Home Politike Presidenti i ri, sot zhvillohen negociata për kandidatët, në pikëpyetje takimi me...

Presidenti i ri, sot zhvillohen negociata për kandidatët, në pikëpyetje takimi me Alibeajn

Kur duhen edhe 2 dite që të përfundojë afati për dorëzimin zyrtar të kandidatëve për President të Republikës, ende nuk ka asnjë emër për tu hedhur për votim në raundin e parë të përcaktuar të zhvillohet të hënën e 16 majit, ora 17:00.

E sotmja pritet të jetë ditë negociatash. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla do të zhvillojë një takim me krerët e grupeve parlamentare të tjera.

Në kryesinë e Kuvendit do të vijojnë negociatat mes kryetarëve të grupeve parlamentare për zgjedhjen e emrit të ri të kreut të shtetit, ndërsa kryeministri Edi Rama, i ka lënë dorë të lirë opozitës që të propozojnë ato të parët emrin e kandidatit për president. Partia Socialiste nuk do të çojë propozim në raundin e parë, i cili do të mbahet në datën 16 maj.

Takimet ndërmjet kryetarëve të grupeve parlamentare do të zhvillohen të ndara, ku në orën 09:00 pritet që të diskutohet mes kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla me Mesila Dodës. Më pas takimi do të pasohet me Fatmir Mediun, i cili do të zhvillohet në orën 10:00 dhe në 11 është parashikuar takimi me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajt, i cili ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Më 16 maj, ora 17:00 do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të republikës, vendim i cili u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Më 15 maj ora 16:00 është afati I fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve, ndërsa më datën 16 maj ora 10:00, mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave. Afatet janë vendosur me votë të Partisë Socialiste, pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim..

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentar dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë.

SOURCEbulevard news
Previous articleShkencëtarët publikojnë fotografinë e një vrime të zezë në qendër të galaktikës sonë
Next articleKontratë deri në 2027-ën dhe pagë stratosferike, Reali i Madridit “blindon” yllin e skuadrës