Home Sociale Pretencën për mbytjen e Dibrës ta bëjnë jo shtetarët por shkencëtarët

Pretencën për mbytjen e Dibrës ta bëjnë jo shtetarët por shkencëtarët

Nga Abdurahim Ashiku

Fragment nga letra e hapur drejtuar historianit Ali Hoxha: “PO MBYTET DIBRA, KU JANË DIBRANËT?”

Nëntor 2008

…. Ti je dibran i nderuar Ali me rrënjë në një fshat që i ka dhënë kombit  kujtesën e masakrës më të madhe në historinë e Shqipërisë që njihet me emrin e dhimbshëm “Masakra e Çidhnës”,  qyteti-kështjellë që përjetoi masakrimin nga shpata e pushtimit osman të më se dhjetë mijë shqiptarëve në rezistencën e fundit pas vdekjes së Skënderbeut. Ti je historian dhe për krimin historik të mbytjes së Dibrës duhet të ftosh në tryezë njerëz që i dinë mirë gjërat, të ftosh autorin e veprës madhore për Skënderbeun – Kristo Frashërin, njeriun që më shumë se kushdo tjetër i ka qëndruar pranë historisë së lashtë dhe të re të Dibrës, të ftosh historianin dhe politikanin Pëllumb Xhufi, të ftosh arkeologun-nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë Neritan Ceka… dhe të tjerë për ta thënë fjalën e tyre dhe për t’i thënë ndal krimit të shuarjes së një treve dhe të historisë së saj.

Unë nga ana ime, desha të ftoj në një tavolinë debati publik, jo si specialist, por si gazetar, si një njeri që i njeh burimet energjetike të Dibrës, specialistë të hidroenergjisë me në krye akademikun, projektuesin e hidrocentraleve të mëdhenj të Shqipërisë, njeriun që më mirë se kushdo në Shqipëri i njeh projektet dhe potencialet hidroenergjetike të vendit dhe besoj edhe të Dibrës, Farudin Hoxhën, të ftoj ata që bënë projektin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël lokalë mbi veprat ujore të Dibrës e që dolën në përfundimin se Dibra nga 15 milionë kilovat-orë energji që prodhonte në vitet ’80-të mund të prodhojë 220 milionë kilovat-orë, me mundësinë e ngrohjes dhe gatimit me energji elektrike të tërë krahinës, inxhinierin hidroteknik Kliton Rusi dhe atë elektrik Bardhok Rajta.

Do të desha të komunikoj në një mjedis debati televiziv edhe me mbrojtësin më konsekuent të mjedisit shqiptar zotin Xhemal Mato.

Dua që “pretencën për mbytjen e Dibrës” ta bëjnë jo shtetarët por shkencëtarët.

Dibra ka një potencial ujor dhe basen ujëmbledhës nga më të mëdhenjtë (në mos më të madhin) në të gjithë rrjedhën e lumenjve, basen i cili fillon nga Struga me Drinin e Zi, në Dibër të Madhe me Radikën dhe degëzimet e tjera. Në të majtë të rrjedhës së Drinit të Zi ajo merr ujërat e maleve të Gollobordës nëpërmjet përrenjve e burimeve ujëgjallë të Tuçepit, Okshtunit, Bulqizës, Murrës, Setës dhe Mallës. Në të djathtë ajo mbledh ujërat e basenit të Bellovës, Deshatit, Gramës dhe Veleshicës.

Dua që t’i pyes njerëzit e mëdhenj të shkencës hidroelektrike të vendit se çfarë potencialesh ujore dhe energjetike fshehin këta burime ushqyese të Drinit të Zi në qoftë se ata futen në skemën e shfrytëzimit të forcës së ujit.

Ti e njeh Setën i dashur Ali, e njeh jo vetëm nga kanali që ushqen një hidrocentral që më ngjan se është i mjaftueshëm për të furnizuar aktualisht me energji elektrike fshatrat e Çidhnës dhe të Sinës. E njeh sepse me siguri në fëmijëri ke zbritur monopatin e thepisur dhe ke freskuar trupin ditëve të nxehta të verës në ujërat e saj. Sikur t’i pyesnim bashkë, madje të ftonim edhe ekonomistin e njohur, ish guvernatorin e Bankës së Shqipërisë çidhnakun Shkëlqim Cani, ndihmësin e kryeministrit Berisha, ekonomistin e talentuar me rrënjë lindje në Shumbat,  Selami Xhepa dhe të tjerë, çfarë vlerash do të kishte që pikërisht pak më lart se godina e hidrocentralit të vogël të ngrihej një digë hidrocentrali mbi Setë? Unë do të ftoja edhe drejtues të Ministrisë së Turizmit që nga sheshi mbi trapezin e digës së liqenit të Setës të më përgjigjeshin se a nuk do të ishte e udhës që prej atje të lundronin midis atij monumenti natyror, por edhe të një monumenti trimërie për hapjen e kanalit të Setës në verën e vitit 1967, varka-gondola që do t’i merrnin turistët për t’i zbritur në Gurë-Lurë e nëpërmjet një teleferiku për t’i ngjitur në sheshin tek Liqeni i Luleve? Do të kishim disa gjëra bashkë: një ujëmbledhës të madh, dritë elektrike, veprimtari turistike. Po të njëjtën gjë këtyre, dhe të tjerë, do tua bëja edhe në qoftë se do të ngrinim të tillë hidrocentrale me liqene “turistikë” mbi Mallë, Murrë, Veleshicë, Zallin e Okshtunit etj. Dibra me një potencial të tillë hidroenergjetik, me një luginë pjellore ku molla, dardha, qershia, vishnja, arra, kumbulla, gështenja janë në “shtëpinë e vet”…dhe me perime e një blegtori të shëndetshme, me liqene të mrekullueshëm malorë si ato të Lurës dhe Kacnisë, me bjeshkë madhështore si ato të masivit të Korabit…do të ishte një perlë e maleve tona.

