuk i beson shumë dhe po t’i japësh detyra të tjera, Myrtezai nuk bisedon kollaj, se ky B.p., njihet si një grindavec dhe i pabesë.

Masat Operative

Të shtyp dhe të fut në dosje të Myrtezait një kopje dhe një në fashikullin e Muharremit.
Punëtori Operativ

Kapiten i I-rë Metush Qamili

V.O.

Të mundohemi për të marrë proces-kallëzimin për Myrtezain dhe për t’a goditur.

Kapiten Dedë Zefi

Dokumenti arkivor me raportin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Metush Qamili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Besniku”, lidhur me survejimin e bisedat që zhvillonte emigranti jugosllav, Myrteza Bajraktari, në Kampin e Semanit

Marrë: Kapiten Metush Qamili

Dhanë: B.p. “Besniku”, më 22/9/1965

R A P O R T

Ai njofton se gjatë bisedimeve që ka pasur kohët e fundit me Myrteza Bajraktarin, Myrtezai veç të tjerave i ka thënë: Se unë i kam shkruar një letër një shoku në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kjo letër është e fundit që po bëj, do të pres deri në fund të vitit 1965, për të më liruar nga Semani dhe në rast se nuk më lirojnë, do të bëj kërkesë për riatdhesim në Jugosllavi, si të shkoj në Jugosllavi, do të manovroj në hetuesi me çdo mënyrë, për me shpëtu nga burgu dhe mbasi të shpëtoj nga burgu, do të bëj çmos për të shkuar në Turqi, ose në Gjermani.

Dhe atje, posa të shkoj, do të kërkoj që të më japin një dhomë, për me shkrujt një libër kundër Komunizmit, do të mbyllem në dhomë dhe do të filloj të shkruaj për të gjitha mënyrat që kanë përdorur dhe përdorin për të shtypur popujt dhe do t’u tregoj këtyre (foli fjalë ofenduese për popullin shqiptar). Pastaj Myrtezai, filloj të thotë fjalë ofenduese për Komunizmin dhe duke thënë se Komunizmi, ka ardhur si një katastrofë e pashmangshëm.

Komunistët me të vërtetë janë barbar, shembull po marrim në Indonezi, kohët e fundit që vrau shtatë gjeneralë më të mirë e sa të tjerë, por tani qeveria e Sukarnos, po i pastron të gjithë që ta zhdukin, mbasi Sukarno ka përkrahjen e popullit, këtu duket sheshit që komunistët janë luftënxitës dhe jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe amerikanët janë për paqen dhe jo komunistët, këtu Myrtezai foli me urrejtje të madhe duke sharë dhe ofenduar komunistët.

Pastaj ai thotë se: Myrtezai e ka këshilluar atë që kur të jemi duke biseduar bashkë dhe po erdhi një njeri i tretë, ti largohu mbasi, nuk duhet të jemi tre vetë, pasi këtu del puna për dëshmitar, kur jemi tre vetë:

Myrtezai i ka thënë atij se: kur të shkosh në Jugosllavi, që në hetuesi kërko që të shkosh në Perëndim, në Gjermani, mbasi atje ke mundësi me punue dhe me jetue si të duash, se atje punëtori e ka rrogën 150.000 dinarë, me paret e Jugosllavisë, prej këtyre, 30.000 t’i mbajnë qeveria Jugosllave si tatim, prandaj atje është më mirë për të jetuar, se në hetuesi të pyesin ku do të shkosh dhe të punosh dhe ti kërko për në Gjermani. Me këtë rast, se të thonë të bashkëpunosh me UDB-në, ti mos prano dhe sillu servil.

Ai i tregoi Myrtezait për një letër që ka marrë nga babai, në të cilën baba i thotë që ta refuzoi lutjen për t’u riatdhesuar dhe këtë t’ja dërgoj Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Myrtezai i tha: shkruaj babës tënd një letër dhe thuaj se, po mos më erdhe në shtëpi, unë lutjen nuk e refuzoj, mbasi po ta refuzoj, më mbajnë prap këtu, se shkak duan dhe më tregoi në letër se shumë emigrant që janë të lire, kanë bërë lutje për t’u kthyer në Jugosllavi, po kështu dhe këta që janë në Seman.

Kjo me qëllim që të mos zëmërohet baba, për të shkuar ti në Jugosllavi dhe faj t’i ngelet Qeverisë Shqiptare, për ta fituar besimin te Myrtezai, i ka thënë se jam i vendosur për t’u kthyer në Jugosllavi dhe Myrtezai nga kjo ngeli shumë i kënaqur.

Myrtezai vazhdon të shoqërohet shumë me Muharrem Bërdynën, por nuk është i interesuar, se çfarë bisedash bëjnë, për të mos dyshuar, nuk i ka pyetur as njeri.

“Kombi”

D e t y r a

1. Në bisedime me Myrtezain, të manovroni si mbas rastit, të thoni se kam frikë se do të më prish punë baba, për t’u kthyer në Jugosllavi, por unë, edhe po të më vij lirimi, nuk do të pranoj dhe do t’u them të rri këtu në Seman, se këtu ka më shumë mundësi të më riatdhesojnë më kollaj, po na zuri viti i ri dhe po bërë ti kërkesë, ishalla na çojnë me një makinë bashkë. Kjo me qëllim, që çfarë do të thotë.

Sqarim: Myrtezai është në përpunim aktiv si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav.

Vlerësimi: Raporti ka rëndësi dhe del se objekti flet shumë keq për Komunizmin dhe lavdëron shtetet e Perëndimit, si mbas tij dhe sipas thënieve që i ka thënë B.p., del se nuk duhet të jetë agjent i Zbulimit Jugosllav, por këtë mundet ta bëj, se mundet që të mos ketë shumë besim të plotë tek B.p.

Masat Operative

1. Të shtypë raportin në dy kopje dhe një ta vendosë në dosjen e objektit dhe një t’ja dërgoj Degës së I-rë, për ta vendosur në fashikullin e kontrollit.

Punëtori Operativ

Kapiten i I-rë, Metush Qamili

V.O

Është vërtetuar se Myrtezai ka dërguar letër në Ministri.

Për qenien e tij agjent i mundshëm i U.D.B.-së, të len me dyshue dhe fakti që ky po e përgatit B.p., që të shkojë atje njëherë, mbasi akoma nuk e beson plotësisht. Fakti tjetër, që i thotë të largohet kur të vijë ndonjë i tretë, e vërtetin këtë. Memorie.al

25-8-‘56