Home Ekonomia Qeveria vendos si do trajtohen objektet që nuk legalizohen – Programe strehimi...

Qeveria vendos si do trajtohen objektet që nuk legalizohen – Programe strehimi me banesat sociale, bonus qiraje tre vite për familjet që mbeten pa strehë

Pronarët e ndërtimeve pa leje të cilët nuk përmbushin kushtet ligjore për t’u legalizuar do u ofrohet strehim përmes skemave të banesave sociale të bashkive, ndërsa ata që nuk kanë asnjë mundësi tjetër strehimi do përfitojnë bonus qiraje për tre vite. Përmes një Vendimi të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare Qeveria, ka përcaktuar rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit poseduesve të ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen.

Poseduesit e ndërtimeve që nuk legalizohen do trajtohen përmes “Programe të strehimit të përshtatshëm”. Sipas vendimit, këto janë programet që shërbejnë për strehimin e familjeve dhe/ose të individëve që janë përfitues të trajtimit, në kuptim të këtij vendimi, pavarësisht mundësisë ekonomike dhe financiare për të siguruar një banesë apo posedimit të banesave të tjera.

Vendimi përcakton se Përfituesi, të cilit i është njoftuar përjashtimi nga legalizimi i ndërtimit pa leje, trajtohet me një nga format e shpërblimit ose të trajtimit të veçantë të parashikuara në këtë vendim, si më poshtë vijon: Së pari, trajtim përmes fondit të banesave, në zbatim të marrëveshjes për trajtim që lidhet midis organit përgjegjës, në këtë rast njësisë së vetëqeverisjes vendore, dhe përfituesit; b) dhe së dyti, trajtim në forma alternative, në zbatim të marrëveshjes që lidhet midis organit përgjegjës, në këtë rast subjekti përfitues i veprës I ndryshëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

Përveç trajtimeve me marrëveshjet e mësipërme, përfituesit, që nuk zotërojnë asnjë banesë tjetër në njësinë e vetëqeverisjes vendore, të ligjshme apo pa leje, por të legalizueshme, përveç ndërtimit të përjashtuar nga legalizimi, përfitojnë edhe trajtim financiar në formën e bonusit të qirasë për një afat 3-vjeçar nga momenti i firmosjes së marrëveshjes dhe lëshimit të godinës. Fondet për mbulimin e këtij detyrimi përballohen nga organi përgjegjës.(scan)