Home Slideri Prefektura Durrësit bllof PS dhe LSI. Kryetari ri këshillit të bashkisë vetëm...

Prefektura Durrësit bllof PS dhe LSI. Kryetari ri këshillit të bashkisë vetëm pas 23 qershorit

keshilli bashkiakNga Xhevo Gradica / Kërkesa për organizimin e një mbledhje jashtë rradhe të këshillit të bashkisë së Durrësit të nënshkruar nga këshilltarë të aleancës së majtë për të rrëzuar kryetarin e nënkryetarin e këshillit do të duhet të presin përfundimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Socialistët bashkë me këshilltarët e LSI dhe aleatët e tyre kanë firmosur dy javë më parë një kërkesë të tillë me karakter të qartë e të pastër politik. Janë më shumë se 1/3 e këshilltarëve në bashkinë e Durrësit që e kanë firmosur dhe ia kanë drejtuar byrosë së këshillit këtë kërkesë me karakter politik në të cilën duan të ia heqin mandatin krerëve aktual në këshill. Në të mësohet se është cilësuar se kërkojnë të zëvendësojnë kryetarin dhe nënkryetarin e këshillit me arsyen se kanë ndryshuar balancat politike. Këshilli bashkiak në Durrës ka 45 këshilltarë. Partia Demokratike ka 14 të tillë, përkundrejt 18 këshilltarë që ka PS. Aleanca e mëparshme me 4 këshilltarë të LSI, 4 këshilltarë të PDIU-së dhe 2 të Partisë Republikane bëri të mundur të fitojë mandatin e kryesimit të këshillit Indrit Hamiti i PDIU-së në saj të mbështetjes së plotë nga PD. Ndërkohë LSI ka ikur nga koalicioni me PD dhe i është bashkuar të majtës. Një kalim i tillë ka prishur raportin ndaj PS, LSI dhe aleatët e saj kanë nisur të shfrytëzojnë këtë rast për të pasur ata të drejtën e drejtimit të këshillit bashkiak. Dy javë më parë 13 këshilltarë të majtë kanë hedhur një nga një firmën në shkresën drejtuar byrosë së këshillit bashkiak dhe në të është shkruar qartazi se kërkojnë mocion mosbesimi për kryertarin dhe nënkryetarin. Hamiti i përket PDIU, ndërsa nënkryetari i këshillit bashkiak Eduart Rubiku vjen nga radhët e Partisë Republikane. Ndonëse aplikimi është bërë sapo PS dhe LSI kanë konsoliduar marrëveshjen, përgjigjja do të vonojë. Sipas këshilltarëve procedura do të zvarritet deri në kufijtë skajor duke shfrytëzuar çdo hapsirë ligjore. Krerë të grupeve të këshilltarëve të PD, PS, LSI, PDIU dhe këshilltarë të tjerë në bashkinë e Durrësit kanë thënë se do të marrin pjesë në shqyrtimin e kërkesës duke bërë të qartë se asnjëra palë nuk e ka ndërmend të bojkotojë këtë proces ndonëse të kërkuar përmes një mbledhje jashtë rradhe. Megjithatë disa prej tyre kanë pohuar se ka shumë të ngjarë që PS dhe aleatët e saj të mund ta realizojnë qëllimin e tyre për të rrëzuar kryetarin dhe nënnkryetarin e këshillit të bashkisë vetëm pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Zamir Ramadani, kryetar i grupit të PD

Nuk kemi asnjë lloj dijeni për çështjen e pyetur nga ju. Saktësisht kemi dëgjuar për një kërkesë që thuhet se e kanë bërë këshilltarët e majtë dhe vetëm kaq. I takon kryetarit të këshillit të bashkisë dhe kryetarit të bashkisë të mbledhin këshillin sapo bëhen kërkesa të tilla nga këshilltarë. Sigurisht mbledhja jashtë rradhe kërkon edhe firmën e 1/3 së anëtarëve të këshillit dhe po të jetë plotësuar konform ligjit një kërkesë e tillë nuk ka pse të mos zhvillohet mbledhja. Nëse ne do të njoftohemi, atëherë unë deklaroj në cilësinë e kryetarit të grupit të këshilltarëve të PD në këshillin e bashkisë së Durrësit se do të marrim pjesë. Ju i druheni ndonjë bojkoti nga ana jonë. Nuk kemi pse ta shkojmë në bojkot. Mjafton të përmbushen kërkesat e ligjit. Pastaj është tjetër gjë lidhur me votimin pasi një herë duhet kërkuar shkarkimi dhe më pas kandidatura apo kandidaturat e reja. PD dhe grupi i saj i këshilltarëve do i bindet votimit të shumicës. Kjo ka të bëjë me këndvështrimin tonë politik dhe institucional.

