Home Slideri Qeveria hakmerret me Bashkinë. Ekipi volejbollit “Teuta” në prag falimentimi,

Qeveria hakmerret me Bashkinë. Ekipi volejbollit “Teuta” në prag falimentimi,

durres_bashkiaNga Xhevo Gradica / Ekipi volejbollit “Teuta” në Durrës është përfshirë në një krizë të thellë financiare që nga koha kur qeveria shqiptare vendosi të bllokojë fondet e grandit për bashkinë e Durrësit. Klubi shumësportësh financohet nga bashkia e cila e ka të pamundur të kryejë detyrimet e saj ndaj volejbollistëve dhe klubit të volejbollit. Sot “Teuta” e Durrësit do të ndeshet me ekipin e volejbollit të “Vllaznisë” së Shkodrës, në kuadër të finaleve të kampionatit. Po këtë ditë zhvillohet në Tiranë ndeshja mes “Studenti” dhe ekipit “Tirana” ndërkohë që të premten do të vijojnë takimet e kthimit. Ekipi durrsak i volejbollit, ashtu si dhe sportet e tjera, ka muaj të tërë pa marrë pagat duke e shtyrë çdo ditë e më shumë në falimentim të plotë. Dymbëdhjetë volejbollistë prej të cilëve 10 shqiptarë dhe dy të huaj kanë shtatë muaj pa paga. Saktësisht mësohet se që nga muaji shtator i vitit të kaluar e deri më tani volejbollistët nuk kanë marrë asnjë pagë mujore dhe kjo për arsye se bashkisë iu ka bllokuar granti nga qeveria. Teuta në volejboll ka shumë shpresa dhe besim që të kalojë në finale dhe sipas gjitha gjasave mund të ndeshet me ekipin e fortë “Studenti”. Dy volejbollistët nga Mali i Zi, Nikola dhe Vuk Medenica kanë mundur të marrin nga sponsori disa paga, por jo të gjitha detyrimet, ndërsa pjesa tjetër e ekipit pret nga qeveria e cila nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv për të zhbllokuar këtë situatë të krijuar. Volejbollistët mesatarisht marrin nga 25 mijë deri në 30 mijë lekë në muaj si pagë që jepet nga bashkia e Durrësit. Por me bllokimin e frondit nga qeveria në Tiranë, çështja e klubit shumësportësh në Durrës sa vjen dhe përkeqësohet ditë pas dite. Bashkia thuhet se ka marrë një takim me ekipin dhe ua ka bërë të ditur gjenden financiare duke u thënë volejbollistëve se e njëjtë është gjendja për të gjitha ekipet që mbahen me financimet e bashkisë së Durrësit. Kjo e fundit ka tentuar të bëjë të gjitha përpjekjet për të gjetur sponsor me mendimin për të mbajtur në këmbë sportet në këtë qytet. Kanë qenë disa biznese që i janë përgjigjur bashkisë, por shuma, që ata kanë afruar, nuk garanton funksionimin normal e të pandërprerë të ekipeve. Falimentimi i paralajmëruar nga ekipi volejbollit të meshkujve të ekipit “Teuta” është vetëm një sinjal pasi asgjë nuk ndryshon nga gjendja e rënduar edhe në ekipet e tjera. Nëse gjendja do të vijojë e tillë ka shumë të mundur që bashkia e Durrësit të vendosë përfundimisht të mos japë asnjëherë financime për sportin. Bllokimi i pajustifikuar i grandit nga qeveria bëri që administrata e bashkisë të marrë me shumë vonesë pagën në muajin nëntor e dhjetor dhe shqetësimi vijon të jetë si i tillë edhe në tre muajt e parë të këtij viti. Pagat e administratës u mundësuan në saj të aktivizimit të departamentit të tatimeve për të vjelë detyrimet që bizneset i kanë bashkisë. Në të tilla kushte bashkia nuk ka mundësi të bëjë asgjë për të penguar thellimin e krizës financiare për ekipin e djemve në volejboll. Nëse ndërhyrja për të zgjidhur këtë problem nuk do të jetë e shpejtë dhe meefekte pozitive, atëherë liga I e volejbollit pritet të përfshihet në në kaos të madh. Kampionati është në të mbyllur dhe çdo veprim që pengon vijimine ballafaqimeve krijon probleme edhe për të përcaktuar ekipet që do të marrin pjesë në ballafaqimet ndërkombëtare për kupë e kampionat.

Previous articleJa si po e mashtron veten PD dhe PS-ja në Durrës
Next articleXhaxhi militanti tregon se si e zbuloi Kilja logon dhe dorëzon poemën e parë kushtuar parlamentit