Home Opinion Pse ngjajnë kaq shumë drejtorët?

Pse ngjajnë kaq shumë drejtorët?

xhevoNga Xhevahir Gradica / Shumë kohë jam munduar të mësoj se përse ngjajnë kaq shumë drejtorët. Në të vërtetë jo vetëm që jam munduar, por edhe kam pyetur persona të besuar. Diskutimet kanë ngrënë kohë, sherre, ndarje e bashkime. Nuk është se kisha ndërmend të ndërmerrja ndonjë studim. Më hante meraku vetëm të gjeja një përgjigje se përse ngjajnë kaq shumë drejtorët. Përgjigja do të qetësonte edhe mua, edhe të tjerë, ndonëse nuk kam bërë ndonjë kontratë me ta. Do të qetësonte edhe vet drejtorët për të mësuar se përse ngjajnë kaq shumë mes tyre. Drejtorët që njoh janë aq të ngjashëm saqë, pa ndonjë tepri, mund të them se mund të quhen pa më të voglin merak si vëllezër, binjakë, pa u hyrë fare në hak. Nuk përjashtoj faktin që ka edhe drejtor të ndryshëm, por mua më ka tërhequr ideja të zbuloj pse janë të ngjashëm e jo pse ka edhe të ndryshëm. Shumë drejtor njoh edhe unë, edhe ti, edhe ne të gjithë. Disa i njohim shumë mirë, të tjerë mirë. Një ditë pashë dy prej tyre. Drejtor shkolle, të dy në qytet. Flisnin me këmbë e me duar. Nuk ishte e vështirë të kuptojë se kishin pirë aq sa nuk e thonin pastër emrin e njëri-tjetrit. Të dy kanë lindur në qytet, por në lagje të ndryshme. Nuk janë njohur në fëmijëri. Edhe shkollën nuk e kanë bërë bashkë, madje as edhe nuk kanë punuar kurrë bashkë për të marrë veset apo të mirat e njëri-tjetrit. Megjithatë ngjajnë. Ngjajnë shumë. Në punë shkojnë ose kur janë të bërë tapë, ose kur duan të grinden me kolegët. Kokërr pune, fare, as mot e as sot. Pijanecë të rëndomtë. Një teke njëri e një tjetri, një teke burrat e një teke fëmijët e shkollës dhe në vaj gjërat. Gërbulin erë të rëndë sa nga pija e sa nga djersa. Dhe unë që pyes se pse ngjajnë kaq shumë. Kanë edhe fjalor të pasur. I kam dëgjuar të dy. Edhe ju i keni dëgjuar. U thonë kolegëve, kur nis mbledhja “të gri unë njëherë; të ha unë mut njëherë…pastaj ha ti”. Jo vetëm kaq. Të dyve u pëlqen që, kur flasin, të tjerët t’i shikojnë në sy. Dhe në majë të gjuhës nisin e ligjerojnë “unë e di se ka këtu që thonë se drejtori sheh kofshët e grave; ka këtu nga ata që thonë se drejtori sheh gjokset e grave, më kanë ardhur fjalët” . Dhe gratë mësuese që heshtin, dhe drejtorët që marrin zemër. Pastaj drejtori që merr në kafe një e nga një, dy e nga dy. Si njëri edhe tjetri, në hesap e për hesap të vet; pa djeninë e njëri-tjetrit. Kjo më çudit. Prandaj pyes si dhe pse ngjajnë kaq shumë?. Dhe që u thonë se “ky e ai, ata e këta, X e Y erdhën, ikën, thanë, folën për ty e për mua, më shanë, na shanë, u shanë ju, spiunuan për ne”. Dhe më pas porosia e drejtorit “mos rri me këtë e atë, e njoh unë, më kanë thënë se është femër e keqe, burrë i lig. I di jo se jam i zgjuar, por më tregojnë mua se jam drejtor.” Guxon, guxojnë e flasin për gratë mësuese, për sjelljet e tyre, për veshjet e makiazhin deri edhe për jetën private. Dhe drejtori që pyet më pas të bindurit “më thuaj çfarë flet ky e ai për mua