Home Ekonomia Qytetarët, 15% tatim për qiratë dhe dhuratat – Pr.ligji/ Tatohen trashëgimitë dhe...

Qytetarët, 15% tatim për qiratë dhe dhuratat – Pr.ligji/ Tatohen trashëgimitë dhe të ardhurat nga lojërat e fatit!

Qytetarët shqiptarë do të tatohen me 15 për qind për të ardhurat që marrin nga dhënia me qira e pasurive të paluajtshme si ambiente banimi apo komerciale. Projektligji i ri për “tatimin mi të ardhurat” përcakton të gjitha të ardhurat e individëve për të cilat do të duhet të paguhet tatim. Kështu, neni 60 i draftit të hedhur për konsultim, citon se: individët rezidentë dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët marrin një dhuratë ose trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri ose jashtë saj apo marrin fitime nga lojërat e fatit të zhvilluara në Shqipëri ose jashtë saj, do të paguajnë një normë tatimore prej 15 për qind mbi vlerën.

Dhurata në këtë rast nënkupton pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara pa ndonjë kompensim në këmbim. Ndërsa termi “trashëgimi”, nënkupton pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara si rezultat i kalimit për shkak të vdekjes nga personi i vdekur tek trashëgimtarët e tyre. Sendet nga dhuratat dhe trashëgimia vlerësohen me vlerë nominale ose vlerën e tregut, cila prej tyre është vlera më e madhe.

Ndërkohë që në këtë pikë projektligji përcakton disa përjashtime ligjore. Konkretisht, përjashtohen nga tatimi: dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë ligjorë në radhë të parë dhe të dytë; dhurimet dhe trashëgimitë të marra nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë të ligjshëm përveç shkallës së parë dhe të dytë, deri në 5 milionë lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme, dhe deri në 1 milionë lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues.

Si dhe kalimi i të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme. Edhe në këtë rast, përjashtimi nga tatimi bëhet nëse trashëgimtari ose përfituesi i dhuratës provon që sendet e dhuruara ose të trashëguara janë tatuar paraprakisht ose janë raportuar nga i vdekuri ose dhuruesi. Ndërkohë kjo normë tatimore do të paguhet edhe për honoraret dhe interesat bankare.(scan)