Në shoqëri të këtyre specialistëve, për të vënë dorën në zemër dhe për të thënë fjalën e tyre “Ndal mbytjes së Dibrës!” do të ftoja edhe deputetin Farruku për ta pyetur në se më e udhës është mbytja e Muhurrit, e vendlindjes së tij apo ndërtimi i një hidrocentrali mbi Murrë me vlera të barabarta me ato të Setës.

Po në të njëjtën shoqëri do të ftoja edhe deputetët e tjerë ngjitur në Kuvend me votën e popullit të Dibrës, zotërinjtë Kaleci, Shehu dhe Abazi

Për t’i pyetur në se më mirë është që mbi degëzimet e Drinit të Zi, në të dy krahët e tij, që nga Zalli i Okshtunit e deri në Veleshicë të krijoheshin ujëmbledhës dhe hidrocentrale dhe me ta edhe pika turistike në këmbë dhe drejt majave të maleve të Dibrës me Korabin në ballë apo ta mbysnim gjithë luginën pjellore të Dibrës në rritje të fitimeve të një firme të huaj që veç parasë nuk i hyn asgjë në sy.

Pasi të merrja një përgjigje “teknike” dhe “politike” do të desha të shuaj kuriozitetin  me një pyetje komplekse: Sa do të ishte volumi ujëmbledhës i të gjithë këtyre hidrocentrale mbi degëzimet e Drinit të Zi dhe cili është raporti i ujëmbledhjes së tyre me “kazanin” e Skavicës? Sa do të ishte energjia elektrike e prodhuar nga këto ndërtime “të vogla” në raport me atë që do të prodhojë Skavica? Nuk e di, ndoshta gaboj me hamendjet e mia por më ngjan se raportet do të jenë një me një dhe sasia e ujit që do tu jepet hidrocentraleve të Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe “Bushatit” në kohë piku do të ishte po aq, madje e sigurt, sa ajo e Skavicës. Them “e sigurt” pasi unë dyshoj se kompania e huaj do ta mbaj fjalën që kur niveli në Fierzë të arrijë pikën minimale do ta ndërpresë prodhimin e energjisë elektrike për të hapur portat për boshatisjen e ujëmbledhësit mbasi kjo ka qenë (nuk e di në se edhe tani është) vendi i hidrocentralit të Skavicës në raport me hidrocentralet e tjerë. Kam frikë se do të ndodhë si një herë e një kohë kur Maqedonia nuk i hapte portat e hidrocentralit të Spiles dhe shteti i diktaturës e kërcënoi me ultimatumin: “Në qoftë se nuk hapni portat atëherë ne do të hapim një tunel  për ndërtimin e një hidrocentrali në Përrenjas dhe nivelin e liqenit të Ohrit do ta zbresim në pikën ku Drinin e Zi nuk do të rrjedhë më ujë”. Një ultimatum i tillë për kompaninë italiane shfrytëzuese të ujit të Skavicës nuk vlen. Ajo, e shumta, mos prodhimin e energjisë elektrike si pasojë e hapjes së portave, do të kërkonte ta kompensonte me “shitje uji”.

Por, në lidhje me ujin, mbushjen e rezervuarit ka një problem që nuk ka se si të mos ngjallë kontradikta mes firmës së huaj dhe shtetit shqiptar, Dikur thuhej se mbushja e rezervuarit do të kërkonte kohë, jo muaj por vite. Gjatë kësaj kohe sistemit të hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit, pronë, tani për tani, shtetërore do t’i mungojnë tërësisht prurjet e Drinit të Zi, prurje që janë shumë më të mëdha se sa prurjet e Drinit të Bardhë. Gjatë kësaj kohe Shqipëria, pa alternativë të shpejtë burimesh energjetike ujore e termike, do të përjetojë një errësirë marramendëse. Mbytja e Dibrës nga hidrocentrali i Skavicës do të reflektojë me “mbytje” energjetike në mbarë Shqipërinë.

Por le të ndalemi edhe në një çast tjetër, atë të ndërtimit të hidrocentralit dhe të mbushjes së rezervuarit.