Kreu i grupit të LSI, Vasip Habili

Kemi katër këshilltarë si LSI në këshillin e bashkisë së Durrësit. Si gjatë kohës kur LSI qe në aleancë me PD, edhe tani që kemi nënshkruar marrëveshjen politike me PS, qëndrojmë faktor kyç përsa i përket shifrave të shumicës në këshillë. Pra bashkimi votave tona me PS në këtë këshill do të thotë qartë ndryshim të kreut të këshillit dhe ne këtë veprim do ta bëjmë sa më parë që të lejojë ligji. Procesin e kemi nisur. Kemi formosur kërjkesën e cila në këtë rast është politike. Këtë hap e kemi hedhur dy javë më parë dhe tani presim përgjigje. Ne si LSI nuk kemi diejni se ç’do të bëjë PD dhe të tjera forca politike të pranishme në këshill, por nga ana tjetër kjo nuk është se do të ketë ndodnjë ndikim në rezultatin përfundimtarë të parashikuar pasi tani me PS jemi shumicë. Në fund të fundit veprimet tona janë ligjore dhe të ndershme. Ajo që është e pandershme lidhet me veprimet e PD e cila po godet anëtarët e LSi të cilët janë thjeshtë pjesë e administratave lokale apo edhe punonjës ndihmës. PD ka larguar nga puna dhe pa asnjë lloj kodi etik e moral drejtorin e Institutit të Monumenteve në Durrës vetëm pse është i LSI. Të njëjtën gjë ka bërë me largimin e dy drejtuesve shkolle njërin prej të cilin e ka degdisur në Kullë si shenjë hakmarrje. Veprime të tilla të shtyjnë të pohosh se PD drejtohet nga persona ekstremistë, ndaj ata duhet të largohen nga pushteti me 23 qershor.

Kryetari i këshillit të bashkisë, Indrit Hamiti

Është e vërtetë, ka mbërrirë kërkesa e nënshkruar nga disa këshilltarë të aleancës së majtë. Aty është cilësuar se kërkohet të rivotohet kryetari i këshillit dhe nënkryetari këshillit, thënë ndryshe unë si kryetar dhe me vota të PDIU dhe shumicës së djathtë në këshill dhe nënkryetari këshillit Eduart Rubiku që i përket Partisë Republikane. Byroja e këshillit të bashkisë së Durrësit e ka marrë në shqyrtim këtë kërkesë dhe ia ka përcjellë prefekturës Durrës për interpretim ligjor. Shkresa jonë synon që institucioni prefektit të shprehet për përmbushjen nga ana e kësaj kërkese të nenit 31, pika 8 e ligjit “Për pushtetin lokal”. Sapo prefektura të shprehet me shkrim, atëherë do të veprojmë. Aktualisht kemi një prefekt të ri pas dorëheqjes së atij të mëprashëm ndaj edhe afati i përgjigjes për interpretimin ligjor do të kërkojë kohë. Prefekti mund të shprehet edhe më parë sesa limiti skajor që është 30 ditë, por detyrim për këtë institucion është që të mos kapërcejë afatet e përcaktuar nga ligji. Mbledhja e fundit e këshillit të bashkisë është bërë me 21 janar 2013 dhe që nga ajo kohë këshilli thuasje nuk është më aktiv. Shkak për këtë është bërë diskutimi i fundit për paketën fiskale, tarifat vendore dhe mosrënia në të njëjtin mendim ka zgjatur takimin e rradhës. Por kërkesa e këshilltarëve të majtë nuk ka të bëjë me këtë çështje. Tani gjërat nuk varen tek unë si kryetar këshilli apo nënkryetari. Është prefektura që duhet të veprojë dhe nëse ligjërisht kërkesa e LSI-PS është e mbështetur, atëherë ne si byro e këshillit të bashkisë së Durrësit pas konsultës me krerë të grupeve të këshilltarëve caktojmë datën.

Previous articleLista e kandidatëve për deputet zhgënjen bazën e PS dhe PD në Durrës
Next articleEkzistencë si hije e pakuptimtë