Home Aktualitet Pse nuk ndëshkohet korrupsioni në Universitetin e Elbasanit ? Shtohen rastet...

Pse nuk ndëshkohet korrupsioni në Universitetin e Elbasanit ? Shtohen rastet e denoncimeve nga studentët në media dhe Prokurori

Nga  Artur  Ajazi/bulevard news/

Jo në pak raste vitet e fundit, korrupsioni në universitete ka qenë objekt i punës së mediave pas denoncimeve nga studentë dhe segmente të tjera të shoqërisë. Por megjithë përpjekjet e shumta për ta denoncuar, duket se korrupsioni po del  “fitimtar” ndaj denoncimeve  publike, në organet e hetimit, duke sfiduar  ligjin. Konkretisht,  duke u ndalur  në Universitetin e Elbasanit,  muajt e fundit vërehen rritje të  fenomenit të korrupsionit, duke e kthyer në diçka normale, si një rit që studenti duhet ta zbatojë, mëson apo nuk mëson, sepse ndryshe ndëshkohet nga pedagogu lëndës. Muajt e fundit rastet e denoncimit të aferave korruptive për të marrë notën kaluese në rradhët e studentëve janë shtuar, dhe megjithëse nën zë, ato duket se kanë mbërritur në redaksi gazetash dhe zyrat e Prokurorisë. Konkretisht, disa prej Fakulteteve në Universitetin e Elbasanit janë kthyer në vatra korrupsioni, ku  një pjesë e pedagogëve e kanë kthyer në biznes punën e tyre,  dhe sekserët e tyre e deklarojnë taksative se “Nuk ka notë 5 pa dhënë lekët, madje shpesh kërkojnë edhe euro”. Ky fenomen kaq negativ, u  konstatua edhe gjatë sezonit të provimeve, ku studentët  provimet  i dhanë duke paguar  sekserët apo direkt pedagogun e lëndës. Korrupsioni periodikisht është ngritur në sistem, pra funksionon një rrjet sekserësh, që lidhen me pedagogët, por lidhjet e tyre nuk mungojnë  edhe me persona të tjerë. Problemin në fjalë, pra rritjen e shkallës së korrupsionit, dhe denoncimet e studentëve, e dinë mjaft mirë  prej vitesh edhe drejtuesit e atij Universitetit dhe Prokuroria, ndërsa kjo e fundit  ka nisur hetimet e saj me dhjetra herë, të cilat  duhet thënë se kanë qenë jo transparente dhe  sipërfaqësore. Në organin e akuzës Elbasan, janë  regjistruar  dhjetra e qindra  denoncime ndaj pedagogëve, aq sa  Prokuroria e Elbasanit, në vitin 2013 u detyrua  të ngrejë një grup hetimor dhe të nisë përgjimet e celularëve të pedagogëve të akuzuar. Megjithëse sekret nga hetuesit, mësohet se janë disa pedagogë që akuzohen për afera korruptive, marrje rryshfeti nga studentë, të afërm dhe familiaret e tyre, dhe sjellje harbute ndaj vartësve dhe studenteve. Madje në Prokurori janë depozituar edhe  regjistrime të filmuara dhe inçizuara nga viktimat e pedagogeve dhe dekanëve, duke u dhënë paratë në lokale, zyra e ambiente të tjera jashtë universitetit. Korrupsioni  në Universitetin e Elbasanit është konvertuar në sistem, aq sa  thuhet se “ ka pedagogë që në qoftë se nuk marrin gjobën e çdo provimi, jo vetëm të ngelin, por  nuk ke shans ta marrësh provimin edhe në sezonin tjetër”. Situata në Universitetin e Elbasanit  mbetet shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga strukturat e shtetit, por edhe dënimin nga opinioni  publik. Marrja e pedagogëve  të veçantë me afera korruptive, duket se po i prish  përgjithmonë imazhin Universitetit të Elbasanit. Prokurorët, shpesh kanë qenë të detyruar deri tani të mbyllin dosje dhe hetime, si pasojë e nderhyrjeve dhe presioneve nga politika, por tashmë po gjurmojnë lidhjet e fallcifikatoreve me pedagogë  të korruptuar apo edhe zyrtarë të tjerë atje. Universiteti i Elbasanit, ka nevojë urgjente për reforma rradikale, për largimin e celulës së pedagogeve dhe zyrtarëve  të korruptuar, që po majmen  duke zhvatur studentët, dhe duke nxjerrë  breza mediokërish  nga auditoret. Universiteti i Elbasanit,  i këtij qyteti me tradita në fushën e arsimit dhe  kulturës, meriton  një vëmëndje më të madhe nga  Ministria e Arsimit, por mbetet njëherazi edhe një detyrim i strukturave të shtetit  të  hetojnë, diskreditojnë  dhe dënojnë zhvatësit e  parave të studenteve,  dhe matrapazët e vlerave themelore të institucionit të arsimit të lartë.