Home Kulture Pse Remarku kishte një emër gruaje?

Pse Remarku kishte një emër gruaje?

Një brez i tërë u rrit duke përpirë romanet e tij. “Tre shokët”, “Harku i Triumfit”, “Obelisku i zi”, janë ndër ata titujt që të rrëqethin mishtë kur është fjala për letërsinë e madhe, për ata që e kanë shijuar atë, siç ka qenë Remarku i famshëm.

Kujtojmë se ky emër ishte ndër kënaqësitë e pakta të epokës komuniste, sjell në shqip nga Robert Shvarc.

Së fundi, për emrin e tij na vjen një kurizitet, më saktë një shuarje kurioziteti; atë se pse në emrin e tij fekste dhe Maria, një emër femre?

Është botuesi i njohur Bujar Hudhri që sjell atë që pak ose aspak është ditur deri më sot, së paku për lexuesin shqiptar, për një prej më të preferuarve prej tij nga bota e letërsisë artistike.

“Ata që sapo njihen me krijimtarinë e tij, shpesh habiten pse një pjesë e emrit të tij është femërore. Disa, madje, mendojnë se Remarque është grua. Por ka edhe një version më të pazakonshëm, sikur me pseudonimin Erich Maria Remarque shkruajnë një burrë dhe një grua, përkatësisht Erich dhe Maria.

Po përse Remarque ka mbajtur një emër gruaje?

Shkrimtari ka lindur më 22 qershor 1898. Emri i tij ishte Erich Paul. Babai i tij, i cili ishte libërlidhës, quhej Peter Franz. Kurse nënën e thërrisnin Anna Maria. Erich ishte fëmija i dytë në familje, ndërkohë që vëllai i tij i madh, Theodor Arthur, vdiq në moshën pesëvjeçare. Shkrimtari ka pasur edhe dy motra më të vogla, Erna dhe Elfrida.

Më 9 shtator 1917 në familjen e shkrimtarit ndodh tragjedia-nëna e tij Anna Maria, të cilën Erich e donte aq shumë dhe ishte aq i lidhur me të, vdiq nga kanceri. Erich ishte atëbotë 18 vjeç. Në momentin e vdekjes së nënës, ai ndodhej në një spital ushtarak, ku po kurohej nga plagët e marra në Frontin e Perëndimit.

Lajmi për vdekjen e saj e tronditi shumë, aq më tepër që nuk mundi t’i ndodhej pranë në minutat e fundit të jetës së saj. Për ta ruajtur kujtimin e nënës së tij dhe për të përjetësuar emrin e saj, ai e ndërroi emrin e dytë Paul me emrin e dytë të nënës, Maria.

Kështu Erich Paul Remarque u bë Erich Maria Remarque”, shkruan Hudhri.