Nuk ka ndonjë të dhënë për brigjet e pasqyrës ujore të rezervuarit përveç asaj që është deklaruar si “zgjidhje origjinale … me një liqen më të vogël, pa u shtrirë në tokën maqedonase”. ( Sa largpamës jemi, nuk shqetësohemi se po mbytet një trevë e tërë, po mbytet fusha e Gjoricës dhe fushëzat e fshatrave për rreth, por shqetësohemi se po mbyten disa dhjetëra dynymë në bërrakat e fshatrave shqiptarë nën Maqedoni!)

Po përfytyroj një skenë miqsh e miqësish i dashur Ali. Ti je në Çidhën. Unë jam në Zdojan. Të dy kemi në sy përpara Dibrën e përmbytur. As ty dhe as mua nuk na ka prekur uji as tokat, as shtëpitë dhe as na ka mbytur varret e të parëve tanë. Në këtë komoditet indiferent mua më shkon mendja që të vij mik tek ti, ta pi një kafe në atë kullën e hershme të gjyshërve të tu, t’ju marr përkrahu të kalojmë anës kullës në tri pode të Krrashëve për të kundruar liqenin poshtë këmbëve. Nuk e di në se burimet ujëvarës të Sopanikës do të jenë mbytur apo jo por, sidoqoftë, syri do të na ndalet mbi ujë e kujtesa nën ujë. Do të na ndalet në Sinë, diku aty ku është muzeu i vendlindjes së Skënderbeut, në “Kuvendin e Arrasit” e më tej  te “Pusi i Gjonit”, “Ara e Gjonit”, “Fusha e Torviollit” dhe kujtesa historike për fitoren e shqiptarëve, me përmasa  të fitores më të madhe botërore të kohës…Ato janë zhytur në ujë e mbuluar me llumin që shirat rrëmbyes të vjeshtës e të pranverës mbledhin nga Gjagjishti në Korab dheun e të gjitha ngjyrave. Nuk e di në se do të jetë “ishull” apo “gadishull” Suka e Arrasit, kodra e bukur që dominon tërë pamjen në veri, lindje e jug, e merr e ta jep Dibrën mbi pëllëmbë duarsh të hapura, ashtu siç i falemi Zotit. Por një gjë di: Unë nuk mund të vij ta pi një kafe me ty dhe të dal shëtitje ndash poshtë e ndash lart Gjalicave. Nuk mund të vij sepse ura e hekurit në Muhurr do të jetë mbytur dhe të “Nëntë Malet e Dibrës” nuk mund të jenë më të Dibrës. “Rruga e Rinisë” e nisur në vitin 1946 është e mbytur dhe mbi bregun e ujëmbledhësit nuk ka as rrugë dhish që të lidhë tërë “Malet e Dibrës”. Tërë fshatrat në perëndim, që nga Hoteshi e deri në Bardhaj Reç do të jenë përfundimisht të ndarë nga Dibra. Do të ndodhë një shpërndarje administrative e Dibrës. Lura me siguri do të shkojë me Mirditën. Me të mund të bashkohet edhe Çidhna e Dardha. Reçi mund të bashkohet me Arrnin e të bëhet “mal” i Kukësit. Katër Grykët e Murrës do të bashkohen me Matin. Nuk e di se me kë do të shkojnë Muhurri dhe Luznia, me Bulqizën apo me Matin. Dibrës do t’i mbetet vetëm një rrip majëmalesh që nga Kërçini në Korab e Sorokol dhe një “prehër” tokë…

…E ndjen se sa tragjike do të jetë një ndarje e tillë i nderuar Ali? E ndjen se si ai ujë i amullt mbuluar me leshterikë të gjelbër mbyt dhe ndan përgjithmonë kohët, njerëzit, miqësitë, krushqitë. Nuk të duket ky brez ujor më i tmerrshëm se “brezat e butë – klonet elektrikë” që në kohë të shkuara ndanin kufijtë? Nuk të duket kjo ndarje më e tmerrshme dhe më e kobshme se sa ndarja e dhunshme e Dibrës –qytet me Dibrën-fshat nga Konferenca e Londrës e vitit 1913? Nuk të duket kjo si në tregimin e fillimit të këtij hulumtimi për “Barbaritë serbe në Dibër” në fillimshekullin e kaluar?

Mos donë të thuash se “shtoj dhe ekzagjeroj” i dashur Ali? Ma korrigjo të lutem shikimin tim për “Dibrën e mbytur”. Jo vetëm ti por të gjithë ata që i thonë vetes intelektualë, dibranë qofshin apo jo, ata që u dhemb në shpirt çdo pëllëmbë e kësaj toke të mbrojtur me gjak, çdo skelet nëntokë me plagë nga shpata e plumbi ngulur thellë në gjoks nga armiqtë e të gjitha kohërave.

Unë fola dhe shkrova i nderuar Ali. Po e lë fjalën time në Odën Dibrane, në Universitetin e Dibrës, për ta marrë e thënë kushdo, nga çdo hapësirë e globit ku jeton, me gojë e me zë të lartë…