dhe unë po të them se çfarë më ka thënë për ty”. Të gjitha këto me të urtë e me të butë. Nëse fole, nëse miratove. Ndryshe…Po deshe mos iu bind. Ulërasin në koridore, në salla, në klasa e në klube “unë të fshi emrin, po të dua unë t’i nuk je më këtu, unë jam zoti këtu”. Megjithëse nuk ka shumë nevojë për ulërimë. U shkon informacioni jo vetëm kur mësuesi del të shurrojë tek klubi më i afërt, por edhe për gratë kur u vinë menstruacionet. Vështirë e kam të kuptoj se përse ngjajnë kaq shumë. Gjithë ditën merren me “më tha e i thashë” dhe gishtat që kruajnë astaret e xhepave të zbrasura. Megjithatë edhe në raste tilla sajojnë, nuk mbesin fare. Sa herë që u mbarojnë lekët sajojnë një arkë të kryqit të kuq dhe dy nxënës që kalojnë klasë më klasë duke pritur me arkën në dorë duke kujtuar atë lypsarin e shkretë në anë të rrugës. Dhe kutia që hapet në prezencë të drejtorit dhe .. të vet drejtorit. Sajojnë edhe aktivitete, ndërpresin mësimin, dërgojnë nxënësit në ekskursione. Pak, fare pak këto po të kujtosh se si urdhërojnë mësuesit t’u shesin nxënësve libra, fjalorë, fletore, bileta. Jo vetëm kaq dhe të gjitha në ortakëri me ata që thonë se jemi përgjegjës, inspektorë, drejtor të drejtorëve. Biznes i mirë me autobusin, lokalet, diskot. Në fund të fundit lekë i thatë është. Diskot janë gjetje më vete, ua dinë qejfet nxënësve, pastaj dhe për veten e tyre është më mirë. I lënë aty, marrin lekët e krisin, e ikin dhe fëmijët që lirohen, dhe nxënësit që çlirohen. E çfarë u duhen të merren me gjëra të mëdha. Pastaj… Ka në shkollë sa të duash llampa, xhama, priza, çelësa, rafte, etazhe, sapun, detergjent… sa të duash. Merr, shit, fut lekët në xhep. Kjo racë drejtorësh kanë në dorë shumë gjëra. Mos të vijë nxënësi asnjë ditë, kalon. Është jashtë shteti, nuk ka gjë, regjistrohet, do të vijë, rëndësi ka të paguajë. Mbetet për vjeshtë, kalon, mos të duket fare, mos të dijë as se ku është shkolla, paguaj. Në vend të tij mund të vijë djali dajës, i xhaxhait…; goca tezes. Pak rëndësi ka, lekët i ka dhënë, pazaret janë bërë. Drejtori është i zoti. Ka edhe më shumë. Dhe drejtori që u thotë mësuesve “Ikën një nxënës, mbetet një nxënës, shkrihet një klasë, ikën një mësues. Provojeni po deshët. Doni të mbeteni pa bukë, doni të rrini në shtëpi, provoni t’i mbetni”. Marifete për të nxjerrë sa më shumë para. Këta janë babaxhanët tanë. Nuk e di se si e kanë mësuar këtë strategji dhe kjo më bën çudi, prandaj pyes se si ngjajnë kaq shumë këta drejtorët. Për të mos u ngrënë hakun janë edhe kavalier. Në ditëlindje dhe gëzime të ndryshe janë të qejfit. Njërit i pëlqejnë shumë këngë me dylbera, tjetri ka respekt të madh për çamët ( më kanë thënë se është edhe vet çam), por shkrihet, tretet, mbaron, vdes kur dëgjon këngë greke. Vetëm t’i shohësh pa ta besosh. Dhe unë që pyes se përse ngjajnë kaq shumë drejtorët?!

Previous articleViolonçelistja Keti Bashhysa, e dashuruar me ….
Next articleAnija turistike nxjerr jashtë loje motovedetat dhe helikopterët e forcës detare shqiptare