Juristi Alket Jaupi, i cili kandidon për Avokatin e Popullit thotë se do të ushtrojë presion pozitiv mbi qeverinë për të miratuar minimumin jetik. Përballë deputetëve në Komisionin e Ligjeve, Jaupi tha se do të zhvillojë takime njëherë në muaj me prani të qytetarëve. Ai tha se do të përdorë çdo mjet të mundshëm që të realizojë çdo iniciativë.
Pjesë nga prononcimi:
Pyetje: Qeveria nuk e ka miratuar minimumin jetik, edhe pse Avokati i Popullit ka miratuar raporte të vazhdueshme. Cili do të jetë vendimi juaj për presionin që do t’i ushtroni qeverisë për miratimin e minimumit jetik?
Alket Jaupi: Unë institucionin e Avokatit të Popullit e shikoj të hapur për qytetarët. Unë e di potencialin, burimet njerëzore që ka ky institucion. Jam konfident që është i realizueshëm, e kam fjalë për mbledhje të hapura. Ky është roli i institucionit, të jetë bashkëpunues, ndërveprues. Unë konceptoj që edhe zyrat rajonale kanë një rëndësi të veçantë. Qytetarët duhet ta ndjejnë që ky institucion është në shërbim të tyre. Një herë në muaj do të ketë takime të hapura.
Përsa i përket minimumit jetik, AP e ka sjellë shumë herë në vëmendje. Do të bëjmë presion pozitiv të vazhdueshëm me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion.