Home Opinion Pse Berisha është alarmuar nga Gjykata e Apelit?

Pse Berisha është alarmuar nga Gjykata e Apelit?

Nga Mero Baze

Sali Berisha është destabilizuar papritur, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë parashtroi procedurën se si do të ballafaqojë legjitimitetin e drejtuesve të Partisë Demokratike, pas krizës në të cilën e futi partinë vet Sali Berisha, kur ajo u distancua prej tij pas vendimit të SHBA për ta futur familjarisht në listën e zezë.

Vendimi nuk është përfundimtar kundër Sali Berishës dhe grupit të tij, por është rikthim në normalitet i një procesi gjykimi të hedhur në erë nga një militant politik i Berishës.

Po përse është alarmuar kaq shumë Sali Berisha?

Alarmi vjen jo vetëm nga ajo që pret, por nga pasiguria që ngjall vendimi, pesë ditë para farsës së emërimit të tij në krye të një grupimi që ai dëshiron ta quajë Parti Demokratike.

I inkurajuar nga një vendim arbitrar i një gjykatësi të vetëm në Tiranë, Berisha nxitoi të bëjë shpejt një Kuvend dhe tani po nxiton të vetëshpallet kryetar, për ta bërë fakt të kryer uzurpimin e PD, që në të vërtetë është ndarja përfundimtare me PD.

Ky vendim u jep shansin shumë demokratëve që deri më sot kanë dashur të besojnë se Berisha ka dhe drejtësinë me vete, se ai po uzurpon partinë.

Kjo mund të mos i pengojë shumë njerëz të jenë me Berishën, por kjo pengon Berishën të ndjehet i sigurtë në demagogjinë e tij të uzurpimit të selisë, pas vendimit të një gjykatësi.

Gjëja minimale që Berisha duhet të bëjë nesër në mëngjes, është të mos hyjë në një seli për të cilin nuk ka asnjë vendim gjykate në favor, pasi çështja është në gjykim dhe ka dy palë në konflikt.

Së dyti, vendimi krijon pesimizëm afatgjatë për grupimin e tij, i cili dhe tani është i tkurrur dhe dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes.

I braktisur nga 35 deputetë të PD, nga shumë kryetarë degësh të cilët po ruajnë strukturat e PD jashtë tij, dhe mbi të gjitha, i poshtëruar publikisht nga SHBA me rastin e vizitës së Mike Pompeo, sekretar Shteti në kohën e presidentit Trump, kur ka filluar të mbushet dhe dosja Berisha, ai vuan nga paranoja siç e shpreh dhe në deklaratë, se pas vendimit qëndron presioni i SHBA.

Edhe pse kjo nuk është fare e vërtetë, në këtë rast më shumë dëm tek demokratet pro Berishës bën paranoja e Berishës, se sa e vërteta.

Së treti, Berisha i ka bindur mbështetësit e vet, se ai është i paprekshëm nga drejtësia dhe i pasulmueshëm prej saj, duke demonstruar një gjuhë të egër ndaj gjykatësve apo prokurorëve që nuk beson.

Kjo i ka funksionuar gjatë me Prokurorinë në rastin e Gërdecit dhe 21 janarit dhe po ashtu dhe me gjykatësit që kanë pasur çështje të tij apo familjes së tij.

Gjuha e egër që përdori sot, është thjesht për t’u kujtuar se kur unë ngre zërin, drejtësia hesht. Nuk dimë nëse do heshtë apo jo drejtësia, por duket që Berishën e ka zënë frika nga heshtja e tij, derisa të dalë vendimi.