Kryeministri Edi Rama siguroi sot se investimet do të vazhdojnë ta transformojnë Shqipërinë edhe në aspektin e infrastrukturës sportive dhe si destinacion edhe për sportin.
Gjatë prezantimit të projektit final për stadiumin e Vlorës, Rama u shpreh se “për ne sporti tanimë është jo vetëm një prioritet i shkruar, por është i shpallur përmes veprimit”.
“Në bashkëpunim me FSHF-në dhe KOKSH ne do të vazhdojmë të shtymë përpara për ta forcuar lëvizjen e re sportive në shkolla, që ka nisur e po merr gjithnjë e më shumë mbështetje nga komunitetet. Janë mbi 600 skuadra të krijuara në shkolla basketbolli, volejbolli”, tha Rama.
Kryeministri u ndal te rritja e kapaciteteve të infrastrukturës sportive për ndërtimin e sa më shumë fushave sportive”.
“Sot me këtë stadium ne faktikisht krijojmë infrastrukturën futbollistike të standardeve të FIFA-s dhe EUFA-s. Krijojmë një infrastrukturë që do të na shërbejë për organizimin e Kampionatit Europian të Futbollit për kombëtaret e të rinjve. Nga ana tjetër, me krijimin e Akademisë së Manchester City në Durrës ne hapim një tjetër cikël për të ngjitur në një nivel të ri edukimin sportiv”, tha Rama.
Kryeministri informoi po ashtu se është në bisedime me një tjetër klub të madh futbolli europian për ta sjellë në Akademinë e Sokol Kushtës, që të kemi edhe në Vlorë një Akademi futbolli me standarde ndërkombëtare.
“Kryetarët e bashkive në 14 maj do të kenë një presion shumë të madh nga unë për të krijuar kushtet që FSHF të fillojë investime për fushat për fëmijët. Në Vlorë, kampusi sportiv që do t’i shërbejë ‘Flamurtarit’ do të akomodojë edhe skuadrat e huaja”, tha Rama.