Home Opinion Publiku është mpirë dhe nuk reagon më për asgjë

Publiku është mpirë dhe nuk reagon më për asgjë

Nga Dr.Erlis Çela

Lehtësia me të cilën i diskutojmë skandale të tilla si gjuha e përdorur nga kryetari i Bashkisë Tiranës në audio-përgjimin e djeshëm, apo aftësia jonë e çuditshme për tu pozicionuar në llogore politike dhe analizuar nga pozicione militanteske edhe ngjarje si ajo e tritolit në derën e shtëpisë së presidentit të Ferderatës së Futbollit, është tregues i mjaftueshëm për të kuptuar nivelin e degradimit të shoqërisë.

Kjo mazhorancë e ka normalizuar aq shumë të keqen, amoralen, korrupsionin, krimin shantazhin, propagandën, shkeljen e privatësisë, dhunimin e pronës private, saqë ato tashmë janë kthyer në diçka normale dhe të pranueshme.

Media raporton skandale korrupsioni, ngjarje të rënda kriminale, dhunë, abuzim me parate publike, sikur raporton parashikimin e motit. Asgjë si këto nuk ngjall më reagim. Askush nuk qëndron gjatë për të reflektuar situatën. Askush nuk reagon.

Publiku është mpirë dhe nuk reagon më për asgjë.

Media në shumicën e rasteve është e kapur dhe ka humbur besimin e audiencave.

Në ato raste kur gazetarë dhe media kurajoze investigojnë dhe zbulojnë skandale të frikshme, ato e kanë të pamundur të fitojnë betejën me makinerinë e fuqishme të propagandës që relativizon çdo të keqe dhe me apatinë e publikut.

Ndaj as raporti i fundit i Transparency International që tregon se vendi ka shënuar regres në luftën kundër korrupsionit, lirisë shprehjes dhe transparencës nuk i bën përshtypje askujt.

Në raportin e këtij viti Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që kishte shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar. Të tjerët ose kishin bërë progres ose ishin në të njëjtin pozicion.