Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë edhe në komunën e Roshanos, ku u takua me autoritetet vendore të komunës si dhe rajonit të Abrucos, me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Roshanos, por edhe me diasporën e re shqiptare të vendosur aty në tre dekadat e fundit. Në këtë takim, Presidenti Begaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Roshanos, Dr. Simone Palozo.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi gjithashtu dhe qytetin e Kietit, ku u prit nga autoritetet lokale, ndër të cilët Kryetari i Bashkisë të Kietit, Diego Ferrara, Presidenti i Provincës së Kietit, Francesco Menna, Prefekti i Chietit, Mario Della Cioppa etj.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Presidenti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që i është dhënë shqiptarëve për t’u integruar në Itali, por edhe në ndihmesën që i është dhënë Shqipërisë në proceset integruese.Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu ndihmën e qendrës spitalore të Kietit dhe Provincës së Kietit, në trajtimin e fëmijëve dhe pacientëve shqiptarë, veçanërisht në repartin e hematologjisë.
Në fund të takimeve të tij, Presidenti kërkoi që komuniteti shqiptar i vjetër dhe i ri në Itali, ashtu sikundër dhe komuniteti Italian në Shqipëri, të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse e fortë mes Shqipërisë dhe Italisë.