Home Kronika Prokurorja Irma Balli rikthehet në sistemin e drejtësisë

Prokurorja Irma Balli rikthehet në sistemin e drejtësisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën më 23 janar 2023, vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurores së Apelit të Korçës, Irma Balli, duke rrëzuar vendimarrjen e katër viteve më parë për shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.

Irma Balli u shkarkua fillimisht nga KPK më 19 shkurt 2019, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se kishte mungesë të burimeve të ligjshme duke rezultuar me balancë negative në pesë vite. Rivlerësimi i saj në KPK përfundoi vetëm për kriterin e pasurisë.

Vendimarrja e Komisionit u ankimua nga Balli, e cila arriti të bindë Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA se kishte pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e pasurive. Kolegji vendosi më 15 qershor 2021 të kthente në Komision rivlerësimin e Ballit për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Gjatë seancës dëgjimore të premten në KPK, nuk u evidentuan probleme për figurën, por u konstatua se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk kishte pranuar të deklasifikonte raportin për Ballin, me argumentin se ishte klasifikuar si “sekret”.

Balli dha shpjegime lidhur me qëndrimet e saj si drejtuese e Prokurorisë së Apelit Korçë. Ajo kundërshtoi konstatimin se dukej se në një rast i pandehuri ishte favorizuar prej prokurores së çështjes që e kishte përfaqësuar në Gjykatën e Apelit. Ajo theksoi se kolegia kishte kërkuar fajësi dhe se nuk arrinte të kuptonte se si mund të ishte favorizuar nga prokurorja një person i shpallur i pafajshëm nga gjykata. Lidhur me mosinformimin e Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjitshme për ecurinë e disa çështjeve, Balli shpjegoi se kishin pasur komunikim të drejtëpërdrejtë.

Procesi i vetingut për prokuroren Balli u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Suela Zhegun.

Irma Balli e ka nisur karrierën si prokurore në shkurt të vitit 1999. Ajo ka punuar si prokurore e Apelit të Korçës për gati 20 vjet dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtueses së kësaj prokurorie. Balli ka qenë gjithashtu anëtare e Këshillit të Prokurorisë.

Previous articleEmergjencat Civile japin alarmin: Jugu rrezikohet nga reshje të dendura, në Vlorë e Gjirokastër mund të ketë vërshime të lumenjve
Next articleNeveria me shoun për 21 Janarin