Home Aktualitet Prokuroria zbulon teknikun IT të Drejtorisë së Tatimeve që shpërndau listën e...

Prokuroria zbulon teknikun IT të Drejtorisë së Tatimeve që shpërndau listën e rrogave, i besuar i LSI-së

Edhe pse nuk ka ende të dhëna zyrtare, prokuroria e Tiranës ka zbuluar tashmë “urithin”, një teknik IT që nga brenda Drejtorisë së Tatimeve nxorri të dhënat që përmbanin listën e pagave të mbi 650.000 shqiptarëve. Bëhet fjalë për A.A. teknik IT i Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, në kohën kur ishte ende në qeverisje Partia Demokratike, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014, kur në krye të Tatimeve ishte Briseida Shehaj, e propozuar nga PS, por prej kohësh e lidhur me LSI, me të cilën edhe u kandidua.

Pas hyrjes në fuqi të VKM 673/2017, A.A. është transferuar formalisht si staf i AKSHI-t ashtu si cdo punonjës IT tjetër i punësuar pranë Ministrive të ndryshme. Edhe pse merrte rrogën nga AKSHI, A.A. vazhdonte funksionin e tij brenda zyrave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe pikërisht këtu policia e koordinuar nga prokuroria e Tiranës sekuestroi kompjuterin e tij nga i cili nëpunësi i Tatimeve kishte shpërndarë database-n konfidenciale me të gjitha informacionet mbi rrogat e 650.000 shqiptarëve.

Sipas burimeve të Shqiptarja.com, prokuroria ka zbuluar se burimi i informacioneve të mbledhura nga A.A. ishte një kolege e tij, po ashtu nëpunëse e Tatimeve, e cila cdo muaj mblidhte informacionet mbi pagat e taksapaguesve shqiptarë për t’i shpërndarë në seli të ndryshme rajonale të Tatimeve.

Kjo shpjegon pse nga hetimet nuk ka rezultuar asnjë hakerim i serverave të Tatime: “hajdutët” i kishin marrë të dhënat duke përdorur “ celësat e shtëpisë”.

I  pyetur nga prokuroria, A.A. ka deklaruar se i ka grumbulluar këto të dhëna për qëllime studimore. Por policia ka zbuluar se në të vërtetë tema e diplomës për të cilën pretendonte se kishte mbledhur të dhënat, ishte paraqitur shumë kohë më parë se kur ai i kishte kërkuar informacionet.

Pjesa e skandalit që mbetet ende për t’u qartësuar është se përse A.A. i shpërndau këto informacione e sidomos me urdhër të kujt. Burime të prokurorisë bëjnë të ditur ndërkohë se kanë mbledhur prova reja që shpejt mund të zbardhin të gjithë ngjarjen.