Home Politike Protesta e 7 korrikut, anëtari i kryesisë së PD-së i bën thirrje...

Protesta e 7 korrikut, anëtari i kryesisë së PD-së i bën thirrje të gjitha fronteve: Të ngrihemi dhe të luftojmë regjimin

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka folur ditën e sotme në një emsion televiziv në lidhje me protestën që do të zhvillohet më datë 7 korrik.

Strazimiri tha se protesta e datës 7 korrik do të ishte e para e organizimeve të tjera të cilat pritet të mbahen në vijim për të rrëzuar sipas tij regjimin që po varfëronte çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Strazimiri: Në këtë situatë ka dalë me fitim vetëm qeveria dhe nuk ka asnjë shenjë se këto të ardhura do të shpërndahen tek qytetarët. Madje edhe bordi i transparencës që supozohej të ultë çmimet, vetëm sa po i ngre më shumë.

Këtu nuk bëhet më fjalë për mallra luksi dhe as për pushime në verë. Këtu po bëhet fjalë për bukën e gojës për secilin prej qytetarëve.

Pyetje: Mendoni se në datën 7 korrik do të mblidhet në shesh i gjithë populli për të rrëzuar qeverinë?

Strazimiri: Nuk ka bërë thirrje Berisha që të ngrihemi dhe të reagojmë. Regjimet kërkojnë punë për t’u rrëzuar por hapi i parë është që të ngrihemi të gjithë bashkë dhe ta shohim realitetin me sy.

Jemi të vjedhur të gjithë nga e njëjta dorë. Ajo është dora e Edi Ramës dhe e oligarkëve të tij të cilët së bashku me qeverinë janë të vetmit të cilët nuk po e vuajnë krizën. Në 7 korrik do të mbahet protesta e parë por besoj se do të pasohet edhe nga protesta të tjera. Për të mbrojtur bukën e fëmijëve dhe për të rrëzuar këtë regjim duhet shumë mund dhe djersë. PD e ka dhënë provën se është gjithmonë në mbrojtje të interesit publik.