Home Ekonomia Qeveria dështon të krijojë regjistrin e aseteve publike që nga viti 2014

Qeveria dështon të krijojë regjistrin e aseteve publike që nga viti 2014

Mungesa e inventarit të aseteve publike (rrugë, hekurudha, ujësjellës, objekte publike etj) e vë qeverinë para të panjohurave në lidhje me pasuritë publike, vlerën e tyre dhe shkallën e amortizimit, duke vështirësuar në të njëjtën kohë mënyrën e ndërhyrjes nëpërmjet investimeve për mirëmbajtjen e tyre.

“Metodologjia për një inventar të plotë të aseteve publike në institucionet e Qeverisë Qendrore (QQ) nuk ishte finalizuar. Ai do të miratohet brenda vitit 2023,“ raportoi Ministria e Financave në dokumentin e monitorimit të Strategjisë për Menaxhimin e Financave publike.

Të dhënat e fundit mbi inventarin e aseteve publike i përkasin vitit 2014, me një vlerë totale 353 miliardë lekë ( shiko linkun https://financa.gov.al/pasqyrat-financiare/). Mirëpo që nga ajo kohë miliarda lekë janë injektuar për shtimin dhe mirëmbajtjen e asetëve publike nga financimet buxhetore nëpërmjet investimeve kapitale dhe shpenzimeve operative të mirëmbajtjes.

Duke shpjeguar ecurinë e këtij procesi Ministria e Financave shpjegoi se metodologjitë e raportimit të aseteve janë miratuar tashmë, por entet publike nuk po tregohen të afta t’i zbatojnë.

Ministria e Financave synon ngritjen e një regjistri digjital për astetët publike dhe gjatë vitit të kaluar është bërë progres me vetëm dy nga institucionet buxhetore që integruan online inventarin e pasurive, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Drejtëisë. Ndërsa ishin në këtë regjistër Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, të cilët kanë futur inventarin e aseteve në modulet e vitit 2020, por nuk kishte progres për vitin 2021.

Ministria e Financave e ka një udhëzim në lidhje me menaxhimin e aseteve të sektorit publik, i cili përshkruan të gjitha procedurat për dokumentimin, inventarizimin, qarkullimin dhe asgjësimin e pasurive të sektorit publik. „Por, si pjesë e forcimit të raportimit financiar të sektorit publik është e rëndësishme që institucionet publike të zhvillojnë metodologjinë, procedurat dhe mjetet e duhura për të matur, regjistruar dhe raportojnë pasuritë fikse“, sqaron Ministria e Financave.

Në këtë drejtim, MF raportoi se po bashkëpunon me Bankën Botërore për të përgatitur një metodologji dhe formën e regjistrit të pasurive.

Me tej Ministria e Financave pohoi se, Departamenti i Thesarit ka kontaktuar me 4 institucionet e mbetura (Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Transporteve dhe Energjetikës, Zyra e Kryeministrit) të cilat janë udhëzuar të plotësojnë informacionin për asetet fikse që do të migrojnë në sistemin informatik./MONITOR

Previous articleTiranë/ Vrasja e 37-vjeçares nga motra, merret në pyetje nëna: Ishte e alkoolizuar prej vitesh, na kërcënoi se do na vriste
Next articleZyrtare/ Shkarkuan Hallaçin, Kukësi rikthen pas një jave në Superligë Stavri Nicën